Tani apo më vonë? Kur është koha e saktë për studimet master?

Nga Dr. Orkida Ilollari

Çdo moment është ai i duhuri për të kryer studimet në programet master. Studimet master janë porta e hapur drejt tregut të punës. Në të njëjtën kohë, studimet master për ata që janë në punë apo të vetëpunësuar janë një mundësi e jashtëzakonshme për t’u specializuar në fushën ku aktualisht punojnë. Kualifikimi arsimor sot për sot është një detyrim për tregun e specializuar të punës. Ritmet e zhvillimit ekonomik po e bëjnë arsimin gjithnjë e më jetik. Bachelori jep formimin e përgjithshëm të fushës ku je përcaktuar, por nuk përfundon në asnjë profesion. Nëse do t’i drejtohesh tregut të punës duke patur kërkesa ambicioze ndaj vetes, domosdoshmërisht duhet të kalosh nëpërmjet programeve master. Programi Master përfundon me një titull profesioni. Një diplomë master do të thotë njohuri të avancuara teorike dhe praktike në fusha të ndryshme, mendim i thelluar analitik dhe i pavarur, vlerësim kritik dhe profesional, aftësi për të zgjidhur probleme komplekse dhe një karrierë në nivel më të lartë. Nga studimet e fundit që janë bërë duke iu referuar tregut europian, rezulton se individët të cilët janë të pajisur me një diplomë master, përthithen shumë shpejt nga kompanitë/institucionet, si dhe nga ana tjetër, paga e tyre ka një diferencë jo të vogël krahasuar me një individ që nuk e posedon këtë diplomë.

Ka dy mënyra për të perfeksionuar njohuritë specifike dhe praktike në një fushë të caktuar.

Një mënyrë është që, kompania/institucioni të investojë te individi gjë që përbën një kosto për punëdhënësin. Nga ana tjetër dihet se tendenca e kompanive/institucioneve në ditët e sotme është të ulë kostot dhe jo t’i rrisë ato. Prandaj, gjasat që një individ të përfitojë nga një program i veçantë i financuar nga kompania/institucioni nuk janë të mëdha. Mënyra e dytë është që vetë individi të investojë duke frekuentuar programet master, të cilat janë programe/profile specifike sipas trendit dhe kërkesave të tregut të punës. Kështu që, në këtë pikë, individi ambicioz nuk ka mënyrë tjetër veçse t’u drejtohet programeve master të ofruara nga universitet cilësore.

Në këtë mënyrë universitet të cilat kanë programe master specifike për nevojat e diversifikuara të tregut janë pika e takimit të individit dhe kompanive/institucioneve. Nga njëra anë universiteti i heq një kosto kompanive për trajnimin apo ngritjen e nivelit të stafit të tyre, një kosto jo e vogël për kompani/institucione të mëdha dhe, nga ana tjetër, i krijon një mundësi të jashtëzakonshme individit për ta pajisur atë jo vetëm me dije sokratike por edhe me njohuri praktike, pra, këtë individ e shndërron në një mjeshtër në specialitetin e tij. Në këtë fazë të zhvillimit ekonomik dhe të transformimeve të vendit tonë, është fakt i njohur se oferta për punë nga ana e kompanive dhe institucioneve private dhe shtetërore është tejet e vogël, ndërkohë që, nga krahu tjetër, kërkesa për punësim është dy shifra në mos dhe me tre më e madhe. Por, çuditërisht, ky raport kthehet përmbys kur bëhet fjalë për specialistë të nivelit të lartë. Çfarë ndodh në këtë rast? Ajo që habit më tepër është fakti se oferta për punësim nga ana e kompanive/institucioneve për specialistë të nivelit të lartë është më lart sesa kërkesa e këtyre të fundit të cilët janë të pajisur me diploma master. Pra, kur flasim për saturim të tregut të punës duhet të specifikojmë për çfarë segmenti të tregut po flasim. Ajo që duhet të bëjmë është të ndajmë segmentin ku futen specialistët e nivelit të lartë me segmentin ku futen individët me njohuri të përgjithshme bachelor. Duke përcaktuar segmentin, kemi përcaktuar raportin kërkesë ofertë në tregun tonë të punës. Pra, nëse për individë me dije të përgjithshme (studime bachelor), tregu i punës në vend reagon keq për shkak të një konkurrueshmërie agresive, në segmentin e individëve me njohuri të specializuara, pra, të individëve të pajisur me diplomë master, tregu është i hapur dhe bursa e punës ka shumë shkëmbime.

Megjithatë fakti i zotërimit të një diplome master jo domosdoshmërisht do të thotë dyer të hapura në tregun e punës, pasi cilësia e diplomës referuar universitetit ku është kryer është shprehje direkte e njohurive të marra nga individi. Ky nuk është vetëm fenomen shqiptar, por një është fenomen i njohur botëror. Është fakt i njohur se, një student pajisur me një diplomë master nga një universitet i rankuar në nivele të larta, përthithet jashtëzakonisht shpejt nga tregu i punës.

Në paralelizëm me realitetin shqiptar është detyrë e individit të përzgjedhë me inteligjencë në xhunglën e ofertave, ato programe master të cilat janë bashkëkohore, që ndjekin dinamikën e tregut të punës, pra, ato programe, apo profile, të cilat përditësohen sipas tendencës dhe problematikës së tregut të punës. Ka mijëra mënyra për të investuar paratë, por investimi më i mirë dhe më i sigurt, i cili jo vetëm që kthen gjithmonë vlerën fillestare të investimit, por, ka të siguruar gjithmonë dhe fitimin, janë ato investime, që kanë të bëjnë me paketën e edukimit, në rastin më specifik në programet master. Sado të kushtojë një program master është shumë pak krahasuar me vlerën reale që ai do të kthejë mbrapsht në disa aspekte të jetës. Së pari, në aspektin e perfeksionimit të njohurive në fusha të ndryshme. Së dyti, në përmirësimin e pozicionit në hierarkinë e piramidës shoqërore. Së treti, dhe jo me pak e rëndësishme është rritja e ndjeshme e të ardhurave të individit të punësuar ose të individit të vetëpunësuar. Dhe, së fundmi, ajo çfarë është edhe më e rëndësishme për shoqërinë është se, ngritja e nivelit të njohurive të individit ndikon direkt në përmirësimin e jetës të shoqërisë. Ë thënë me fjalë të tjera një individ mirëspecializuar është aset jo vetëm për veten dhe familjen e tij por edhe për shoqërinë. Jo më kot, Adam Smith, një nga mendjet më brilante të shkencave ekonomike e ngre çështjen e edukimit të arsimit të lartë mbi vlerën e pasurive natyrore të një vendi duke thënë se: “Zhvillimi i një vendi është vepër e “njohurive shkencore” shumë tepër sesa “e bollëkut të burimeve natyrore”. E thënë një shekull më parë, kjo sentencë tingëllon si profeci. Vërtet sot në kohën tonë vendet më të zhvilluara dhe më të fuqishme janë ato që kanë universitetet më cilësore, pra niveli i zhvillimit të një kombi nuk përcaktohet më nga sasia e burimeve natyrore, por nga cilësia arsimit të shoqërisë. Një diplomë master përmirëson jo vetëm individin në të gjitha aspektet e përmendura më sipër, por dhe ekonominë dhe jetën shoqërore në tërësi të një vendi.

Pas përfundimit të studimeve të bachelorit kompletimi i këtyre studimeve me programet master duke iu referuar argumenteve të mësipërme është një hap i nevojshëm dhe i domosdoshëm për një punësim sa më të shpejtë dhe një karrierë të sigurt. Nga ana tjetër, mbas studimeve bachelor dhe punësimit për një periudhe kohe, përzgjedhja sipas specifikimeve të vendit të punës të një programi master, është një ndërthurje e gjetur për një rrugëtim të sigurt drejt suksesit të çdo individi. Në përmbyllje, ia vlen të theksojmë se: çdo moment është ai i duhuri për të frekuentuar një program master.

Drejtore e Programeve Master në Universitetin Europian të Tiranës

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Një hipotezë e mundshme: A është martuar Skënderbeu në Ardenicë?!

Por historiografia nuk ka arritur të zbulojë se ku është celebruar kjo...
Read More