“Teatri” votohet në Parlament, opozita “Kuvend” në Vlorë

Basha: Ligji Rama-Fusha duhet të rrëzohet në Parlament. Rrëzimi i Teatrit është një akt barbar. Ata duan të tjetërsojnë e gllabërojnë pronën publike. U bëj thirrje të gjithë kartonmbajtësve, që çdokush që ngre kartonin, do të trajtohet politikisht nga opozita si terrorist shtetëror”

Sot opozita do të mungojë në sallën e Kuvendit për të katërtën seancë plenare me radhë. Ndërkohë shumica parlamentare do të votojë e vetme dekretin e Presidentit Ilir Meta për “Teatrin” bashkë me ndryshimet ligjore. Partia Demokratike dhe aleatët e saj kanë zgjedhur Vlorën dhe jo Parlamentin, sipas tyre për të qëndruar atje ku njerëzit janë të rrezikuar dhe të pasigurt nga bandat dhe jo në godinën ku bandat përfaqësohen nga qeveria. Kështu pas Shkodrës, Elbasanit, e Durrësit, opozita do të vijojë të përcjellë publikisht mesazhet e saj të rezistencës kundër krimit, që sipas saj ka mbështetjen e qeverisë, nga Vlora.

Dekreti

Të martën, dekreti presidencial kaloi vetëm me votat e të majtëve në Komisionin Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese. Opozita e cilësoi votimin antikushtetues, pasi sipas saj pranimi i dekretit e bën nul ligjin, ndërsa socialistët u mbrojtën duke sjellë në vëmendjen precedentë të mëparshëm parlamentarë. Një ditë para seancës plenare, në zyrën e kryetarit të Kuvendit trokitën kryeministri Rama, kryebashkiaku Veliaj, shefja e kabinetit të kryeministrit Vali Bizhga, Sekretari i Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave Engjëll Agaçi, si dhe relatori i ligjit të ndryshuar Ilir Beqaj.

Opozita, letër Ruçit për Teatrin

Me anë të një letre zyrtare drejtuar kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, opozita kërkon që të mos përfshihet në seancën e nesërme ligji për Teatrin në amendamente. Letra është nënshkruar nga dy krerët e grupeve parlamentare të opozitës, ku thuhet se miratimi pro i dekretit të Metës do të sillte rrëzimin në tërësi të ligjit. “Amendamentet e mazhorancës nuk eliminojnë konstatimet e presidentit Meta. Ky ligj i paprecedentë është një akt korruptiv”, thuhet ndër të tjera në letër. Vasili dhe Spaho kërkojnë nga Ruçi që nesër të votohet vetëm dekreti i Presidentit Meta ‘pro’ që rrëzon ligjin për Teatrin Kombëtar, por jo variantin e ri me ndryshimet që ka propozuar shumica dhe që kaloi dje në Komision.

Basha: Grusht shteti, çdo deputet që e voton, terrorist

Dje në mbrëmje Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, përmes një deklaratë për mediat iu ka bërë thirrje të gjithë deputetëve, që të mos votojnë ligjin për rrëzimin e Tetarit Kombëtar. Sipas tij, çdo deputet që do të ngrejë lart kartonin, do të trajtohet si një terrorist shtetëror. “PD ka një qëllim të qartë dhe të pandryshuar. Ligji Rama-Fusha, duhet të rrëzohet nesër në Parlament, dua t’i them çdo deputeti, që rrëzimi i Teatrit është një akt barbar. Ata duan të tjetërsojnë, gllabërojnë pronën publike. Sonte iu bëj thirrje të gjithë kartonmbajtësve, që nesër çdokush që ngre kartonin, do të trajtohet politikisht nga opozita si terrorist shtetëror”, tha Basha.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Luftoni vapën me ushqime, ja menyja

Duhet të hani patjetër fruta dhe perime të stinës si dhe ushqime...
Read More