Tragjedia e paralajmëruar: Profili i vrasësit të 8 kushërinjve

Krimi i rëndë në fshatin Resulaj dhe mënyra e jetesës së 24-vjeçarit Ritvan Zykaj, personit që solli tragjedinë e madhe. Ishte me vetëm 4 vite shkollë, por mjaft aktiv në Facebook. Si mënjanohej nga familja, fisi dhe shoqëria. Shenjat që dha në moshën 14-vjeçare që mund të kthehej në person me rrezikshmëri. Ekspertët kriminalistë dyshojnë se planifikoi me detaje krimin dhe sjellja prej “krenari” për të marrë vëmendjen.

Ishte një njeri pa shokë, pa miq, i veçuar gjithnjë dhe mjaft antisocial ku njerëzit jo vetëm i largoheshin, por edhe i largonte, krejtësisht i harruar, por “nevriku” i fshatit befas u bë personazhi më negativ dhe emri i Ritvan Zykajt do mbahet mend shumë gjatë, pasi kreu një nga masakrat më të rënda të ndodhura në tri dekadat e fundit në Shqipëri. Vrau tetë kushërinjtë e tij, mes të cilëve tre gra dhe dy fëmijë; viktimat janë Demir Zykaj, Azem Zykaj, Afërdita Zykaj, Besim Zykaj, Vasilika Zykaj, Sara Zykaj (17 vjeç) dhe Ledion Zykaj (6 vjeç). Krimi i rëndë ndodhi pasditen e së premtes së kaluar, një ngjarje që tronditi jo vetëm fshatin e vogël të Vlorës, por mbarë vendin. Në fshatin Resulaj të Vlorës lotët nuk thahen lehtë, ku tre familje i ka pllakosur zia dhe fjalë ngushëlluese vështirë të gjendet për ta. Shumë pyetje ngrihen “post mortum”, a mund të ishte shmangur kjo gjëmë? Po nëse do trajtohej ky personazh nga familja, shoqëria, policia apo mjekësia e do kishim në jetë tetë njerëz? Vështirë të arrihet në konkluzione të sakta, por shenjat e një njeriu mjaft problematik ishin dhënë prej kohësh, të gjithë e shihnin si lëvizte e sillej, po ky njeri i veçuar u kthye në vrasësin më të tmerrshëm që ka njohur vendi. Thuajse të gjithë në fshat e akuzonin pas çdo vjedhjeje pule apo bagëtie, pas çdo prapësie që ndodhte në atë zonë. Shumë e shmangnin për të mos patur telashe me të, por veçimi dhe urrejtja që po krijonte në mendje një ditë solli tragjedinë e madhe.

Personaliteti i vështirë i vrasësit

Që në vogëli binte në sy për mënyrën si sillej, gjithnjë personazh agresiv dhe kjo e bënte që edhe fëmijët ta mënjanonin. Kreu katër vite shkollë dhe më pas e la, duke nisur “jetën” me bagëtitë, (aty e sugjeronin prindërit e tij), që duket se edhe mbajnë përgjegjësinë e madhe morale për gjithçka ndodhi. Edhe pse me shkollë të cunguar, ai ishte mjaft aktiv në Facebook, ku hidhte foto, shkrime të ndryshme dhe ndante komentet me miqtë vitualë. Në disa foto shfaqet me qentë e stanit, ndoshta ishin të vetmit qenie të gjalla që i “shkonin pas”, ndërsa në fis njihej si një njeri mjaft problematik. Rreth tetë vite më parë, kur ishte vetëm 14 vjeç u dyshua për një grabitje me armë brenda fisit, por në atë kohë e kishin mbuluar këtë ngjarje, duke ia “falur” për shkak të moshës. Ai po rritej dhe konfliktet me kushërinjtë e tij sa vinin e shtoheshin, sidomos me akuzat për vjedhje apo dëmtime të pronës. Shpesh i kërcënonte të afërmit: “Mos më bini në qafë, do ju bëj hatanë”…. Hataja ndodhi, pikërisht të premten e kaluar. Sot të gjithë mundohen ta dënojnë krimin, por shumica shprehen se nuk e mendonin kurrë se do arrinte deri në atë pikë sa të merrte jetën e tetë njerëzve. Disa herë bëhej problematik pasi qëllonte natën me armë në ajër. Në dy raste ndërsa ishte adoleshent u shoqërua në polici, por më pas u la i lirë. Ky personazh “antisocial” armën nuk e ngriti në ajër, por drejt kushërinjve të tij, duke lënë tetë viktima dhe regjistruar një nga krimet më makabre në vend. Sot të gjithë flasin po sikur, sikur, sikur…, por krahas personalitetit shumë të vështirë, familja, dy prindërit, vëllai dhe motra e tij nuk i qëndruan pranë, nuk qenë aq të kujdesshëm sa t’ia largonin armët nga duart dhe mos kishte asnjë kontakt me ta, fqinjët po ashtu nuk merreshin me të duke e anashkaluar për të mos pasur telashe, këshillat i mungonin. Pas krimit që kreu 24-vjeçari, prindërit, vëllai dhe motra e tij janë larguar nga fshati. Më shumë se nga frika e ndonjë hakmarrje mendohet se kanë ikur pasi e kanë të vështirë të përballen me të vërtetën, pasi tetë pjesëtarë të fisit janë vrarë nga dora e djalit të tyre. Edhe pse mund të duket më se absurde, këshilla e fundit që i është bërë 24-vjeçarit nga një i afërm ka ardhur në faqen e tij në Facebook dhe është ajo e datës 6 gusht, ku një pjesëtar i fisit i sugjeron: “Një këshillë ke nga unë, mos bëj fjalë me njeri, sidomos me kushërinjtë”. Fjalë me vend, por përgjigjja ishte: “Unë kot s’u bie në qafë, por kam një gjë, po me ngacmuan atëherë s’i lë rehat. Unë s’kam bëj, por ja që e kam këtë gjë”. Nuk kaloi gjatë dhe mori tetë jetë, me një urrejtje të tmerrshme, duke mos ia kursyer plumbat as një djali vetëm 6 vjeç.

Planifikimi i krimit dhe dëshira për vëmendje

Për shtatë orë arriti t’i fshihej policisë, por në fund u kap, jo shumë larg fshatit. Për nga mënyra si veproi ekspertët kriminalistikë arrijnë të krijojnë profilin e këtij vrasësi. Sipas tyre ekzekutimi që ka kryer nuk ka qenë një krim në gjaknxehtësi. Në duar mbante një armë kallashnikov, por nuk ka qëlluar me breshëri, (ndoshta për të ruajtur plumbat), ai u është afruar kushërinjve dhe ka ekzekutuar me dy-tre plumba, që të gjithë kufomat plagët i kanë marrë në gjoks dhe kokë. Gjithashtu më pas largimi nga vendi i ngjarjes dhe për më shumë është futur shpesh në profilin e tij në Facebook duke fyer komentuesit që e akuzonin për krimin e rëndë, ndërsa sfidoi edhe policinë. “Fakti që nuk ka qëlluar ndaj forcave të policisë tregon se ai jo vetëm e ka planifikuar me detaje vrasjen e kushërinjve, por e dinte se policia do kundërpërgjigjej nëse hapte zjarr mbi ta dhe mund të vritej. Ai tashmë në dukje jo vetëm nuk ka pendesë, por kërkon vëmendjen e publikut, i duket vetja superior”-thonë ekspertët e kriminalistikës. Pas arrestimit është dërguar në polici dhe u mor në pyetje. Që në fillim ka nisur të shfaqë “madhështinë” edhe para strukturave të shtetit. “Unë i bëra vrasjet, por ju më kapët shumë vonë”-iu është drejtuar efektivëve të policisë, ndërsa ka kërkuar të mbrohet me avokat. Në lidhje me motivet e krimit është shprehur se: “ata më akuzonin për çdo vjedhje, nuk i duroja dot më”. Gjithashtu, në asnjë çast nuk ka shprehur pendesë. Ndaj tij pritet të kërkohet ekspertizë mbi shëndetin mendor, por nga perceptimet e para mendohet se nuk kemi të bëjmë me një person me problem të theksuara mendore (papërgjegjshmëri), por një individ me prirje të forta kriminale, që e ndjen veten të veçuar nga njerëzit. Gjatë ditës së sotme pritet që të dalë para gjykatës për të mësuar mbi masën e sigurisë. Prokuroria ka ngritur për të akuzën e “vrasjes në rrethana cilësuese të dy ose më shumë personave”, krim për të cilin rrezikon burgun e përjetshëm.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ndryshimet politike si shans për ndryshime radikale në taksim

Politika e taksave është shumë e ndryshme në shumë aspekte në dekadën...
Read More