Trump, diplomati egoist

Nga Blendi Lami

Në pak ditë u bëmë dëshmitarë të dy skenave interesante në diplomaci: samiti G7 në Kanada dhe takimi në Singapor. Protagonisti kryesor në të dyja rastet ishte presidenti Trump. Në takimin e parë u vu re një sjellje jodiplomatike e presidentit, ndërsa në takimin e dytë presidenti Trump shfaqi doza të ekzagjeruara të diplomacisë.

Për shumë analistë, G7 dështoi. Madje shkohet më tej, me deklarata të ashpra kundër Trump, duke e akuzuar për futje në krizë të sistemit ndërkombëtar. Sfidoi samitin duke mos u ulur për të bërë kompromis për tarifat, duke mbërritur vonë në takim, duke shfaqur përbuzje për liderët e tjerë, duke u larguar para mbarimit të takimit, duke propozuar rifutjen e Rusisë, duke mos nënshkruar komunikatën e përbashkët, duke fyer më pas kryeministrin kanadez etj. Duke mos nënshkruar komunikatën e përbashkët, në të cilën, ndër pikat kryesore ishin kundërshtimi i taktikave destabilizuese të Rusisë dhe vazhdimi i programit të kontrollit bërthamor të Iranit, Trump vetëm sa thelloi ndasitë me vendet e tjera të Perëndimit. SHBA përbëjnë themelin e rendit ndërkombëtar të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore dhe, nëse presidenti amerikan trondit këto themele, kërcënohet ekzistenca e këtij rendi.

Që pa nisur, samiti në Singapor mendohej se do të ishte një spektakël i dirigjuar nga Trump. Edhe në rast dështimi të kësaj marrëveshjeje, ish-prezantuesi televiziv, tashmë president, do të mbetet në qendër të vëmendjes. Në konferencën e shtypit, Trump lavdëroi veten për arritjen të marrëveshjes historike me Korenë e Veriut – ndonëse dy marrëveshjet e mëparshme – në vitet 1994 dhe 2005 – kanë qenë më detyruese ndaj vendit totalitar, pasi përfshihej inspektimi dhe verifikimi. Trump dha vlerësime të shumta për diktatorin Kim, disa ditë pasi kishte fyer aleatët e tij, gjë që përçoi në botë mesazhin se egoja e një njeriu është më e rëndësishme se prioritetet dhe vlerat amerikane. Presidenti Trump e vijoi euforinë edhe pas samitit të Singaporit, me postime, ku i quante “përçmues dhe dështakë” kritikët e tij dhe listonte sukseset e tij e arritura me shtetin koreanoverior.

Në të dyja rastet e mësipërme bie në sy egoja e presidentit.

Egoizmi në negociata është një fenomen i kahershëm në diplomaci. Në varësi të rrethanave, karakteri i një negociatori mund të marrë përparësi në raport me interesat që ai përfaqëson. Studiuesi i negocimit ndërkombëtar, Paul Meerts, e quan këtë dimension “egotiation” (lojë fjalësh që lidh “ego” dhe “negotiation”) dhe thekson se “egoja e negociatorit përbën pengesë për përfaqësimin efikas të interesave shtetërorë”. Në këtë rast, nuk bëhet fjalë për ego në kuptimin frojdian, por në kuptimin politik: krijimi i imazhit dhe prestigjit të një politikani negociator. Në shumë raste, mbrojtja e imazhit të vetvetes konsiderohet më e rëndësishme sesa vetë thelbi i negociatës. Te kjo kategori politikanësh, ruajtja e dinjitetit personal dhe vendit të tyre ka përparësi në krahasim me nevojat dhe interesat e shtetit.

Historia njeh liderë të shumtë që kanë vendosur egon përpara interesave shtetërorë. Meerts ka trajtuar personalitete me peshë të madhe. Për shembull, Uillson ishte shumë idealist dhe egoist, dhe u zu në kurthin e ideve të veta; Nikson ishte realist, si edhe viktimë e imazhit të vet narcizist; Stalini dyshonte gjithmonë te të tjerët dhe vetëm në këtë mënyrë mund të mbijetonte në politikë; Hitleri vendosi për të sunduar Europën, pse jo dhe botën, sa të ishte gjallë, dhe ishte i gatshëm të sakrifikonte 60 milionë njerëz për të kënaqur egon.

Referuar zhvillimeve të fundit, mendohet se liderët e sotëm dhe të ardhëm tregohen më pak egoistë, teksa duhet të kalojnë në disa filtra kufizues. Alfred Van Staden, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, thotë se “lidershipi në kohët moderne – dhe sidomos në demokraci – është detyrë gjithnjë e më e vështirë për t’u përmbushur, për shkak të rolit në rritje të publikut, mediave sociale, popullatave më të arsimuara, globalizimit, sistemit multipolar dhe llogaridhënies tek elektorati. Në këtë kontekst, supozohet se liderët e të ardhmes do të kenë më pak ndikim në proceset negociuse, për shkak të egos së kufizuar. Një gjë e tillë sjell reduktim të paparashikueshmërisë dhe stabilizim të proceseve. Megjithatë, Van Staden thotë gjithashtu se një “ekuilibër perfekt mes egos dhe mbrojtjes së interesave do ta bënte të vështirë arritjen e rezultateve në situata krizash, pasi në këto raste nevojiten liderë të fortë që bëjnë diferencën dhe zgjidhin ngërçet e papritura”.

Duke marrë parasysh dështimin e takimit G7 dhe herë të tjera kur Trump është tërhequr nga sistemi ndërkombëtar (programi me Iranin, marrëveshja e Parisit, NAFTA), si dhe të ashtuquajturin sukses në rastin e takimit me liderin e Koresë së Veriut, ku dha spektakël të mirëfilltë, rezulton se lideri amerikan i jep përparësi egos në krahasim me interesat. Është një personazh që sfidon qartazi koniunkturat dhe sistemin, dhe përforcon statusin e tij si i paparashikueshëm, intuitiv dhe, normalisht, egoist. Ndoshta, Boris Johnson i referohet kësaj lloj sjelljeje, teksa ka thënë për Trump: “Po e adhuroj Donald Trump gjithnjë e më shumë. Ka një metodë në çmendurinë e tij”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Kashar: Shfaqen vatra të reja zjarri gjatë mëngjesit, ja dyshimet e para

Vatra të reja zjarri janë ndezur këtë mëngjes në fabrikën e riciklimit,...
Read More