Tre heretikët e Universitetit të Tiranës strehohen te projekti i filozofisë në UET

Universiteti Europian i Tiranës së fundmi ka riorganizuar ofertën e tij akademike, ku krahas ristrukturimit të tri fakulteteve të mëparshme, janë shtuar edhe dy të tjera. Pjesë e Fakultetit të ri të Shkencave Humane, Edukimit dhe Arteve Liberale është tanimë edhe dega e Filozofisë. Rikthimin e vëmendjes te filozofia ky universitet e bën jo vetëm duke e ofruar atë si një mundësi më vete për studim por edhe si lëndë, pjesë e kurrikulave formuese të të gjithë degëve të tij në vitin e parë të studimit. Në këtë mënyrë lënda e Filozofisë Analitike do të aplikohet në mënyrë universale në Universitetin Europian të Tiranës, që nga Juridiku e Letërsia te Mjekësia e Arkitektura. Disiplina e Filozofisë Analitike, për shkak të rëndësisë që i jep logjikës dhe arsyetimit, bën që ata të cilët do ta studiojnë, të kenë dobi në formimin e tyre, pavarësisht profesionit që do të kenë në të ardhmen.

Përgjatë gjithë këtyre viteve, në këtë universitet janë ndërmarrë iniciativa të shumta, të cilat kanë pasur në qendër promovimin e filozofisë, që nga klubi studentor “Russell”, Anuarët e Filozofisë, Shkolla Kontekstualiste etj. Krahas këtyre strukturave dhe aktiviteteve, Universitetit Europian të Tiranës i shtohet edhe seksioni i Filozofisë Analitike, i cili do të jetë pjesë e departamentit të Shkencave Humane. Tërësia e këtyre organizimeve, ndryshimeve dhe zhvillimeve përbën atë që mund ta konsiderojmë si ‘projektin e filozofisë’ në Universitetin Europian të Tiranës.

Diskutimeve për një mirëfunksionim dhe një strukturim të këtyre objektivave, u janë bashkuar së fundmi edhe tre pedagogë të shquar të filozofisë, dr. Mandeta Minxhozi, prof. dr. Aleksandër Kocani, prof. dr. Hysamedin Feraj.

Të tre pedagogë me eksperiencë shumëvjeçare në fushën e tyre të ekspertizës, për shumë vite pjesë e universitetit publik, kanë zgjedhur t’i bashkohen së fundmi projektit të filozofisë në UET.

Arsyet e largimit të tyre nga institucionet e arsimit të lartë publik, janë të ndryshme për secilin, por rastet i bashkon dëshira për zhvillim dhe progres të mëtejshëm të filozofisë, si dhe ajo çfarë e karakterizon një filozof të vërtetë, liria e mendimit.

Prof. dr. Aleksandër Kocani shprehet se në universitetin publik, filozofia ka një vëmendje të munguar dhe shpesh përpjekjet e pedagogëve për ta risjellë atë në vëmendje, kalojnë pa u dëgjuar.

“Në universitetin shtetëror ndeshemi me një dukuri, përsëritja e ciklit. Nuk janë të interesuar si  të shkojnë përpara. Si mund të progresojmë? Si mund të shkojmë përpara? Këto shqetësime nuk ekzistojnë në universitetet shtetërore. Ata duhet të shohin situatën e tyre aktuale dhe të reflektojnë si mund të shkojnë përpara. Të shtrohet pyetja se si mund të përmirësohen … Por ata nuk e kanë këtë shqetësim, nuk duan sfida”, thotë ai.

Dr. Mandeta Minxhozi, e cila deri para pak kohësh ka qenë përgjegjëse e departamentit të filozofisë në Universitetin e Shkencave Sociale-Universiteti i Tiranës, tregon se largimi i saj nga puna vjen si rrjedhojë e kontradiktave dhe përplasjeve me drejtuesit, për çështje të rritjes së cilësisë që Filozofia ofronte.

“Filozofia po kërkonte të shikonte përpara, të ngrihej, të bënte ndryshim. Departamenti i Filozofisë filloi të bënte seminare, të kërkonte të përmirësohej. Kjo binte ndesh me vizionin e drejtuesve të cilët donin të ruanin status quo-në. Unë u bëra shembull i ‘keq’ për të tjerët, me kërkesat dhe objektivat që kisha në mendje për këtë departament”, tregon ajo.

I larguar që në vitin 2014, prof. dr. Hysamedin Feraj, tregon se largimi i tij vjen si pasojë e përplasjeve me strukturat drejtuese.

“Arsye e largimit ka qenë konflikti me rektorin Dhori Kule, për mënyrën e drejtimit të universitetit publik si pronë e tij private, drejtimin e tij si një ndërmarrje private në të cilën nuk merr asnjë rrezik për investimet që ka bërë ai sepse investimet janë të taksapaguesve, ndërkohë që fitimin e merr komplet vetë”.

Ndërkohë që për sa i përket nismës së ndërmarrë nga UET për shtimin e Humaniteteve ai shprehet: “Kjo është një nismë e mirë, e pritur gjatë, e kërkuar  gjatë nga të gjithë ata që kanë synuar sinqerisht zhvillimin e shpirtit njerëzor dhe shqiptar. Është arritje e UET saje këmbënguljes së fortë nga ky universitet për ta arritur këtë që ka arritur tani. Shqipëria nuk është një mjedis i favorshëm për nismën e UET. Nuk është një mjedis që e mirëpret këtë që i ofrohet. Kjo e nxjerr edhe më shumë në pah virtytin e këtij projekti. Kur ofrohet diçka që shihet si e nevojshme për një publik i cili në fakt nuk e dëshiron si një vlerë në vetvete, të cilën popullsia do duhej ta dëshironte por nuk e dëshiron,  ky është ndoshta virtyti i këtij projekti i arritur saje një këmbënguljeje dhe mostërheqjeje përballë rezistencës edhe në administratë, një vonesë shumë e madhe nga Ministria e Arsimit por edhe rezistencës që ka në mendësinë tonë për të mos e pëlqyer të menduarit më thellë”.

Ndërkohë që edhe dy pedagogët e tjerë janë të mendimit se kjo nismë që UET po ndërmerr është një sfidë.

“Në universitetet private, shteti është shumë i asociuar me politikën. Politika nuk e do filozofinë sepse nuk do një arsye të fortë, nuk do oponenca… Ndërsa nga ana tjetër një universitet privat, është  komercial, por kërkon pikërisht këtë, njerëz me mendim të fortë, arsyetim të fortë, që të jenë konkurrues. Vetëm kush mendon është konkurrues”, shprehet Minxhozi.

Për sa i përket skepticizmit që shoqëron këtë nismë, prof. dr. Kocani shprehet se skepticizmi një filozof nuk e tremb, përkundrazi e bën pjesë të tij.

“Neve të filozofisë jo që nuk na tremb skepticizmi, por e kemi pjesë të vazhdueshme të veprimtarisë sonë të diskutimit, të të menduarit. Skeptikja është e pandashme, është pjesë e mendimit.  Nuk na tremb…”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Konflikti për pronën: Detajet e krimit që tronditi Gjirokastrën

Një konflikt për oborrin ndarës mes dy banesave përfundoi në tragjedi mëngjesin...
Read More