Të kujt janë amerikanët?

Letërkëmbimi Mapo-Danas

Nga Zoran Panoviç

I dashur Mustafa,

Ju më shkruanit se shqiptarët nuk janë më të sigurt në mbështetjen pa rezerva të amerikanëve, dhe se kufijtë serbo-shqiptarë nuk janë më temë-tabu. Ja pra një shenjë që mund t’i shkojë për shtat “çështjes serbe”, por edhe gabimeve serbe, sipas të cilave “e vërteta jonë depërtoi në Perëndim”. Lajmi i muajit mars të këtij viti, sipas të cilit Xhon Boltoni është emëruar këshilltar i Trump-it për sigurinë kombëtare u prit deri diku me kënaqësi në Beograd.

Për opinionin publik të këtushëm, Boltoni është i njohur për qëndrimet mbi Kosovën, të cilat i pati bëri publike në vitin 2008, duke theksuar se nuk u rekomandon shteteve të rajonit ta njohin Kosovën “sepse vihet në dyshim mbrojtja e konceptit thelbësor sipas të cilit njerëzit me prejardhje të ndryshme etnike jetojnë së bashku në kuadër të kufijve të shteteve heterogjene”. Mendonte se e vetmja mënyrë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon ishte vazhdimi i bisedimeve mbi statusin e Kosovës. Boltoni shprehu gjithashtu mendimin e Kosova do të ndahet sepse, sikurse e argumentoi ai, territoret në të cilat banojnë serbët do të orientohen drejt Serbisë dhe do të synojnë ndarjen. E tërë historia mbi “korrektimin e gabimeve” fitoi besueshmëri pikërisht në momentin kur, para pak kohësh, Boltoni nuk e përjashtoi këtë mundësi.

Në muajin qershor të këtij viti erdhi në Beograd Kameron Manteri, ish-ambasadori amerikan në Serbi dhe Kryetar i Institutit Lindje-Perëndim. Prezantoi njëfarë plan veprimi mbi rajonin në të cilin nënvizon se Bosnja e Hercegovina është tema më e rëndësishme dhe se nëse Bosnja “bie në nokaut” do të shfaqen rreziqe të llojeve të ndryshme. Sipas Manterit, shqetësimi për Kosovën është në vend të dytë dhe me këtë rast ai shprehu “optimizëm të kujdesshëm”, duke rekomanduar që Vuçiçi dhe Thaçi duhet të jenë “pragmatikë”. Sipas mendimit të Manterit, SHBA-të mund të ofrojnë mbështetje për një marrëveshje që është “e arritshme” dhe do të ndihmonin Thaçin dhe Vuçiçin që të bindin popujt e tyre për ta pranuar atë. Në intervistën që i dha atëbotë “Danasit”, i pyetur nëse kanë mbështetjen e administratës së Trump-it, Manteri u përgjigj: “mendoj se kemi dashamirësinë e tij”.

Ecim më tej, i dashur Mustafa: Serbia e Vuçiçit në marrëdhëniet me SHBA-të po ripërtërin kapitalin e trashëguar nga Mbretëria e Serbisë dhe ajo e Jugosllavisë, si dhe Jugosllavia e Titos, kapital që Millosheviçi e shpërdoroi: Në muajin qershor u hap ekspozita “SHBA-Serbia, 1918-2018, marrëdhëniet kulturore dhe diplomatike”. Në stacionet TV më të ndjekura nga shikuesit në Serbi u emetuan spote të ambasadës amerikane të cilët popullarizonin Serbinë dhe banorët e saj që “ëndërrojnë, dhe bëjnë që ëndrrat e tyre të realizohen”.

Këtyre ditëve Serbia po magjepset nga Komandanti i bazës së Bondstillit në Kosovë, Nik Duçiçi, i cili deklaroi për televizionin TV-Prva se Kosova është “vendi i tij i ëndrrave”. Ai viziton kisha, manastire, bisedon me popullin, vë në dukje prejardhjen e tij serbe, se është ortodoks, se gruaja e tij është ruse, se kanë tre fëmijë të cilët kanë emra serbë, ose më mirë të themi emra rusë. Familja e tij është me prejardhje nga Trebinja (Republika Srpska), ndërsa nga ana e gjyshit ka një lidhje me poetin Jovan Duçiç, të cilin një pjesë e popullit serb e ka idhull. Nikut i kanë dhuruar një libër të poetit të përkthyer në anglisht dhe ai po e lexon.

Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Serbi në fillim të kësaj vere propozoi që gjimnazistët në komunat e Jugut të Serbisë, në orët e gjuhës shqipe, duhet të lexojnë dhe analizojnë biografinë e Hilari Klintonit. Këshilli Kombëtar arsimor i Serbisë sugjeroi që Hilari të eliminohet dhe ofroi “një përmbajtje me të përshtatshme” dhe kjo përmbajtje të ishte studimi i Skënderbeut si urë lidhëse mes dy popujve.

Sikurse e di, në Kosovë dhe, për inerci, në Jug të Serbisë, vazhdon të ekzistojë kulti i Klintonëve. Në muajin mars të këtij viti, ministri i Punëve të Jashtme Ivica Daçiç propozoi që në Beograd të ngrihet një përmendore kushtuar presidentit amerikan W. Wilson, gjë e cila ishte njëfarë kundërteze ndaj përmendores së Klintonit në Prishtinë. Në përgjithësi Serbia po përkujton në mënyrë më të zgjuar njëqindvjetorin e fundit të Luftës së Madhe (në të cilën përjetoi epope dhe armagedon), sesa përkujtoi njëqindvjetorin e fillimit të asaj lufte, kur, në mënyrë fare të pamenduar, bëri një parabolë historike nga Gavrillo Principi deri te Republika Srpska, gjë të cilën qarqet antiserbe e shfrytëzuan me zgjuarsi për të ilustruar tezën e tyre mbi gjenin komplotues serb. Serbia u amerikanizua gjatë njëqind vjetëve që pasuan Luftën e Madhe. Daçiçi madje edhe të dërguarit amerikan Ves Miçell, i kujtoi se W. Wilsoni i dërgoi miliona dollarë ndihmë Serbisë kur e pati sulmuar ushtria austro-hungareze, ndërsa Bill Klintoni i dërgoi asaj bomba.

Wilson-izmi dhe Trump-izmi i opinionit publik serb është një rrugë e shkurtër për shërimin nga antiamerikanizmi, i cili këtu mund të reduktohet në një ndjenjë të thellë antiklintoniane. Shumicën e serbëve nuk e irriton madje as Bushi i ri, në kohën e të cilit është njohur pavarësia e Kosovës, më shumë sesa Klintoni dhe bashkëshortja e tij. Përsëri, Vuçiçi ka fuqi politike të përballojë faktin se Klintoni ia ka rrahur shpatullat, teksa mbështeste gruan e tij në garën për në Shtëpinë e Bardhë, siç mund të përballojë faktin se Toni Bleri, i urryer në Serbi, të jetë këshilltari i tij. Një shumicë e madhe e pasuesve të Vuçiçit në përgjithësi as që i vëren kontradiktat e mëdha të pushtetit, në mesin e tyre edhe opozita që shpesh satanizohet si “sorosiane” ndërsa Vuçiçi është në raporte të mira me strukturat sorosiane, madje edhe mistifikohet roli i djalit të Sorosit, i cili takohet publikisht me Vuçiçin, në rolin e tij gjoja si mediator për Kosovën.

Përfundimisht Mustafa, Serbia e gënjeu vetveten në kohën e rrëzimit të komunizmit në mbarë Europën. Nëse, si një aleate e vjetër amerikane, do të ngrinte me krenari në Beograd një përmendore për Ronald Reganin, çfarë mendon ti, a do ta kishte më vonë Klintoni një të tillë në Prishtinë?

Duhet të jemi të ndjeshëm me parimet e Wilson-it mbi të drejtën e popujve për vetëvendosje, sepse ata janë të lidhur me epokën e tyre dhe kontekstin europian të vitit 1918. Parimet e Wilson-it për vetëvendosje përputhen me ato bolshevike që promovoi Lenini. Para disa ditësh, Kryeministri kroat Andrej Plenkoviç, për rastin e Kosovës kujtoi se në rastin e shpërbërjes së Jugosllavisë, ishin të rëndësishme konkluzionet e Komisionit Badinter (komisioni e mori emrin sipas emrit të kryetarit të tij, juristit francez Robert Badinter), i cili në mendimet e tij të vitit 1991 dhe 1993, rekomandonte që kufijtë mes njësive federative të konsideroheshin shtetërorë dhe si të tillë nuk mund të ndryshoheshin me forcë. Por Kosova ishte autonome në kuadër të Serbisë, dhe në kohën e shpërbërjes së vendit nuk ishte “republikë”, gjë e cila kërkohej në demonstratat e vitit 1981, në mënyrë që t’i paraprinte “statusit të Badinterit”. Kufijtë sipas të cilëve u shpërbë Jugosllavia quhen “kufij të Avnoj-it”, sipas emrit të Asamblesë partizane AVNOJ (Antifashistiçko Veçe Narodnog Osloboxhenja Jugosllavije- Asambleja Antifashiste Çlirimtare e Popujve të Jugosllavisë), që mori vendimet e saj në mbledhjen në Jajcë (Bosnjë) në nëntor të vitit 1943. Vëllazërimi dhe bashkimi (ose siç thuhet sot, multienticiteti) është një prej vendimeve më të rëndësishme. Por ne sot kemi kufijtë sipas Avnoj-it pa parimet e Avnoj-it. Përkundrazi, parimet udhëheqëse janë narrativat nacionaliste të rikompozuara.

E gjitha kjo është disi komike në këtë kontekst, sepse partia e Albin Kurtit (ditët e fundit kam dëgjuar se sot në Kosovë atë e tallin si malazez-Kurtoviç), madje ka një emër “Wilsonian”: Vetëvendosje. Është vërtet interesante sesi realiteti (post)dejtonian mund të “Wilson-izohet” në mënyrë kaq të përçudnuar. Në këtë kuptim edhe Millorad Dodiku, nëse është kështu, në Banja Lluka mund t’i ngrejë një përmendore Wilson-it.

“Dy popuj, dy flamuj, një datë”. Jo, nuk është frazë kjo e nxjerrë nga fjalimet e Klintonit. Në këtë mënyrë ambasada e SHBA-ve në Beograd feston njëqindvjetorin e ngritjes së flamurit të Serbisë mbi Shtëpinë e Bardhë. Shkencëtari dhe profesori me famë botërore Mihajllo Pupin ishte Konsull nderi i Serbisë në Amerikë dhe mik i Presidentit Wilson. Në saje të tij, më 28 korrik 1918, për herë të parë në histori, mbi Shtëpinë e Bardhë u ngrit flamuri i Serbisë në përkujtim të heroizmit të popullit të saj. “Ju jeni vendi që i keni dhënë botës Mihajllo Pupinin. Ju jeni vendi i madh i njerëzve të mëdhenj”- na thonë sot amerikanët. Por vdekja e lobistit të madh amerikan, senatorit McCain erdhi në një moment disi të papërshtatshëm për çështjen shqiptare.

Kam qenë në vitin 2014 në Amerikë, në dy universitet prestigjiozë, në atë Columbia University të Nju Jorkut dhe në Universtiy of Chicago, ku u mbajtën mbledhje përkujtimore me rastin e 160-vjetorit të lindjes së Mihajllo Pupinit. Çfarë ishte Nikolla Tesla në elektroenergjetikë, ishte Pupini në telekomunikacione. Pupini fitoi çmimin “Pulitzer” (në fushën e letërsisë) për veprën e tij autobiografike “From Immigrant to Inventor”. Por nacionalistët serbë më shumë duan Teslën sesa Pupinin: të parin e adhurojnë dhe e banalizojnë për misteriozitetin e tij të njohur, sepse në fantazi nuk ekziston “një armë e fshehtë e Pupinit”, sikurse ekziston ajo “arma e fshehtë e Teslës” me të cilën në të ardhmen do të bëhet e mundur të ndreqen padrejtësitë historike dhe gjeopolitike.

Krahas Pupinit dhe Teslës, Millan Millankoviçi është ylli i tretë në spotin e lartpërmendur të ambasadës amerikane: Në planetin Mars Mustafa, ekziston një toponim që përfundon me “iç”. Ky është “Millankoviç”- një krater, i cili në vitin 1973 mori këtë emër për nder të matematikanit dhe astronomit të dëgjuar serb.

Teksa po shkruaj këto radhë, Vuçiçi në Presidencë po mban një konferencë për media së bashku me ministrin amerikan për tregti Vilbur Rosin, i cili pas nënshkrimit të Memorandumit për mirëkuptim dhe bashkëpunim mes qeverisë së Serbisë dhe SHBA-ve në fushën e infrastrukturës, paralajmëroi për “thellim të lidhjeve”. Dhe shtoi madje se prodhimi më inovativ botëror i automobilëve elektrikë ka marrë emrin Tesla.

Le të shpresojmë te pragmatizmi, Mustafa.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Muzeu Wende: “Diktatori” i Maks Velos në koleksionin e Luftës së Ftohtë

Këto ditë në një pavijon të Muzeut Wende janë ekspozuar katër punime...
Read More