Studentët e UET njihen me bursën e parë private në Shqipëri

Departamenti i Financës dhe Ekonomiksit zhvilloi një leksion të hapur mbi prezantimin e bursës së parë private në Shqipëri “Bursa Shqiptare e Titujve ALSE”, ku i ftuar ishte drejtori ekzekutiv z. Artan Gjergji, i cili të gjitha studimet e tij i ka në këtë fushë. Studentët e fakultetit ekonomik u njohën më nga afër mbi funksionim e këtij institucioni dhe fushës së bursës në Shqipëri. Artan Gjergji u shpreh para auditorit se punonjësit që paguhen më shumë në sektorin e bursave janë pikërisht ata që kanë përfunduar informatikë. “Janë pikërisht këta persona që përfundojnë në këto profile studime që kryejnë algoritmet, kalkulimet që kalkulojnë shifrat që ne interpretojmë pastaj dhe marrim pozicionin për të blerë apo për të shitur tituj. Në këtë mënyrë të jeni të bindur se një broker paguhet sot më pak se një informaticien në tregjet financiare.

Duke folur për mënyrën se si u arrit deri në konkludimin e plotë të krijimit të bursës së parë private Artan Gjergji ndër të tjera shtoi se për të zhvilluar këtë projekt duhej konsultim me institucione financiare dhe shumë ekspertë të fushës:

“Bursa Shqiptare e Titujve ALSE sh.a. nisi në vitin 2014 si një projekt ambicioz me mbështetjen e Bankës Credins, me një ekip ekspertësh të specializuar në letrat me vlerë dhe tregjet e kapitalit, me qëllim krijimin e një platforme elektronike tregtimi në pronësi private, që do të bëjë të mundur përputhjen e ofertës dhe kërkesës për letra me vlerë në Shqipëri.

Kjo platformë elektronike do të mbushte mungesën e tregut të organizuar (bursës), ku biznesi vendas mund të rritë kapitalin në mënyrë alternative nga sektori bankar. Projekti u lobua te palët e interesuara (institucione financiare brenda e jashtë vendit) me qëllim sigurimin e mbështetjes financiare. Më pas u kalua te studimi i tregut, identifikimi i sistemeve elektronike të tregtimit, përgatitja e rregulloreve dhe dosjes së licencës pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Duke parë potencialin e lartë të zhvillimit të këtij projekti si dhe kushtet e favorshme për zhvillimin e tregut vendas të kapitaleve, në vitin 2016 kësaj iniciative iu shtuan edhe dy institucione të tjera financiare: AK Invest dhe Banka Amerikane e Investimeve”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

100 shqiptarët më popullorë online

Studimi i Departamentit të Komunikimit të UET bën klasifikimin e 100 personave...
Read More