Si duhet të jetë profili i një juristi sot

Nga Erjona Bana (Canaj)

Studentët e rinj që zgjedhin të vazhdojnë studimet në fakultetet e drejtësisë, përballen me njohuri dhe sfida të reja. Juristët modernë dhe lektorët që ecin me hapin e kohës në këtë periudhë globalizimi duket se po tentojnë sot të formojnë profile të reja juristësh. Por cili është profili i juristit modern? A mjaftojnë vetëm dijet e marra në universitet? Çfarë aftësish duhet të ketë një jurist i ri për të qenë i suksesshëm ditët e sotme? Pyetje këto, që me të drejtë shtrohen nga studentët e Juridikut, ndërsa secili prej tyre e sheh veten në një të ardhme në këtë profesion. Pra, me të drejtë shtrohet pyetja e rëndësishme: Si duhet të jetë juristi sot dhe si duhet të veprojë ai për t’u dalluar si jurist i suksesshëm në shoqërinë ku jeton?

Në mendimin tim, gjithçka nis nga formimi fillestar i juristit. Nuk mund të arrihet të realizohet më së miri një formim universitar në qoftë se në radhë të parë nuk shihet qartë objektivi që synohet të arrihet. Një bazë e shëndoshë në formim, sjell pa dyshim juristë me dije dhe të aftë për t’iu përshtatur rrethanave në çdo çast. Pikëpamjet juridike dhe filozofike lidhur me figurën e juristit, vërtet kanë ndryshuar. Sot edhe interpretimi i figurës së juristit, duhet të bëhet në përshtatje me kohën. Dihet që thelbi i punës së juristit është studimi dhe interpretimi i së drejtës, aplikimi i së drejtës dhe zbatimi më i mirë dhe korrekt i së drejtës. Megjithatë, profili dhe përmbajtja e re që po kërkohet për juristët, po analizohet mbështetur në ato që quhen trendet apo figurat e reja të juristëve, të cilat ndërthuren më së miri edhe me disiplinat e tjera.

Debatet dhe propozimet për një jurist me profil të ri, simbol i realitetit shqiptar dhe zhvillimeve të fundit, duket se po tentojnë të shohin juristin e ri të lidhur ngushtësisht edhe me shkencat sociale, me politikën dhe me mediat. Mendoj se kultura e juristit sot, duhet t’i kapërcejë kufijtë e shkencave juridike dhe të përqafojë edhe shkenca të tjera, si: shkencat politike, marrëdhëniet ndërkombëtare, shkencat ekonomike, mediat etj.

Pa dyshim që jurist nuk bëhesh vetëm me teori. Praktika dhe përkushtimi, si dhe aftësi të tjera që fitohen gjatë viteve, janë shumë të nevojshme në këtë profesion. Këtu mendoj se ka vend për të saktësuar që juristi në radhë të parë, ndërthur anën teorike me praktikën. Një element shumë i rëndësishëm ky për të gjithë ata që “ndërveprojnë” me ligjin dhe drejtësinë. Sot figura e juristit prezantohet shumë komplekse dhe e ndërthurur.

Në UET studentet e juridikut kanë në auditor, jo vetëm pedagogë dhe profesorë të shquar në fusha të ndryshme të së drejtës, por edhe pedagogë të cilët janë personalitete në drejtësi. Kjo vjen për qëllimin final të realizimit në auditor të asaj ndërthurjeje perfekte do të thosha, të teorisë me praktikën, përfitimin maksimal të së cilës e kanë studentët. Sot edhe marrëdhëniet mes teknologjisë dhe praktikës në studimet ligjore, paraqiten në mënyra dhe forma të reja. Ato nuk janë më vetëm praktikë dhe një aplikim i thjeshtë i koncepteve teorike, në mënyrë që të përfitojnë aftësi teknike, por praktika është bërë e domosdoshme për të formuluar një teori të mirë.

Një karakteristikë tjetër e rëndësishme në profilin e juristit modern është edhe çështja e specializimeve, një tendencë kjo e viteve të fundit në çdo shoqëri. Kjo tendencë, edhe pse ndryshon në varësi të fushave të studimit, është prezente edhe në shkencat juridike. Ndoshta ka ardhur koha e juristit ekspert në një fushe të caktuar, të cilën ai e ka pasion, e studion dhe e aplikon më së miri. Kuptohet që studimi i mirëfilltë i fushave të veçanta të së drejtës dhe të drejtat specifike, kanë bërë që edhe juristët t’i kushtojnë më shumë vëmendje dhe të kultivojnë profesione të specializuara, për të fituar aftësi të veçanta dhe për t’u dalluar në shoqëri, në këto “mikrosisteme ligjore”.

Këto kohë po jetojmë në një “shoqëri teknologjike”, e cila na lejon të lundrojmë gjatë në internet dhe të hapim dritare të reja dijesh. Kjo shoqëri, juristët i bën të jenë me kreativë, me të lirë për t’u shprehur, dhe me të hapur ndaj angazhimeve të reja, solidaritetit, inovacionit, zhvillimit dhe perspektivave të reja të shumta. Kjo ka shumë rrjedhoja pozitive, pasi rrit për shembull përgjegjësinë etike. Në këtë realitet, lloji i “krijimtarisë” te shkencat juridike, është edhe më i rritur dhe i larmishëm, por në të njëjtën kohë duhet të gjejmë kritere të reja për kontrollin dhe mbrojtjen ndaj arbitraritetit.

Lidhur me këtë aspekt, nuk mund të lihet pa përmendur edhe çështja e burimeve të internetit, që shpeshherë e deformojnë informacionin dhe vetë të drejtën. Ndaj në këtë këndvështrim, detyra e juristit është edhe “shoshitja” e burimeve dhe informacioneve të marra, me qëllim studimin e një çështjeje apo instituteve të së drejtës në mënyre korrekte. 

Po ashtu, juristi nuk mund të qëndrojë “i mbyllur” në studimet e tij. Ai duhet të jetë i hapur ndaj interesave që ka shoqëria në një kohë të caktuar. Pa dyshim që juristi sot, është bërë i vetëdijshëm se është e pamundur të punojë konceptet dhe institutet e shumta të së drejtës, pa marrë parasysh interesat bashkëkohore; nuk duhet vënë në dyshim e vërteta historike e burimeve ligjore apo e fushave dhe instituteve të ndryshme të së drejtës, por duhet të bëjë funksionale bashkëjetesën e të menduarit sistematik me mendimin problematik. Kur një pedagog vazhdon të insistojë për vite të tëra pa ndryshuar skemat dhe modelet e tij, pa u shqetësuar se çfarë po ndodh jashtë mureve të universitetit në shoqëri dhe në botë, edhe nxënësit e tij më besnikë dhe të devotshëm do të pranojnë një mungesë lidhjeje të mësimdhënies së tij me realitetin.

Nga ana tjetër, realiteti po tregon që juristët duhet të kenë këndvështrim e formim sa më global e ndërkombëtar; duhet të jenë në gjendje të njohin dhe përballen me debatet dhe sfidat që vijnë si pasojë e rolit dhe ndikimit të institucioneve ndërkombëtare dhe implementimit të së drejtës në të drejtën kombëtare. Por juristët e rinj në prag diplomimi dhe në fillim të karrierës, duhet të lexojnë shumë. Ky aspekt ka të bëjë me proceset e unifikimit të së drejtës në nivel ndërkombëtar dhe rajonal, si Bashkimi Europian apo Këshilli i Europës. Mund të përmendim këtu edhe disa sektorë specifikë; siç është e drejta private, ndërkombëtare private, trashëgimia, e drejta familjare, po ashtu edhe e drejta publike dhe penale. Ndaj të rinjtë duhet të jenë të frymëzuar nga kultura dhe fryma mbikombëtare. Aq me tepër që të jesh një avokat i suksesshëm nuk është aspak e lehtë, sidomos një avokat i ri. Kjo është një përpjekje për ta zhvendosur perceptimin dhe rolin e avokatit nga një luftëtar në shërbim të klientit, drejt një modeli ku avokati është një profesionist i spikatur në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve apo në negocimin e kontratave, duke sjellë një vlerë të shtuar. Çdo problem i lidhur me ligjin, kërkon aftësi analitike dhe vlerësuese. Po ashtu, puna në skuadër është e rëndësishme, sepse lloji i punës që ne bëjmë është aq i komplikuar dhe i gjerë, saqë ka shumë pak gjasa të arrish të punosh mbi një projekt, tërësisht i vetëm. E drejta është një gjë e gjallë dhe dinamike, e cila interpretohet dhe ndikohet nga zhvillimet e përditshme në fushën politike dhe shoqërore.

Prof. asoc. dr. Erjona Bana (Canaj), Pedagoge e Fakultetit të shkencave Juridike, Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Europian të Tiranës, na sjell një profil të juristit të ditëve të sotme.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Mirëqenie: Vlerat ushqyese të kungullit të verdhë

Konsumi i ushqimeve të pasura me beta-karoten mund të zvogëlojë rrezikun e...
Read More