Turistët erdhën, por ajo që mungon është industria e turizmit

Nga Ervis Iljazaj

Kushdo që ka kaluar një fundjavë në bregdetin shqiptar, e ka kuptuar që turistët e huaj në Shqipëri këtë sezon kanë mbërritur më parë se vitet e tjera. Mjafton të shihje bregdetin e Durrësit dhe do të dëgjoje një shumëllojshmëri gjuhësh. Ky është një lajm i mirë për ekonominë shqiptare në vështirësi. Ndoshta fluksi i turistëve do t’iu japë një frymëmarrje xhepave të njerëzve që merren dhe punojnë në këtë sektor.

Fillimi duket i mbarë në këtë sezon të turizmit, gjithashtu atmosfera që ekziston në mediat e huaja që përcaktojnë Shqipërinë në një nga destinacionet e rëndësishme për të kaluar pushimet verore.

Mirëpo, kësaj atmosfere shteti shqiptar duhet t’i përgjigjet sa më shpejt dhe në mënyrën e duhur nëse vërtet nuk dëshirojmë që Shqipëria të humbë një nga asetet e saj më të rëndësishme, ndoshta, të vetmin të zhvillimit ekonomik.

Edhe këtë vit, si çdo vit, mediat raportojnë për problematikat e ndryshme. Duke filluar që nga problemi i mbetjeve e deri tek infrastruktura e duhur që mungon në shumë prej destinacioneve potenciale turistike.

Këto janë probleme për t’u zgjidhur, por, që ta kthejmë turizmin në një industri kombëtare, me gjithë kuptimin e fjalës, duhet një ndërhyrje strategjike, që kërkon para dhe investime të mëdha.

Që ta kthesh turizmin në një industri është diçka më serioze dhe impenjative se sa problematikat e përditshme që has çdo ditë. Duhet një vendim i madh shtetëror për të orientuar drejt bregdetit investimet për turizmin.

Mjaft më me rrugët e komunave që harxhojnë para të buxhetit pafund. Lekët e buxhetit duhet të shkojnë drejt turizmit që na sjell para dhe, nesër dhe pasnesër edhe për rrugët e fshatit. E gjithë logjika e investimeve duhet të bazohet në një analizë kosto përfitim dhe, përfitimet janë te turizmi.

Edhe pse në fshatrat e Shqipërisë jetojnë po ashtu njerëz me të gjitha të drejtat si çdo qytetar tjetër për të jetuar në mënyrë dinjitoze, investimet që janë kryer nëpër rrugë ku jetojnë një numër i vogël popullsie, nëse do të drejtoheshin drejt turizmit, sot, do ta kishim atë në një stad tjetër. Çështja e investimeve publike, duhet të kthehet në një çështje prioritetesh. Prioritet më të madh, që është potenciali më i madh ekonomik, përveç turizmit Shqipëria nuk ka dhe nuk duhet të ketë.

Vendet me të cilat kufizohet Shqipëria, Mal i Zi, Greqia, Italia, janë kolosë të turizmit botëror dhe, në këtë mënyrë bëhet pothuajse e pamundur konkurrenca me to. Turistët e huaj që prekin Shqipërinë, më së shumti e bëjnë atë si pjesë e një itinerari të caktuar dhe jo si destinacionin kryesor.

Nëse duam vërtet që këtë potencial ta kthejmë në mundësi të zhvillimit ekonomik kombëtar dhe t’i bëjmë ballë konkurrencës së vështirë me vendet fqinje, lipset një strategji totalisht e kundërt nga ajo që kemi patur deri më tani.

Turizmi kthehet në industri, jo me plane lokale apo me iniciativa personale të bizneseve dhe operatorëve turistikë, por me një vendim shtetëror dhe një plan kombëtar, i cili ka munguar.

Sigurisht, që disponibiliteti i investimeve publike është i kufizuar. Mjafton që t’i drejtojmë në sektorë që na i kthejnë shumëfish ato dhe, kështu do të ketë mundësi për të investuar dhe për rrugët e pafundme të komunave dhe domosdoshmëri të tjera.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Fotoreportazhi: Mesha e patriarkut rus, nën masa të blinduara dhe mes konspiracionit

Mëngjesin e së dielës, Patriarku i Kishës Ortodokse Ruse, Kirili mori pjesë...
Read More