“Të martat liberale në UET”, Çullhaj: Ja si mund të minimizohet krimi e korrupsioni

Përgjatë 7 javëve në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës u mbajtën “Të martat liberale”, një takim ky që organizohej në orën 18:30 me studentë të grupit “Pashko”, studentë të jashtëm dhe pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës. Në këtë lloj kursi u diskutua mbi tezat liberale, autorët kryesorë të shkollës liberale dhe pikëpamjet e tyre mbi këtë lloj ideologjie dhe ndikimin në fenomene të caktuara të jetës shoqërore. Kursi përfundoi ditën e djeshme me shpërndarjen e certifikatave të pjesëmarrësve në kurs. Ky lloj diskursi u mbajt nga pedagogu i shkencave politike Florian Çullhaj, i cili iu është përgjigjur më hollësisht disa pyetjeve mbi liberalizmin.

Bisedoi: Ada Kacmoli

Zoti Çullhaj, gjatë këtyre 7 javëve ne kemi diskutuar mbi ideologjinë liberale dhe ballafaquam pikëpamjet e autorëve të ndryshëm për këtë temë, por si do t’ua shpjegonit liberalizmin dikujt që është analfabet në këtë fushë?

Atëherë do ta nis fillimisht me konceptin e lirisë, si gjithkush që ka pjesën më të shtrenjtë lirinë, këtu do t’ia nisja për dikë që është analfabet për sa i përket liberalizmit, pastaj do të kaloja tek koncepti i universalizmit si një element dytësor, por jo më pak i rëndësishëm për sa i përket vlerës së tij së brendshmi në shpjegimin për vlerat universale, së pari të qenies njerëzore, pastaj të vetë njeriut në koncept. Pastaj do të kaloj tek egalitaniarizmi që është dhe vetë barazia. Ne si qenie njerëzore kemi një lloj barazie që na përshkon të gjithëve. Dikush thotë e kemi të lindur, dikush thotë e kemi natyrore, pra të lindur si qenie ose të fituar prej hyjnisë.

Kjo do të ishte një shtyllë tjetër, të cilën do t’ia përcillja dikujt tjetër që është si të thuash analfabet për sa i përket liberalizmit. Dhe një çështje tjetër është meliorizmi, pra vetëpërmirësimi i vazhdueshëm i individit kundrejt sfidave që ai has përgjatë jetës së tij. Kto janë si të thuash katër shtyllat, të cilat janë themelore brenda kuadrit të liberalizmit, pastaj ato marrin përthyerje dhe trajektore të ndryshme përgjatë ecurisë. Por këto janë si të thuash ato bazat që sot për sot të gjithë  teoricienët e liberalizmit i përballin me njëri-tjetrin. Dikush ka për themel barazinë. Dikush ka për themel lirinë. Dikush ka për themel autonominë, pra gjithsecili ka një nga këto shtylla si më të rëndësishmen për t’u mbështetur dhe analizuar më pas si të thuash evolucionin e liberalizmit.

A mund të kishte funksionuar më mirë liberalizmi në fillimet e demokracisë?

Kësaj pyetje faktikisht do t’i përgjigjem pak ndryshe, sepse  nëse dikush do më thotë a ekziston një vend demokrat që s’është liberal, le të ma thotë edhe unë do ta mbaj shënim, por nuk njoh sot një vend që është demokrat dhe s’është liberal, që do të thotë se këto të dyja ecin paralel, pra janë dy elementë, tek të cilët ky sufiksi demokracia liberale është i pandashëm. Por  besoj se do të funksiononte ndoshta më mirë nëqoftëse liberalizmi nëpërmjet mjeteve të tij të kontrollit, do ishte më i mirëformuar për ta strukturuar dhe konturuar demokracinë, sepse demokracia në vetvete është pushteti i popullit dhe liberalizmi me mjetet e tij të kontrollit institucional kushtetues, e vendos atë nën kontroll. Pra, nëqoftëse ne do të kishim krijuar një set formal institucionesh të qëndrueshme, të cilat do të kishin qenë një garanci për mirëfunksionimin e garancisë më pas.

A mund të funksionojnë tezat liberale tani e tutje dhe të aplikohen siç duhet?

Pas viteve 90’, Francis Fukuyama tha që teza liberale tanimë është teza pararojë e vendeve, të cilat prosperojnë drejt një demokracie liberale, dhe si të thuash vendosi një shteg kështu absolut. Unë do të thoja që liberalizmi është e ardhmja në mënyrë absolute, pra si të thuash nuk ka më kthim pas nga pikëpamja e transformimit të sistemeve politike. Të gjithë vendet sot po tentojnë të shkojnë drejt demokracisë liberale për gjithçka, që nga ndërshkëmbimi ndërmjet dy shteteve, siç është dhe shprehja klasike: “Dy demokraci nuk luftojnë me njëra- tjetrën”.

Një turist, që shkon për herë të parë në një vend të huaj, së pari interesohet për sistemin politik, a është demokraci liberale, së brendshmi a është i lirë që ta vizitoj? Si konkluzion i kësaj pyetjeje, tezat liberale mund të funksionojnë, por gjithmonë nën vetëkritikën dhe nën atë konceptin e meliorizmit, të përmirësimit të vazhdueshëm të problematikave të asaj që i sjell sfida siç është ajo kapitaliste, e cila si të thuash e vendos demokracinë liberale në sfidë të vazhdueshme. Ajo gjatë gjithë kohës duhet të jetë në vetërregullim për t’iu përshtatur këtij lloj sistemi ekonomik, që mesa duket mbetet sistemi ekonomik i vetëm që mund të funksionojë së bashku me demokracinë liberale.

Teoritë liberale janë interesante, por sa problematike janë krimi  dhe korrupsioni në zbatimin e tyre?

Siç thashë, në fillim teoria liberale merret me një aspekt abstrakt të përcaktimit të disa vlerave dhe nëqoftëse këto vlera institucionalizohen tek institucionet, atëherë duhet të jetë të paktën më e thjeshtë që krimi dhe korrupsioni të minimizohen, por jo të eleminohen. Janë dy fenomene që presupozohet ekzistojne përgjithësisht kudo, por demokracia liberale dhe teoritë liberale nëpërmjet shembujve të vendeve të tjera sjellin mundësinë për ta kontrolluar. Sa më shumë ne punojmë në dy elementë qendrorë siç janë edukimi dhe hapja, dhe sa më shumë ne ndërgjegjësojmë dhe emancipojmë individët kundrejt një koncepti vleror liberal të shëndetshëm, aq më shumë shoqëria  përgjegjësohet për veprimet e saj. Dhe kur flas për shoqërinë flas për individin.

Pra sa më shumë ne punojmë kundrejt shkollimit dhe emancipimit të individit, ai aq më shumë bëhet i përgjegjshëm për sa i përket luftimit të këtyre dy fenomeneve, të cilat siç e thashë nuk janë vetëm fenomene shqiptare, por janë fenomene të pashmangshme, fenomene që ecin paralel me çdo sistem, me demokracinë liberale, por e vetmja mënyrë është që ne duhet t’i kontrollojmë sa të mundemi dhe kjo vjen së pari nëpërmjet edukimit dhe së dyti nëpërmjet forcimit të institucioneve, të cilat si të thuash teoritë liberale i kanë epiqendrën e tyre përgjatë gjithë rrugëtimit të tyre, duke njohur dhe natyrën e individit që është e gabueshme. Si e tillë nuk mund të lihet një liri e vetëvendosjes absolute, por një liri e orientuar drejt vlerave të liberalizmit.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Ja pse u acaruan nostalgjikët e Enver Hoxhës: Mos i humbisni këto foto

  Thuajse gjithmonë ka pasur tension më 5 Maj tek Varrezat e...
Read More