Suksesi apo dështimi për hapjen e negociatave është i qeverisë

Nga Ervis Iljazaj

Ditët e fundit po zhvillohet një betejë politike me vendimin për hapjen e negociatave që pritet të marrë Shqipëria. Sa më shumë afrohet dita, aq më shumë ndihet dhe tensioni politik këtu te ne, si në opozitë, po ashtu edhe nga ana e mazhorancës. Sepse, është e qartë se, ngjarja më e rëndësishme që pritet për politikën shqiptare është ky vendim. Jo vetëm për politikën e jashtme të saj, por edhe për atë të brendshme. Duke qenë se integrimi europian është një nga gjërat më të dëshiruara për shoqërinë shqiptare, atëherë, politika ka luajtur shpesh më këtë proces për ta përdorur si fushë betejë.

Në fakt, edhe ditët e fundit ka një retorikë politike për të akuzuar në mënyrë të ndërsjellë në rast dështimi. Opozita akuzon qeverinë se me skandalet që i kanë plasur asaj, është e pamundur të hapen negociatat, ndërsa mazhoranca akuzon këtë të fundit për përpjekje për të bllokuar negociatat duke rritur konfliktualitetin politik.

Pyetja që ngrihet në këtë rast është se, a mundet që një opozitë të bllokojë hapjen e negociatave në këtë moment?

Për të qenë të sinqertë deri në fund, duke njohur realitetin politik shqiptar, opozita edhe mund ta tentojë një gjë të tillë. Duke qenë se marrja e negociatave do të kapitalizohej nga mazhoranca, atëherë, opozita sot, por edhe ajo e djeshmja, nuk është për t’u fshehur që shpeshherë janë bërë pengesë për këtë proces.

Por, praktikisht dhe teknikisht marrja e negociatave varet më së shumti nga puna e qeverisë. Sado konflikte politike të krijojë opozita, përtej rasteve kur kërkohen reformat e përbashkëta, në fund të fundit, ajo që vlerësohet nga Bashkimi Europian është puna e qeverisë.

Aq më tepër kur, nuk ka asnjë reformë e cila kërkon një votim bipartisan, i cili të jetë kusht i vendosur nga Bashkimi Europian.Prandaj, merren ose jo negociatat, kryesisht është sukses ose dështim i qeverisë.

Pa dashur të reduktojmë rolin e opozitës për frymën dhe mesazhin që ajo përcjell, i cili luan një rol të rëndësishëm, Bashkimi Europian është një mënyrë qeverisjeje interqeveritare. Për këtë arsye, roli kryesor i mbetet qeverisë.

E megjithatë, përtej këtij debati, edhe kësaj here politika shqiptare nuk zhgënjeu. Palët politike nuk arritën dot të dalin mbi interesin partiak dhe politik për një arsye kombëtare, siç është procesi i integrimit të Shqipërisë.

Ndonjëherë, politika shqiptare dhe opinioni publik bie preh e iluzionit se, Bashkimi Europian do të na pranojë për faktin se ka interesa gjeopolitikë në Shqipëri dhe Ballkan. Kjo është e vërtetë, por BE është një organizatë e ndryshme nga NATO. Nëse NATO, është një organizatë ushtarake dhe diplomatike, dhe, për këtë arsye anëtarësimi është gjeostrategjik, Bashkimi Europian është tjetër histori. Bashkimi Europian është një sistem politik dhe një mënyrë qeverisje e përbashkët. Si e tillë, ka ekonomi të përbashkët, ligje të përbashkëta dhe parime të përbashkëta. Nëse ne nuk arrijmë dot të përafrojmë të gjitha këto standarde me BE, integrimi është i pamundur.

Prandaj, historirat se Shqipëria dhe Ballkani kërcënohet nga Rusia, dhe lipset një integrim i shpejtë në BE për evituar një influencë rusë, është një histori që nuk ngjit. Ky kërcënim është i vërtetë, por Bashkimin Europian nuk mund ta bindësh me këtë qasje. E vetmja mënyrë për ta bindur është drejtësia e pavarur dhe zbatimi i Reformës në Drejtësi, parametrat ekonomikë dhe zbatimi i lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.

E megjithatë, për hapjen e negociatave ose jo, duhet të kemi parasysh se jo çdo gjë varet nga ne. Ka dhe një kontekst të jashtëm europian, që nuk është nga më të favorshmit për zgjerimin e mëtejshëm, që nuk është për t’u nënvlerësuar.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Debatet mbi varfërinë; populiste, hipokrite dhe pa asnjë zgjidhje

Nga Ervis Iljazaj Varfëria shkakton gjithmonë emocione, aq më tepër kur pamje...
Read More