Të mbash Ramazan e ta çelësh me… “Ramë”

Nga Namir Lapardhaja 

Sipas traditës islame, për agjëruesin e ditës së Ramazanit ka dy gëzime: një prej tyre është dita e shpërblimit për sakrificën, ndërsa gëzimi i parë është çelja e iftarit.

Në këtë kuptim, iftari dhe syfyri (në mëngjes herët) kanë në vetvete domethënie të rëndësisë së veçantë që kanë të bëjnë me shenjtërinë e këtij besimi, duke mos u konsideruar thjesht si dy vakte ngrënieje të zakonshme ushqimi.

Pikërisht këtë shenjtëri, edhe këtë vit, ashtu si vjet gjatë muajit të Ramazanit (që ishte edhe muaj zgjedhor) është duke e thyer politika, e më konkretisht Kryeministri i vendit, Edi Rama, gjë që nuk ka ndodhur më parë. Të paktën, në këto përmasat e viteve të fundit.

Iftaret me regji qendrore, me fjalime kryeministrore dhe në shërbim të propagandës së ditës janë duke u shndërruar në njolla turpi për elitën e myslimanëve në Shqipëri.

Drejtuesit e tyre, herë të korruptuar, herë të lajkatosur nga avujt e aromës së pushtetit, e herë nën dallditë e inferioritetit dhe të injorancës, e kanë shndërruar këtë gëzim të myslimanëve në makineri përfitimi dhe mbështetje vetjake nga ana e pushtetit, duke mos kuptuar se pushteti (kushdo qoftë në krye të tij) ka nevojë për ata (si votues dhe elektorat, pavarësisht besimit) dhe jo e kundërta.

Një javë më parë u ndjeva thellësisht i ofenduar kur iu përgjigja me kënaqësi ftesës së institucionit më të lartë të besimit islam në Berat dhe kur në atë iftar pashë se show-mani i mbrëmjes ishte pikërisht shefi i qeverisë, Edi Rama, me një fjalim që, ashtu siç e mora vesh më vonë, kishte zgjatur më shumë se 20 minuta dhe që sigurisht kishte vënë shumë njerëz në vështirësi, për shkak se ata që kishin agjëruar përgjatë 17 orëve të nxehta të ditës do të duhet të dëgjonin për një kohë relativisht të gjatë një njeri që vinte aty dhe u jepte mend për fenë e tyre, duke e përzier me diskutime të politikës së ditës, si për shembull, Reforma në Drejtësi etj.

Po ashtu, edhe gjatë kësaj fundjave në Elbasan. Më duket e palogjikshme dhe shumë e gabuar që institucionet fetare, pasi shtrojnë iftar për besimtarët, por edhe për institucionet lokale dhe qendrore të administratës publike etj., ia lënë në dorë fatin e organizimit të tyre qeverisë dhe propagandës, duke e përqendruar të gjithë thelbin te fjalimi i Edi Ramës.

Imagjino në Elbasan një Kryeministër, i cili gjatë gjithë ditës ishte përballur me të vërtetën e popullit të tij për një shëndetësi të degraduar dhe të dorëzuar totalisht dhe në mbrëmje të vejë e të mbajë leksione spirituale përballë disa besimtarëve, të cilët janë privuar nga ngrënia dhe pirja për më shumë se 17 orë në ditë!

Gjithsesi, gjithë këtë Edi Rama e sheh si pjesë të propagandës së përgjithshme. Ai është në “të drejtën” e tij edhe për të manipuluar, edhe për ta parë bashkësinë e myslimanëve si oazë të votave, mirëpo problemi i madh këtu është me drejtuesit e kësaj bashkësie, të cilët duhet të ruajnë integritetin e tyre, në radhë të parë, por edhe të fesë dhe të përgjegjësisë që kanë mbi krye, duke mos i shndërruar besimtarët dhe agjëruesit e thjeshtë në figurantë të një filmi që nuk ka kurrfarë lidhjeje me ta.

Sigurisht që për fenë, në radhë të parë, por edhe për politikën, do të ishte mirë që të rrinin larg njëra me tjetrën, qoftë edhe në kësi evenimentesh, por edhe nëse do të takoheshin takimi të ndodhte në mënyrë dinjitoze dhe të virtytshme për të dyja palët dhe jo për të mirën e njërës e në dëm të palës tjetër.

Meqenëse ende jemi me agjërim në gojë, do të më duhet të parafrazoj një thënie të popullit tonë që i shkon për shtat rastit konkret, e që thotë: “Kësaj i bie të mbash Ramazan e ta çelësh me… “Ramë”!”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Triller në Shtëpinë e Bardhë: Një inçizim për shkarkimin e presidentit Trump?

Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Rod Rosenstein hodhi poshtë...
Read More