Shqiptarët grumbullojnë shumën e gjobës për Xhakën, Shaqirin dhe Stephan Lichtsteiner

Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri u gjobitën me nga 10 mijë franga zvicerane për festimin e golave respektivë ndaj Serbisë me simbolin e shqiponjës.

Me 5 mijë franga u ndëshkua edhe kapiteni i Zvicrës, Stephan Lichtsteiner, për të njëjtin festim.

Në internet ka lindur një nismë për të mbledhur paratë e gjobës së FIFA-s për të 3 futbollistët, që do të thotë 25 000 franga.

Në llogarinë e hapur në “gofundsme”, vetëm në 14 orë donatorët, shumica e të cilëve janë shqiptarë, kanë arritur të grumbullojnë gati 12 mijë dollarë.

Pasi FIFA dha vendimin për futbollistët e Zvicrës, Xhaka, Shaqiri dhe Lichtsteiner, duke i dënuar dy të parët me rreth 10 mijë dollarë dhe të tretin me 5 mijë dollarë, ka ardhur reagimi i shqiptarëve.

Kosovari Rilind Reka ka thirrur një aksion për donacione që të paguhen gjobat e tre futbollistëve.

Menjëherë paratë kanë vërshuar në llogari.

Po kush është 34-vjeçari shqiptar, që jeton në Nju Jork dhe punon në Uoll Strit dhe përse e ndërmori këtë nismë?

“Ideja më lindi në mënyrë spontane nga emocionet. Isha ulur në zyrë kur dëgjova për vendimin e FIFA-s. Nuk më dukej normale që një futbollist të dënohet për një gjest përshëndetës,” thotë ai për gazetën Blick.

Reka e shpërndau njoftimin në Facebook dhe më pas nisi të telefononte miqtë e tij.

Ai thotë se nuk e kishte menduar se nisma do kishte kaq shumë sukses.

“Çekun e kam gati,” qesh ai.

Reka thotë se do kishte dëshirë që paratë t’ua jepte vetë futbollistëve, të cilët më pas mund t’i dërgojnë për ndonjë fondacion bamirësie.

Ai thotë se është tifoz i Zvicrës sepse luajnë shqiptarët, por edhe sepse kanë treguar se kanë shpirt skuadre.

“Uroj që të dalin kampion bote. Titulli është në lojë për ta,” thotë Reka.

Edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është shprehur se i uron sukses ekipit të Zvicrës.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Si u futën në kurth autorët e ekzekutimit të biznesmenit

  Policia e Tiranës ka zbardhur vrasjen e biznesmenit Memli Begalla, ngjarje...
Read More