Si po ndërhyhet në treg për të forcuar Euron

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, njoftoi dje me anë të një konference për shtyp se Banka e Shqipërisë do të ndërhyjë në tregun valutor, duke blerë valutë. Ky është një veprim i jashtëzakonshëm që synon të ndalojë rënien e lirë të monedhës së përbashkët europiane, euro. Po ashtu Guvernatori Sejko njoftoi edhe uljen e normës bazë të interesit në 1 për qind

Banka e Shqipërisë pas rënies drastike të euros në raport me lekun ka vendosur të ndërhyjë në tregun valutor. Lajmin e bëri të ditur Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një konferencë për shtyp, ku njoftoi se operacionet e blerjes së valutës do të zgjasin deri kur të arrihen objektivat e deritanishëm. “Ky është një rast i veçantë i ndërmarrë në rrethana specifike, tha guvernatori, që po bëhet në mënyrë që të frenohet përshpejtimi i rënies së euros, që në muajin maj ka dalë përtej parametrave”. Si rrjedhojë Këshilli Mbikëqyrës mori një vendim të tillë për të ndërhyrë në treg. Një tjetër vendim i bankës është ulja e normës bazë me 0.25 pikë përqindje në 1%. Tregu ka patur një rritje të sasisë së euros, që ka qenë konstante që nga viti 2015. Mbiçmimi nuk ka ardhur vetëm për shkak të sasisë së euro, por edhe si rrjedhojë e rritjes së pritshmërisë së agjentëve për një mbiçmim të kursit, që ka dalë jashtë parametrave normalë të regjimit të kursit të këmbimit dhe na ka detyruar të ndërhyjmë në treg, tha guvernatori. Guvernatori tha se leku po forcohet nga oferta për valutë dhe nga konvertimi i kapitalit të bankave. Në Shqipëri do të vazhdojë të jetë regjimi i lirë i kursit këmbimit, por BSH ka të drejtën e saj për të rregulluar parametrat e tregut, përfundoi guvernatori.

Deklarimet e Guvernatorit

Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se përcjellja e forcimit të kursit të këmbimit në çmimet e konsumit e frenon shpejtësinë e kthimit të inflacionit në objektiv. Gjithashtu, edhe pse në mungesë të ndryshimit të faktorëve fondamentalë, pritjet e njëanshme afatshkurtra mbi kahun forcues të kursit të këmbimit rrezikojnë të shndërrohen në pritje të qëndrueshme dhe afatgjata. Konsolidimi i këtyre pritjeve dhe krijimi i dimensionit vetëpërmbushës të tyre, mund të krijojnë një rreth vicioz me ndikim të dëmshëm në inflacion dhe në treguesit e tjerë ekonomikë. Duke gjykuar mbi sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi si të nevojshëm lehtësimin e mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare. Ky vlerësim është në konsistencë të plotë me vlerësimet dhe komunikimet tona paraardhëse. Në këto rrethana, Këshilli Mbikëqyrës vendosi: Të ulë me 0.25 pikë përqindjeje normën bazë të interesit, duke e zbritur atë në nivelin 1.00%; Të ulë me 0.15 pikë përqindjeje normën e interesit të depozitës njëditore, duke e zbritur atë në nivelin 0.10%; Të ulë me 0.35 pikë përqindjeje normën e interesit të kredisë njëditore, duke e zbritur atë në nivelin 1.90%. Këshilli Mbikëqyrës vendosi ndërmarrjen e operacioneve të blerjeve të valutës në tregun e brendshëm valutor. Këto operacione do të ndërmerren në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullativ. Operacionet e blerjes së valutës do të synojnë eliminimin e tepricës së përkohshme të valutës në treg dhe frenimin e forcimit të mëtejshëm të kursit të këmbimit, forcim i cili do të dëmtonte përmbushjen e objektivit tonë për stabilitetin e çmimeve. Në këtë mënyrë, operacionet do t’i shërbejnë plotësimit dhe përforcimit të stimulit monetar, të transmetuar nëpërmjet uljes së normës bazë të interesit. Gjithashtu, ato do të ndihmojnë tregun për të gjetur çmimin e drejtë të këmbimit të lekut kundrejt valutave, në linjë me raportet e qëndrueshme dhe afatgjata të kërkesës dhe ofertës për të. Operacionet e blerjes së valutës do të ruajnë kohëzgjatjen e nevojshme dhe të mjaftueshme për përmbushjen e objektivave tanë. Së fundi, Këshilli Mbikëqyrës gjen me vend të theksojë se kursi i këmbimit në Shqipëri ka qenë, është dhe do të jetë një kurs i lirë, i cili përcaktohet nga raportet e kërkesës dhe ofertës në tregun valutor. Për këtë arsye, ftojmë dhe një herë të gjithë operatorët e ekonomisë dhe të tregjeve financiare të shmangin ekspozimet e pastudiuara, të pambrojtura dhe të padëshiruara në valutë. Përdorimi i operacioneve valutore është dhe do të mbetet një rast i veçantë, i ndërmarrë në rrethanat specifike të nevojës për reagim të politikës monetare dhe të ngushtimit të hapësirës së veprimit të instrumenteve të saj tradicionalë.

Reagimi i tregut

Forcimi i euros ka nisur që dje. Monedha e përbashkët është rritur në tregun e brendshëm, pas më shumë se tre javësh që kishte shënuar rënie të fortë. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye dje me 124.42 lekë, me një rritje relativisht të fortë prej 0.25 lekësh në krahasim me ditën e mëparshme. Që nga data 18 maj dhe deri në 5 qershor, kur euro vetëm ka rënë në tregun e brendshëm, monedha e përbashkët kishte humbur 3.15 lekë. Që nga fillimi i vitit, euro ka rënë me rreth 9 lekë, ose 6.9%, duke shënuar një nga zhvlerësimet më të mëdha të dekadës. Aktorët kryesorë në tregun e këmbimit valutor pohuan se Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në treg duke tërhequr valutën e tepërt në tregut. Ekspertët argumentojnë që kur këmbimi valutor po lëviz vetëm në një krah, dhe tregtia nuk është reale (duke qenë se individët ose tregtarët stepen për të kryer transaksionin për të pritur nivelin më të ulët të këmbimit), Banka e Shqipërisë ndërhyn për të stabilizuar tregun. Pas ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë mbetet për t’u parë se si do të reagojë tregu, ndërkohë që efektet sezonale do të vijojnë, ku ndikimin kryesor pritet ta japin turistët. Banka e Shqipërisë ka një kalendar të paracaktuar vjetor, në bazë të të cilit blen valutë, me synim plotësimin e nevojave të veta për rritjen e rezervës valutore. Përgjithësisht planifikohen 6-7 ndërhyrje në vit, të shtrira në kohë, ku banka blen midis 3 dhe 8 milionë euro, por rreth 50 milionë euro në vit.

Thirrjet e ekspertëve

Ekspertët më të njohur të ekonomisë, Adrian Civici, Selami Xhepa, Zef Preçi e të tjerë prej javësh kishin lëshuar thirrjen publike që Banka e Shqipërisë të ndërhynte sa më parë. Në analizat e tyre ata theksonin se sasia e parasë gjithsej që qarkullon në ekonomi ka shënuar rënie historike gjatë këtij viti. “Kjo tendencë, ka ardhur pavarësisht se Banka e Shqipërisë ka ndjekur një politikë lehtësuese monetare që nga mesi i vitit 2011, përmes uljes së normës bazë të interesit, që aktualisht është në nivelet minimale historike prej 1.25%, nga 5.25% në shtator 2011. Teorikisht, ulja e interesave duhet të kishte gjeneruar më shumë investime dhe vënë më shumë para në duart e konsumatorëve, duke nxitur në këtë mënyrë shpenzimet dhe rritjen e parasë në qarkullim”, theksonin ata. Në mënyrë paradoksale, paraja gjithsej në ekonomi po vjen në ulje. Teoritë ekonomike pohojnë se ngadalësimi në ofertën e parasë reflekton natyrën e ndrydhur të ekonomisë dhe rënien në investime. Rritja e dobët e ofertës së parasë në ekonomi, sipas ekspertëve, është shqetësuese, pasi tregon për një ngadalësim të aktivitetit ekonomik në vend, që nuk po arrin të nxitet nga politika tejet lehtësuese monetare e Bankës së Shqipërisë, që duket se e vetme nuk po mjafton për t’iu dhënë një dorë bizneseve e konsumatorëve.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

PS 140 mln kompanisë së Trump, PD 120 mln lekë lobim për “çadrën”

PS ka arritur të shpenzojë plot 1 miliard lekë në fushatë, rreth...
Read More