Sikur Bibliotekë Kombëtare të bëhej Kryeministria!…

(Në vend të fejtonit) – Nga Ndue Dedaj

Pse jo? Aq më tepër që qeveria ka kohë që e ka “braktisur” selinë e saj dhe mbledhjet po i bën në terren, sa në një qark në tjetrin. Fundja qeveritë venë e vijnë, kurse trashëgimia kombëtare e shqiptarëve mbetet e pandryshueshme, në këtë rast ajo e librit. Pa thënë tjetrën, se e gjithë bota “qan” dhe sot e kësaj dite fatin e bibliotekës së Aleksandrisë dhe askush nuk e di se sa seli qeveritare mund të jenë djegur a përmbytur përgjatë historisë. Do të kishte disa të mira një “metamorfozë” e tillë. E para do të ruheshin librat, nuk do të lageshin më 13 metra nën tokë, si të ishin në pusin e ndonjë miniere, as do t’i zinte zjarri, siç ka ndodhur në mars të vitit të kaluar, kur u desh ndërhyrja e zjarrfikësve dhe një polic u dëmtua gjatë punës për shuarjen e flakëve të librave. Do të shtohej lexueshmëria nga komoditeti i sallave etj., publiku do ta vlerësonte qeverinë që shtëpinë e saj e lëshon për librin, e jo siç ka ndodhur deri më tani, ku qeveritë kanë “grabitur” godinat e shkrimtarëve dhe artistëve, kineastëve etj., dhe i kanë bërë ministri e parukeri. Qeveria si zonjë shtëpie ka barrën me strehue njëherë entet e tjera shtetërore-kulturore dhe pastaj veten. Sipas drejtoreshës së këtij institucioni, zonjës Persida Asllani, Biblioteka Kombëtare është jashtë çdo standardi dhe është emergjente ndërtimi i godinës së re, për çka ajo ia adreson thirrjen e saj këshillit bashkiak të Tiranës.

Ujë që i hyri nën rrogoz tempullit qendror të librit zbuloi se ky paskësh qenë problemi numër një sa u përket godinave të institucioneve kulturore të Tiranës dhe jo Teatrit Kombëtar. Intelektualë të fushës së librit, përkthimit, mediave e të tjerë kanë dalë me propozimin konkret që “Piramida” të kthehet në Bibliotekë Kombëtare, por deri tani, sa dimë, qeveria dhe bashkia e Tiranës kanë bërë shurdhin. Ashtu siç Kryeministri ka marrë bibliotekën albanologjike të studiuesit të ndjerë Ardian Klosi dhe e ka çuar në Kryeministri, le të tregojë vullnetin e mirë për të zgjidhur një orë e më parë problemin e mjediseve të reja të Bibliotekës Kombëtare. Librat nuk mbijetojnë nëse lagen përsëri, që pastaj të thahen me tharëse flokësh dhe me rrezet e diellit nga dritaret. Është një pamje jo pak komike, që mund të imagjinohet vetëm në raste tërmetesh, që i qesin ujin e zi tokës. (Kjo s’ka lidhje me personelin e përkushtuar të Bibliotekës që bën të pamundurën për t’i pakësuar dëmtimet). Deri tash e kemi ditur se kemi problem përmbytjet në fushat e Lezhës e Shkodrës, Fierit e Vlorës, po jo se nuk mund të shpëtojmë librat e shekujve në mes të Tiranës, në sheshin “Skënderbej”, ato fletë të zverdhura nga motet, që janë identiteti ynë i pabjerrë. Na rrofshin pllakat e reja dhe shatërvanët te sheshi, kur nuk ruajmë pa na u lagur librat dhe dorëshkrimet e vjetra, që nuk u zhdukën as nga hordhitë pushtuese. E ndoshta ky nuk është i vetmi problem në fushën e trashëgimisë. Kohët e fundit është parë se dhe visari arkeologjik po “kalbet” në kushte të papërshtatshme dhe nuk ka një qendër për të qenë që ta vizitojë publiku dhe turistët që aq shumë i kemi për zemër, që të parën gjë iu tregojmë malet e ujëvarat, pasi kalatë i kemi të rrënuara. Në sytë e publikut thesari arkeologjik jo vetëm do të fitonte më shumë vlera ekspozuese, por do të shtohej kujdesi, mirëmbajtja e restaurimi i objekteve shpesh unikale. Për institucione publike që lidhen me arkivat, muzetë, teatrin, filmin, librin, artet pamore etj., nuk duhet të hyjnë në llogari kullat shumëkatëshe që në vetvete janë biznes, pavarësisht partneritetit publik-privat. Përparësia është gjithmonë e këtyre, pasi kanë të bëjnë me edukimin, shkencën, kulturën dhe kujtesën e një kombi. Të gjithë i thonë këto, por për vendimmarrësit kjo është një retorikë dhe aq. Sepse po të ishte ndryshe, nuk do të mbërrinte puna gjer te vënia në pikëpyetje e ekzistencës së Bibliotekës Kombëtare, maja e piramidës së librit në vend, në një kohë kur cunami i tranzicionit ka rrafshuar bibliotekat e libraritë nga njëri skaj i republikës në tjetrin. Kosova, në rrethanat e privimit të kombësisë, e ka ndërtuar Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë me simbolikën autoktone të plisit të bardhë dhe e ka pagëzuar me një emër të shquar kombëtar, atë të Pjetër Bogdanit. Pa harruar veprën e pashoqe në funksion të librit shqip të elitës krijuese rilindase në Rumani, Turqi, Amerikë, Itali, Greqi nga gjysma e dytë e shekullit XIX e deri më sot, kur nuk rreshtin shoqëritë botuese e promovuese të librit, shtypit dhe kulturës shqiptare në Itali, Zvicër, Gjermani, Angli, Nju Jork, Detroit etj.

Sikur godina e Kryeministrisë të ndodhte mrekullia e të kthehej në Bibliotekë Kombëtare, qeveria do të shpëtonte dhe nga “kokëçarjet” tash e parë të opozitës dhe protestuesve nga shoqëria civile, të paktën deri sa të kishte gjetur një seli të re për veten. Pa do të jepej dhe mesazhi për bashkitë që të krijojnë një tjetër marrëdhënie me bibliotekat, libraritë, kioskat e gazetave, që ose mungojnë nëpër qytete ose janë për t’u qarë hallin nga ana estetike etj. Por nëse qeveria e ka të pamundur, qoftë dhe për forcë zakoni, të lëshojë shtëpinë e saj për librin, fundja këtë ta bëjë Kuvendi i Shqipërisë, si më “popullor” që është. Me ç’rast atje nuk do të kishte më njerëz të sherrnajës së përditshme politike, që kinse luftojnë për ta futur Shqipërinë në BE, por lexues të devotshëm, studentë, pedagogë, shkrimtarë, gazetarë, studiues etj. Ata janë aty për të bërë ligje edhe për themelet e Teatrit Kombëtar, Bibliotekës Kombëtare, Muzeut Kombëtar, Bankës Kombëtare, akademive dhe universiteteve kombëtare, parqeve kombëtare dhe çdo gjëje tjetër me këtë epitet. Është në detyrimin e qeverisë që në epokën digjitale, kur është goditur aq rëndë leximi dhe të lexuarit, të mos jetë të paktën i rrezikuar fizikisht libri, pasi një ditë kur të pushojë internetomania marramendëse njerëzit do t’iu drejtohen sallave të leximit për të marrë kulturë të vërtetë e jo të belbët.

Përtej batutës tonë fejtonike, për kinse kthimin e Kryeministrisë në Bibliotekë Kombëtare, zgjidhjen e kanë dhënë të tjerët – PIRAMIDA, që ka mbetur pezull tash kaq vite, le të kthehet në Bibliotekë Kombëtare!

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Forumet UET, Eduard Selami: Portreti i Bashës sipas meje, pse politikanët shqiptarë s’e duan Perëndimin

I ftuar në një bashkëbisedim në Universitetin Europian të Tiranës, nën moderimin...
Read More