Shqiptarët, të tradhtuar nga liderët e vetë politikë

Nga Spartak Ngjela

Shqiptarët janë të tradhtuar nga lidershipët e tyre në të tria vendet ku duhet të formohet politika e re kombëtare: Edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, edhe në Maqedoni.

Kjo kohë duhet të ndryshojë domosdoshmërisht, sepse si në njëqind vjet, lidershipët shqiptarë janë blerë nga fqinjët pushtues. Por tani është edhe më keq: vjedhësit e shtetit shqiptar dhe atij të Kosovës duan dy gjëra.
Vjedhësit e Tiranës duan destabilizimin e Shqipërisë që të dalin nga Shqipëria bashkë me sendin e vjedhur.
Por pa fare kuptim është Hashim Thaçi në Prishtinë që flet për territore pa ia kërkuar kush, dhe pa asnjë kompetencë, edhe pse është president. Por dje besoj se e kuptoi edhe ai që nuk janë serbët por shpirti shqiptar që drejton sot Kosovën dhe territorin e saj. Tubim madhështor në Prishtinë, i tëri kuqezi, i ka trembur të gjithë të shiturit e Kosovës; ka trembur gjithashtu edhe të gjithë ata që mendonin se në botën shqiptare nuk ka patriotizëm. Por ndodhi edhe diçka: rreth 200 mijë shqiptarë kuqezi në Prishtinë kanë trembur të gjithë antishqiptarizmin.
Po Hashim Thaçi nuk e kupton dot që të gjithë ata ishin kundër tij. Nëse don të shpëtojë ndonjë diçka për vete, duhet të japë dorëheqjen.

Po referendumi i Maqedonisë si do të dalë?
Ka shpresë të fitojë, por është e vështirë. Sigurisht, e vështirë, por jo e pamundur.
Fitorja e referendumit, do të sjellë risi për bashkimin gjithëshqiptar në Ballkanin Perëndimor. Të shohim.

Por në Tiranë sigurisht që ka dhe diçka më shumë.
Tërë korrupsioni kryeministror shqiptar tani i ka shpresat që të sundojë me sendin e vjedhur dhe me ndihmën e Rusisë dhe fqinjëve pushtues territoresh shqiptare. Kurse politika amerikane dhe politike gjermane duan mbështetjen e politikës shqiptare në mënyrë që shtetet shqiptare në Ballkanin Perëndimor të kryesojnë lëvizjen e bashkimit të tyre. Duhet të krijohet zonë shqiptare në Ballkanin Perëndimor, por këtë e pengon korrupsioni shqiptar në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni. Atëherë, si duhet të ecë kjo kohë?
E vetmja shpresë edhe për shqiptarët por edhe për politikën amerikane, është forca e politikës amerikane për të nxjerrë jashtë skenës politike si fillim lidershipin e lartë shqiptar në Tiranë.

Pse është Tirana kaq e rëndësishme? Tirana është caktuar si epiqendra e politikës amerikane, por kjo politikë amerikane po sabotohet në Tiranë, edhe pse ajo në fakt është e gjitha në interes të shqiptarëve.
Po si duhen larguar këta uzurpatorë që përfaqësojnë korrupsionin kryeministror shqiptar dhe që e kanë mendjen te Putini? Vetëm me forcën e politikës amerikane dhe politikës gjermane.

Po politika amerikane e forcës, ku duhet të mbështetet?
Forca e politikës amerikane duhet të mbështetet domosdoshmërisht te Kushtetuta e re e Shqipërisë. Ka një arsye të shëndoshë kjo: kushtetuta e re shqiptare, po të aplikohet, e shkatërron të gjithë politikën uzurpatore në Tiranë. Këtu qëndron sot forca e antikorrupsionit. Po ku duhet të ushtrohet konkretisht forca e politikës amerikane?
Ajo duhet të mbështetet vetëm në një pikë: te zbatimi i kushtetutës së re shqiptare, dhe te trajnimi i shqiptarëve për të marrë në dorë Byronë Kombëtare të Hetimit.
Akuza antikorrupsion duhet të jetë fenomeni i ri i patriotizmit shqiptar, në Shqipëri dhe në Kosovë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Detajet e ‘aferës së gjyqtarit’: Skema që solli lirimin e të dënuarit

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dje masën e sigurisë “arrest me...
Read More