Teza e shkëmbimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë – referencë për retorikën e zgjedhjeve boshnjake

Nga Blendi Lami

Ballkani u vu sërish si në qendër të vëmendjes, ditën e diel, gjatë zgjedhjeve në Bosnjë dhe Hercegovinë. Ashtu siç parashikohej, fushatat e partive përfaqësuese të tri etnive do të ngrinin edhe një herë çështjen e kufijve.

Ndonëse një shtet të vogël, Bosnja mbetet një tjetër fuçi baruti në konfigurimin ballkanik që prodhon destabilizim. Vihen re ngjashmëri me rastin e Kosovës, por duhet theksuar se situata në Bosnjë është më e ndërlikuar.

Aktualisht, Bosnja dhe Hercegovina është ndarë në dy pjesë: Federata Boshnjake dhe Kroate dhe Republika Srpska. Të dyja funksionojnë si rajone autonome, me një presidencë prej tre anëtarësh. Thjesht dy shembuj për të ilustruar mishmashin: gjatë fushatës, tezat kryesore të Aleancës Boshnjake-Serbe e Social Demokratëve të Pavarur ishin mohimi i gjenocidit dhe ndarje nga shteti i Bosnjës; nga ana tjetër, Unioni Demokratik Kroat-Boshnjak kërkoi një njësi (entitet) të tretë brenda Bosnjës, me shumicë kroate (në dukje, për ta komplikuar situatën edhe më tej).

Në prapaskenë, veprojnë Serbia dhe Kroacia që mbështetin forcat politike përkatëse, më qëllim që të kenë influencë në Bosnjë dhe, pse jo, të ndryshojnë kufijtë.

Kështu, me ndryshim kufijsh, siç u trajtua edhe në rastin e Kosovës, mund të hapet e ashtuquajtura “Kutia e Pandorës” në Ballkan. Duhet nënvizuar se pretendimet e palëve për “Serbi më të madhe” apo “Kroaci më të madhe” janë realitete – ashtu siç mund të mendohet për një “Shqipëri më të madhe”. Pra, rasti i shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, nëse do të ishte nisur si proces, do të acaronte edhe më tej situatën në Bosnjë.

Ripërcaktimi i kufijve – qoftë mes Kosovës dhe Serbisë, qoftë mes Kroacisë dhe Serbisë – nuk është i lehtë dhe ka pasoja, megjithëse duhet nënvizuar fakti se amerikanët dhe europianët – me përjashtim të gjermanëve – ishin dakord për nisjen e një procesi për ndarje. Lidershipi kosovar u duk i prirë për një shkëmbim apo korrigjim territoresh, duke lënë të mendohet se ishte marrë “bekimi” nga Perëndimi. Po ashtu, nga ana tjetër, u duk se Serbia e kishte marrë “bekimin” nga “nëna” Rusi. Gjermania ishte kundër kësaj ideje, për shkak të prishjes së kohezionit europian, pasi një veprim i tillë do të ndizte lëvizje të tjera separatiste në Europë. Dhe, ndërsa luan rolin e menaxheres së Europës, ajo e ka të domosdoshme të ndërhyjë sapo i preken drejtpërdrejt interesat, ndryshe nga SHBA, që mund të duan një hapësirë shqiptare të stabilizuar, dhe – aktualisht – nuk janë shumë të interesuar për harmoninë brenda Bashkimit Europian.

Rezultati i zgjedhjeve të 7 tetorit në Bosnjë reflekton pasojat e mundshme, sidomos në rastin e serbëve, ku fitoi Milorad Dodik, i cili, në vitin 2016, i dha emrin “Radovan Karazhiç” një konvikti në Pale, pranë Sarajevës, një udhëheqës serbo-boshnjak, i dënuar për krime lufte nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve në ish-Jugosllavi.

Rizgjedhja e Milorad Dodikut meriton një trajtim të veçantë. Së pari, teksa vëmë re se gjatë zgjedhjeve në rajon nuk ka surpriza, domethënë fituesit janë deri diku të paracaktuar, kuptojmë se doktrinat që ato përfaqësojnë janë të rrënjosura jo vetëm në programet e tyre partiake, por edhe tek elektorati. Së dyti, teksa vëmë re se vendin për president të pjesës serbe e rifitoi nacionalisti Dodik, përforcohet pozicioni i grupimit politik të përfaqësuar nga tij se serbët duhet të ndahen nga Bosnja. Dhe, së treti, duke qenë se Dodik e konsideron veten aleat të Vladimir Putinit, fitorja e tij nënkupton një influencë më të madhe të Rusisë në rajon.

Për të plotësuar presidencën trepalëshe, fituan gjithashtu kandidati, Zeljko Komsic, dhe ai boshnjak Sefik Dzaferovic.

Siç është bërë zakon në Ballkanin Perëndimor, sa herë bëhen zgjedhje, me qëllim që të ulen tensionet dhe Perëndimi të ketë sa më pak “punë” me vendasit “e pandreqshëm”, edhe në këtë rast Bashkimi Europian dhe NATO, përmes diplomacisë së tyre të dështuar, u munduan të injektonin retorikën e hyrjes së Bosnjës në institucionet respektive. Institucionet europiane akoma gënjejnë veten se inkurajimi për përfshirje në Europë do të sheshonte mosmarrëveshjet që nuk janë shuar akoma që nga lufta civile në vitet 1990.

Gjatë fushatës, që shënon edhe një herë një largim nga mënyra se si kërkon BE të sillet një vend i Ballkanit Perëndimor, dominoi retorika e ndasive dhe pretendimet për parregullsi në zgjedhje. Kështu, si zakonisht, kemi tre skenarë: serbët e Bosnjës duan të bashkohen me Serbinë, kroatët e Bosnjës duan të bashkohen me Kroacinë, dhe boshnjakët duan të krijojnë shtet-kombin e tyre.

Dodik zgjidhet për herë të tretë, gjë që demonstron se uniteti apo kohezioni në Bosnjë dhe Hercegovinë është tashmë i minuar. Ai deklaroi se “vullneti i popullit flet vetë”, dhe populli “ndëshkoi oponentin për shkak të politikave të tij pro Perëndimit”. Dodik, në këtë mënyrë, e bëri të qartë se Republika Srpska nuk është pjesë e projektit sipas marrëveshjes së Dejtonit.

Në frontin kroat pati një surprizë, teksa kandidati liberal Komsic fitoi ndaj nacionalistit Covic, i cili bëri fushatë për krijimin e një njësie të tretë kroate, gjë që do të fragmentonte edhe më tej Bosnjën. Komsic kishte bërë fushatë për një shoqëri të lirë dhe harmoni mes etnive. Ai i nxiti votuesit për të krijuar një Bosnjë me “barazi konstitucionale” për të gjitha grupet etnike. Për të përforcuar mesazhin “ballkanik”, vlen të theksohet deklarata e humbësit nacionalist, Covic, i cili kërcënoi se vendi do të hynte në një krizë të paprecedentë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Samir Mane në UET: E nisa biznesin me vetëm 100 dollarë

Biznesmeni i njohur, Samir Mane, foli para studentëve të Fakultetit të Ekonomisë,...
Read More