Si duhet të veprojnë ZVRPP-të me taksën e kalimit në pronësi të ambienteve të përbashkëta?

Nga Alfred Cako & Hysen Metko

Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), përveçse propozon dhe këshillon për ndryshime ligjore dhe ndryshime të tjera sa herë që ka dispozita ligjore bllokuese apo një vakum ligjor, ai është një gardian për rritjen e standardeve të respektimit të kuadrit ligjor ekzistues dhe ndaljen e gabimeve, keqinterpretimeve apo edhe abuzimeve me këtë kuadër ligjor. Në këtë kuptim mund të analizonim një aspekt të rëndësishëm të keqinterpretimit apo abuzimit me ligjin nga ana e Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive (ZVRPP-ve), gjatë regjistrimit të pasurive në procesin e kalimit të pronësisë në lidhje me taksën për kalimin në pronësi të ambienteve të përbashkëta.

Ka një shqetësim dhe interes të mirëkuptuar prej KLSH-se nga ana e shoqatave të ndërtuesve ose të bizneseve që operojnë në fushën e ndërtimeve të cilat i janë drejtuar edhe KLSH-së me kërkesë për konsultime me argumente joligjore për të intimiduar veprimet e saj gjatë auditimeve në zyrat vendore të regjistrimit të pasurive. Në të njëjtën gjatësi vale me ndërtuesit janë edhe punonjësit e ZVRPP-ve që kanë sjellë një reagim kundërshtues të paargumentuar në ligje nga ana e tyre në lidhje me kërkesën këmbëngulëse të KLSH-së që të rikuperojnë dëmin ekonomik të shkaktuar në buxhet dhe që të ndryshojnë dhe të marrin në konsideratë në të ardhmen edhe trajtimin e taksës së ambienteve të përbashkëta gjatë regjistrimit të pasurive duke i sjellë kështu arkës së shtetit të ardhura të konsiderueshme të munguara në mënyrë abuzive dhe korruptive.

Shkelja e këtij kuadri rregullator në mënyrë spekulative dhe korruptive sigurisht që ka kohë që po goditet hap pas hapi nga ana e KLSH-së duke i ardhur në ndihmë të buxhetit dhe interesit shtetëror e publik e duke ngritur edhe në këtë aspekt kërkesat për standardet e punës së ZVRPP-ve.

Por le të flasim pak më teknikisht mbi problemin me gjuhën e argumenteve ligjore mbi pretendimet e ndërtuesve dhe ZVRPP-ve kundër kërkesës së KLSH-së. Ndaj kërkesave dhe pretendimeve të bashkuara të mëposhtme në thelb të dy palëve, me kërkesa me ngjyrim paksa të ndryshëm por synim të njëjtë, përgjigjet e argumentuara të KLSH kanë qenë e do të jenë në thelb si më poshtë:

1-Ndërtuesit ngrenë pretendimin se kërkesa e KLSH-së ndaj zyrave të regjistrimit të pasurive për taksimin e ambienteve të përbashkëta do të ngrinte më tej koston e ndërtimeve, nuk është e vërtetë pasi gjatë kontratave ligjore për transferimin e pasurisë nga ndërtuesit te blerësit e banesave këta të fundit paguajnë sipas përqindjes në kate edhe përqindjen e ambienteve të përbashkëta, vlerë për të cilën ndërtuesit nuk duan të paguajnë taksën e kalimit në pronësi. Në këtë kuptim zbatimi i ligjit mund të ulte vetëm fitimin mbi baza abuzive ose korruptive të ndërtuesve. Gjithashtu, ndërtuesit kanë ngritur pretendime të pabaza në letrat e tyre drejtuar KLSH-së sikur punonjësit e saj gjatë auditimeve kanë kërkuar edhe regjistrimin e truallit funksional të ndërtesës të pazënë me ndërtime, gjë që nuk është e vërtetë pasi raportet dhe vendimet e auditimeve të KLSH-së kanë kërkuar taksën e kalimit të pronësisë vetëm për ambientet e përbashkëta brenda godinës së ngritur.

2- Punonjësit e ZVRPP-ve në observacionet e tyre kundër kërkesës së KLSH-së ndaj tyre për rikuperimin e dëmit të shkaktuar nga mos taksimi i ambienteve të përbashkëta dhe ndryshimin e veprimeve të tyre në të ardhmen, kanë pretenduar pa baza ligjore duke thënë se ‘sipërfaqja e përbashkët nuk mund të jetë e tatueshme, për faktin se ajo nuk shprehet në metër katror, por në përqindje (%)!!!, dhe se në referim të nenit 28 të ligjit nr. 9632, datë 30.10.1996 “Për Sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar, taksimi i sipërfaqeve të përbashkëta nuk është kompetencë e ZVRPP-së, por e Bashkisë.

 Argumenti i audituesve të KLSH-së për këtë çështje ka qenë kundër këtij pretendimi për faktin se taksa për kalimin e pronësisë vendoset për të gjitha sipërfaqet e ndërtesës (qoftë e përbashkët apo jo), për të cilën transferohet e drejta e pronësisë. Në përqindje (%) shprehet “kuota e pjesëmarrjes” dhe jo sipërfaqja, siç pretendohet. Në fakt, sipërfaqet e përbashkëta regjistrohen në m2 sipas ligjit nr. 33/2012, datë 21.3.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme” dhe konkretisht nenit 50, “Regjistrimi i mjediseve të përbashkëta në ndërtesa”. Por nga ana e audituesve të KLSH-së argumentohet se edhe shprehja në përqindje (%) sigurisht që mund të përkthehet lehtësisht në sipërfaqe për m2thjesht duke kryer një veprim të thjeshtë matematikor. Për më tepër, sipërfaqet e përbashkëta janë të mirëpërcaktuara në aktin e kolaudimit dhe në projektin arkitektonik, të cilin punonjësit dhe regjistruesi i ZVRPP-ve duhet ta kontrollojë me detaje përpara vijimit me regjistrimet përkatëse.

Së dyti, pretendimi i këtyre punonjësve se nuk është kompetenca e ZVRPP-së vjelja e taksës së kalimit të pronësisë për sipërfaqet e ndërtimit por kompetencë e bashkive, kjo është totalisht e pabazë për shkak se në nenin 28, pika 4 e ligjit nr. 9632, datë 30.10.1996 “Për Sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar, citohet se “Vjelja e taksës mbi kalimin e të drejtës së pronësisë për ndërtesat bëhet nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme”.

Në vazhdim, në këtë debat tekniko-ligjor, KLSH ka këmbëngulur sipas kësaj fryme të shpjeguar më lart se është detyra e ZVRPP-ve që në përputhje me ligjin nr. 33/2012, datë 21.3.2012 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, i ndryshuar, pika 2, të kryejnë regjistrimin e detyrueshëm të sipërfaqeve të përbashkëta (sipërfaqe ndërtimi) sipas nenit 50, “Regjistrimi i mjediseve të përbashkëta në ndërtesa”. Pra nga mosveprimi në përputhje me kuadrin ligjor është shmangur edhe pagimi i taksës së kalimit të pronësisë për këto sipërfaqe sipas nenit 28 të ligjit nr. 9632, datë 30.10.1996 “Për Sistemin e taksave vendore”, i ndryshuar.

*Kryeauditues në KLSH

*Auditues i lartë në KLSH

Shkruar Nga
More from Redaksia

Turqia në prag të zgjedhjeve

Turqia shkon në votime këtë të dielë dhe Presidenti Recep Tayyip Erdogan...
Read More