Silvi Zhamo: Transferova studimet nga Universiteti i Tiranës drejt UET sepse mungesa e meritokracisë në shtet më pengonte të arrija objektivat e mi

Silvi Zhamo sapo ka përfunduar studimet e saj në Universitetin Europian të Tiranës në degën Administrim Biznesi dhe është një ndër studentët që është bërë pjesë e këtij universiteti me anë të procedurës së transferimit të studimeve.

Vendimin për të zgjedhur UET, Silvi e mori dy vite më parë, kur e pa të arsyeshme të transferonte studimet e saj nga universiteti shtetëror në këtë institucion.

Ashtu si çdo i ri i cili ka një pasion dhe prirje, edhe Silvi të ardhmen e saj e shihte në degën që dëshironte më së shumti, Administrim Biznes. Si një nxënëse me rezultate të larta në mësime, kjo preferencë e saj e parë u fitua pa ndonjë vështirësi. U regjistrua në Fakultetin Ekonomik për këtë degë optimiste dhe me plot dëshirë për të studiuar.

Megjithatë shpejt e gjeti veten në pendesë për vendimin që kishte marrë.

“Gjatë vitit të parë nuk jam ndjerë ashtu siç shpresoja në universitetin që kisha zgjedhur. Unë kisha dalë me një mesatare shumë të lartë nga gjimnazi dhe kur vajta aty u përballa me atë realitetin e hidhur që pavarësisht se ti mund të mësoje dhe të përkushtoheshe, nuk arrije rezultatet që doje të arrije. Për më tepër, duke qenë se nuk gjeta as ambientin e duhur që të ishte miqësor, social, si me pedagogët, studentët dhe me pjesën e administratës, e mendova më mirë që të largohesha për të siguruar diçka më të mirë për të ardhmen time, për studimet e mia”, tregon Silvi në lidhje me momentin kur vendosi të transferojë studimet e saj në një universitet tjetër.

Ajo tregon se në kohën kur i duhej të merrte një vendim, institucioni i lartë arsimor që përmbushte më së miri objektivat dhe ambiciet e saj ishte UET.

“Kisha dëgjuar nga të afërm dhe miq të mi të flisnin shumë pozitivisht për UET. Se si ai ishte një universitet shumë i mirë, si për pjesën e studimeve ashtu edhe për jetën studentore, ambientet etj. Kështu mendova përse jo, ta provoj njëherë”, tregon Silvi.

Kështu Silvi, me anë të procedurave të transferimit të studimeve, u bë studente e Universitetit Europian të Tiranës.

“Pasi mora vendimin e transferimit të studimeve u interesova për procedurat. Pyeta se si funksiononte ky proces pastaj tërhoqa të gjitha dokumentet nga Fakulteti Ekonomik, i dorëzova në UET dhe nisa vitin tim të dytë të studimeve si pjesë e këtij universiteti. Procedura e transferimit të studimeve mund të them se ishte mjaft e kuptueshme dhe e thjeshtë për t’u realizuar ndaj në këtë aspekt nuk kam pasur probleme”.

Tashmë që ka përfunduar studimet e saj ajo ndan me gazetën MAPO përshtypjet në lidhje me dy vite përkushtim dhe punë studimore të cilat i ka investuar në UET.

“Unë Administrim Biznesin e kam pasur dëshirë ta vazhdoja si degë që kur dola nga gjimnazi dhe kjo ishte zgjedhja ime e parë, dhe kur erdha në UET pashë që kishte shumë lëndë të cilat as nuk e dija që ekzistonin dhe që aplikoheshin këtu. Duke qenë se kishte gjithë këto lëndë interesante dhe gjithëpërfshirëse, jo vetëm nga pjesa e ekonomikut, më pëlqeu akoma dhe më shumë dhe më tërhoqi akoma dhe më shumë. Pastaj e gjithë pjesa tjetër ekonomike më ka pëlqyer dhe e kam gjetur veten tamam ashtu siç e prisja në mendjen time”, thotë ajo.

Silvi është tanimë jo vetëm ALUMNI në UET por edhe pjesë e stafit të këtij universiteti.

“Kur erdha në vit të dytë u interesova te panairi i punës që UET organizon çdo vit, mirëpo duke qenë se më penalizonte pak pjesa e vitit të dytë dhe fakti se kisha pak ngarkesë meqenëse vija me transferim, vendosa që t’i përkushtohesha vetëm shkollës. Pastaj vitin e tretë të ciklit Bachelor pashë mundësitë që ofroheshin nga UET, të gjitha email-et me lajmërime dhe u bëra pjesë e një internshipi pranë zyrës së UET ALUMNI. Kur u bëra pjesë e internshipit të zyrës së UET ALUMNI u futa akoma edhe më në brendësi si funksiononte jeta studentore. Me klubet, me qeverinë studentore me eventet që bënin, java filantropike, mbledhjet etj. Sot jam pjesë e stafit, si Përfaqësuese e British Council për UET”.

Rifillimi i studimeve të saj në një tjetër universitet rezultoi më se frytdhënës për Silvin. Falë mundësisë fillestare që internshipi në UET ALUMNI i dha për të treguar vlerat e saj, ajo e gjeti veten me mundësi të shumta për të qenë aktive në tregun e punës.

“Pozicioni i ri i punës erdhi ‘falë’ UET. Duke qenë se u bëra pjesë e zyrës së ALUMNI-t pata rastin ta shfaq veten time, që jam e përkushtuar, që punoj, studente e mirë me rezultate të larta, dhe përgjatë kësaj kohe i ‘gjurmoja’ pak këto mundësitë që ofroheshin, për të siguruar diçka më shumë dhe momenti që m’u ofrua për herë të parë ky pozicion pune nga UET e pranova sigurisht me shumë kënaqësi”, shprehet Silvi, tashmë në pozicionin e përfaqësueses së British Council për UET.

Ajo pranon se vendimi i marrë në kohën e duhur pati shumë ndikim në jetën e saj dhe se meritokracinë aq të kërkuar e gjeti më në fund në mundësinë e dytë që i dha vetes.

“Di të them që shteti në krahasim me privatin ka shumë ndryshim. Të paktën në UET ti e gjen veten tamam dhe vlerësohesh vërtet për atë që je, të hapen shumë dyer të cilat nuk hapen në shtet, pasi gjërat atje funksionojnë tërësisht ndryshe. UET-i të ofron gjatë gjithë kohës mundësi, qoftë internshipet apo edhe të jesh pjesë e jetës studentore është gjë shumë e mirë, që të përfshihesh dhe aftësohesh tamam për të ardhmen tënde. Unë kur erdha në fillim në UET as që e mendoja që do filloja punë, mirëpo ja ku jam tani dhe është një mundësi që nuk duhet humbur nga askush. Për më tepër maturantët që vijnë me mesatare të lartë, që mund të jenë përfitues të bursës së Ekselencës, pjesë e Rrjetit të Ekselencës etj., ndër të tjera kanë akoma më shumë mundësi se pjesa tjetër e studentëve. Për ekselentët në veçanti dyert janë të hapura si nga UET ashtu edhe nga biznese të ndryshme të cilat do të donin t’i kishin pjesë të stafit të tyre”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Monarkia mbush 90 vjeç, Princi Leka: Gati t’i shërbejmë edhe më tej Shqipërisë

90 vjet më parë, më 1 shtator të vitit 1928, një Asamble...
Read More