Skënderbeu dhe Arbëria e epokës së tij

Nga Eugjen Merlika

Viti 2018, si vit jubilar i historisë sonë, ose më saktë, i pjesës më të ndritur të saj, që 550 vite më parë, më 17 janar 1468, me kalimin n’amshim të Gjergj Kastriotit, do të mbyllte një epokë, na kthen vëmendjen n’atë periudhë historike që për shqiptarët, në saje të fuqisë marramendëse të ngjarjeve dhe rëndësisë kontinentale të përfundimit të tyre, mbeti në kujtesën e kombit si “shekulli i madh”, “koha e Arbërit”, dhe u bë burimi më i kthjelltë i frymëzimit për shekujt pasardhës. Shekujt, në rrjedhën e tyre të natës së tejzgjatur të pushtimit osman, i ruajtën në kujtesë ngjarjet e asaj epoke, duke i pasuruar me elementë të legjendës e duke i mbuluar me një vello të ndritshme përfytyrese, në të cilën mbizotëronin ngjyrat e ndezura të periudhës “zulmëmadhe”. Ishte kjo mënyrë paraqitjeje një domosdoshmëri për Shqipërinë e dy shekujve të fundit, për të patur një pikë mbështetjeje e frymëzimi, që do të shërbente si material lidhës i veçorive të ndryshme të botës shqipfolëse, në kuadrin e kërkesave madhore që shtronte koha në drejtim të vetëdijesimit kombëtar e të shtetformimit. Por sot, mbas 550 vitesh të ndërrimit jetë të kryeluftëtarit, mbas 140 vitesh të fillimit të ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit, përballimit të parë të madh të ndërgjegjësimit kombëtar të shqiptarëve me Evropën mosmirënjohëse kundrejt flijimit të tyre për të mbrojtur krishterimin evropian katër shekuj më parë, mbas më shumë se njëqindvjetori të krijimit të shtetit të cunguar e të pavarur, mendoj se bëhet i domosdoshëm një rishikim objektiv i historisë së vërtetë t’asaj periudhe. Këtë kërkesë e ka vënë në dukje At Athanas Gegaj, në studimin e tij, si tezë diplome në vitin 1936, kur shprehet :

“Për t’u ruajtur nga ekzagjerimet e këtyre kronikanëve dhe për të gjykuar më drejt mbi pohimet, shpesh kontradiktore të historianëve të kohës, kemi bërë kërkime në burimet arkivore, pjesa më e madhe e të cilave janë të botuara. Besojmë që kjo analizë ka lejuar të nxjerrim mjaft gabime detajesh dhe shumë gjykime të gabuara ose të pasakta”. Mendoj se detyrë e historianëve është të ndajnë të vërtetën historike nga elementët e folklorit apo legjendës, në mënyrë që shqiptarët, për pjesën më të rëndësishme të së shkuarës së tyre, të kenë një tablo të qartë, të vërtetë, të përcaktuar saktë në përbërësit e tij kryesorë.

Më duket se një nga elementet më të rëndësishme të historisë së Gjergj Kastriotit, është përcaktimi i saktë i moshës në të cilën ai braktisi familjen dhe shkoi në oborrin e sulltanëve otomanë, për të cilën historiografia na jep disa variante. Gjithë këta variante, në lidhje me një ngjarje të shënuar të jetës së Skënderbeut, janë dëshmi e një amullie shqetësuese në studimin e historisë së tij e nxjerrin para studiuesve të sotëm një detyrim, për sa i përket përcaktimit të së vërtetës s’atij episodi shumë të rëndësishëm të jetës së personazhit. Arsyetimi logjik i pasojave t’atij episodi është i lidhur me të gjithë ecurinë e historisë së tij, mbasi nëse ka shkuar fëmijë shpjegon përgatitjen e tij të gjithanshme si një ndër personalitetet më të spikatur të kohës së tij, por nëse ka shkuar i madh është i kuptueshëm motivi i brendshëm i tij në sendërtimin e epopesë më të lavdishme të popullit të tij.

Historiografia zyrtare e akademike e 70 viteve të fundit e ka trajtuar epopenë e luftërave të Skënderbeut si një çast kulminant të shpalosjes së vlerave të entitetit kombëtar arbëror. Po të lexojmë historianët e vjetër, por edhe të shekullit të shkuar, në një pjesë të mirë të tyre, nxirret në pah faktori fetar si më kryesori në veprimtarinë e Skënderbeut si prijës populli, si udhëheqës ushtarak e si burrë shteti. Mund të jetë bindës apo jo, i ligjëruar apo jo, pozitiv apo jo, varet nga këndvështrimi dhe mendësia në të cilën analizohet dukuria. Por nuk mund të anashkalohet dhe, aq më pak të mohohet, duke u zëvendësuar nga ai kombëtar. Mund të diskutohet gjatë mbi të gjithë vështrimet apo dritëhijet e asaj epoke madhështore të historisë sonë, por nuk mund të mohohet thelbi i saj. Një sintezë e shkurtër e gjithë asaj epopeje gjendet në një fragment të veprës së Mustafa Krujës, “Historia e Skënderbeut”, marrë nga libri “Shkrime historike”, faqe 358:

“Por fuqít e Sulltanit rridhshin pajadamë prej burimesh të pashterrueshme të nji perëndorije qi përfshinte anembanë Dardanelavet gjithë Anadollin e krejt gjysishullin ballkanik gjatë Danubit e Savës mbë nji anë, dhe Egjeut, Jonit e Adrijatikut në tjetrën, përveç nji ishulli të vogël Shqiptarësh nën nji prinjës qi kishte damë me u bâmë flí e krishtjanizmës me gjithë popullin e vet”.

Ai popull stoik e zemërmadh, edhe n’ata kushte ankthi e pasigurie, e ndoqi prijësin me një durim e forcë vullneti për t’u admiruar, i blatoi atij gjithçka e nuk shfaqi kurrë shenja pakënaqësie e kundërshtie, edhe se fuqitë vinin duke u pakësuar, edhe se lotët ishin shterur në sytë e grave arbëreshe, atyre heroinave të heshtura, mbi të cilat rëndonin të gjitha pasojat e lavdisë së shekullit të madh. Kujtesa historike do të ishte shumë e mangët, nëse nuk do t’u jepte atyre piedestalin e merituar në altarin e vlerave të kombit, ashtu sikurse dhe stërmbesave të tyre në gjysmë shekullin e terrorit komunist.

Në gjyqin e ftohtë të historisë arbërit dhe prijësi i tyre shkuan ballëlartë, sepse kishin kryer detyrën e tyre kundrejt qytetërimit të cilit i përkisnin. Ai qytetërim mbeti i detyruar kundrejt atij populli, për shekuj të tërë harrese e shkujdesjeje kundrejt fatit të tij. Madje edhe kur, mbas gati pesë shekujsh lëngimi, ai popull deshi të dilte nga errësira e të kishte shtetin e tij, përfaqësuesit e atij qytetërimi e njohën atë të cunguar, duke u bërë përgjegjës për një tjetër akt të tragjedisë shqiptare.

Ndonjë prirje historiografike për ta paraqitur atë epokë si ajo e shtetit të bashkuar apo, për më tepër, e një vetëdijesimi kombëtar, nuk i përgjigjet së vërtetës. Arbëria, edhe me Skënderbeun, mbeti një trevë e përçarë në zotërinj të mëdhenj e të vegjël, pa marrë as shembëlltyrën dhe as ndërgjegjen e kombit, që ishte atëherë një koncept i panjohur jo vetëm për të, por për pjesën më të madhe t’Evropës. Nuk kishte kohë më të përshtatshme për të nxitur bashkimin e arbërve në një shtet të vetëm por, fatkeqësisht në shumicën dërmuese, princat arbër, pasardhës të ish mbretërve ilirë, nuk patën as largpamësinë për të kuptuar situatat dhe as vullnetin për të bashkuar forcat.

Skënderbeu u ballafaqua në vite me tekat e pafund të aleatëve, me ftohjen, me marrëveshjet me Venedikun apo turqit kundër tij, me tradhtitë madje edhe brenda familjes, me kushtëzime të shpeshta, me shpërfillje kundrejt luftës së tij. Pati në krahun e tij oficerët e shtabit të tij, me në krye Vrana Kontin e Tanush Topinë, mbrojtësit legjendarë të rrethimeve të Krujës, por njohu dhe tradhtitë e Moisiut, të Hamza Kastriotit, të Gjergj e Gojko Stres Balshës, në çastet më të vështira të luftës, mbas humbjesh tepër të rënda si Berati apo Sfetigradi. Pati dashurinë e mbështetjen, deri në flijim, të popullit arbër, por këto nuk qenë të mjaftueshme për të vënë themelin e asaj Arbërie të bashkuar e të lirë.

Për ne, shqiptarët, ai mbeti fari drejtues që na priu idealisht në këtë gjysmë mijëvjeçari, të ngarkuar me re të dendura e të zeza pushtimesh të huaja e lufte të gjatë me vetveten. U munduam të njëjtësohemi me emrin e tij, edhe se shpesh nuk i sendërtuam mësimet e porositë e tij. Megjithatë ai mbeti një simbol, ai i qenies sonë, i ëndrrave tona, i aspiratave tona shekullore. Ai na la një pasuri të pamatshme, përkatësinë, jo vetëm gjeografike, në kontinentin evropian, ndihmesën tonë, si popull, në historinë e mbrojtjes së vlerave qytetëruese t’atij kontinenti, krenarinë e të flijuarit për ato vlera. Na takon ne sot, me qëndrimin tonë, me dëshirën për t’u përmirësuar e për të ecur përpara në rrugën e qytetërimit si një trup i vetëm, të tregohemi trashëgimtarë të denjë të emrit dhe veprës së tij madhore.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Poeteka në Eurozinë: Për letërsinë e re shqiptare dhe disidencën

“Eurozinë”, një nga rrjetet më të rëndësishme të revistave kulturore të kontinentit...
Read More