UET Alumni/Profil, Erjola Limani: Mos u dorëzoni para vështirësive që hasni në tentativat e para për punë

 

Erjola Limani është një ndër UET Alumni që sot po korr sukses profesional në fushën e Drejtësisë. Prej disa kohësh ajo operon si Avokate në Zyrën e saj të Avokatisë në Tiranë. Erjola është një ndër ish studentet e shkëlqyer të UET, e cila pas diplomimit ndërtoi dhe zhvilloi një karrierë profesionale falë zhvillimit të aftësive të saj në auditoret e Universitetit Europian të Tiraëns.

Znj. Limani përfundoi studimet e saj në nivelin BA dhe Master pranë Universitetit Europian të Tiranës, përkatësisht në nivelin Bachelor për Drejtësi dhe Master Shkencor në Profilin “E drejtë Private dhe Biznesi”. Gjatë studimeve të saj, Erjola filloi të kuptojë se ëndrra e saj për t’u bërë avokate, po bëhej çdo ditë e më e prekshme. Menjëherë pas përfundimeve në UET, Erjola nisi të studiojë në Shkollën e Avokatisë, ku më pas u licencua si Avokate. Sot ushtron profesionin që ka zgjedhur duke punuar në studion e saj.

Kur nisët studimet, si e morët vendimin të zgjidhnit një universitet privat dhe veçanërisht UET-in?

Duke ju falenderuar për intervistën, shpresoj shumë që eksperienca ime të ndihmojë sadopak studentë apo maturantë që janë në dilemën në të cilën isha dhe unë 7 vjet më parë. Duke qenë koshiente për rëndësinë e studimeve, m’u desh realisht shumë kohë të vendosja për universitetin në të cilin do studioja. Vij nga një familje arsimdashëse, ndaj për ta ishte e rëndësishme që unë të studioja në një universitet cilësor.  Zgjedhja për të studiuar në UET erdhi pasi kisha marrë  informacion të përgjithshëm lidhur me universitetin dhe mënyrën e funksionimit të tij.

Çfarë gjetët diçka të keqe ose të mirë, që nuk prisnit në UET?

Në kohën kur unë nisa studimet nuk isha në kushtet për të vlerësuar se ç’të mira apo ç’të këqija kishte UET. Unë isha aty si një maturante që kërkonte të eksploronte për të gjetur vetveten dhe për të ndërtuar të ardhmen. Mbaj mend ditën time të parë në universitet, e vogël përballë një universiteti të madh e të zhurmshëm. Ndihesha e përhumbur derisa dikush nga stafi erdhi dhe më pyeti nëse kisha nevojë për ndihmë. Ishte një nga personat përgjegjës për orientimin e studentëve. Më mori dhe më drejtoi drejt sallës ku disa nga drejtuesit po shpjegonin se si funksiononte procesi mësimor, por jo vetëm. Kjo ishte diçka e vogël që nuk e prisja ta gjeja aty, por më bëri të ndihem sikur i përkas atij vendi. Tani që kthehem pas në kohë, nuk vlerësoj vetëm javën e orientimit në UET, por mendoj se UET kishte pedagogë të kualifikuar, orientim karriere të konsoliduar, sistem vlerësimi të drejtë, programe studimi të standartizuara, metodologji bashkëkohore, hapësirë vendimmarrje për studentë, si dhe kultivonte e nxiste mendimin kritik dhe fjalën e lirë. Të marra në analizë të gjithë këto elementë, sot janë pikërisht ato elementë që e bëjnë një institucion arsimor të mirë.

Kur ndoqët programin mësimor të ciklit tuaj të studimeve, si ishte në raport me pritshmëritë tuaja në atë moment?

Tashmë si e diplomuar në Fakultetin e Shkencave Juridike në Bachelor dhe Master Shkencor, mund të them që të dy nivelet e studimit përbëhen nga programe mësimore, të cilat i përshtaten kërkesave të tregut të punës dhe janë mëse të asimilueshme nga studentët. Nga sa më lart, në këndvështrimin tim, UET harmonizon më së miri ato që një studenti i duhen, studimet në nivel teorik dhe atë praktik, këshillimin e karrierës dhe orientimin në tregun e punës. Sa i përket lëndëve që e përbëjnë programin, ato jo vetëm janë të rëndësishme në formimin e përgjithshëm, por gjithashtu mënyra se si pedagogët i zhvillojnë këto lëndë dhe mënyra se si ato i trajtojnë studentët e bëjnë të gjithë procesin tejet rezultativ. Konkretisht, në studimet e mia kam hasur lëndë të një shkalle vështirësie mbi mesataren, por bashkëpunimi me pedagogët i ka bërë ato lehtësisht të përvetësueshme.

Pasi kryet studimet dhe nisët tentativat e para në botën e punës, çfarë instrumentash ju dhanë studimet për të avancuar më tej?

Padiskutim që vështirësia më e madhe për një student është  kalimi nga auditorët e universitetit në tregun e punës. Një  periudhë kjo që kërkon angazhim maksimal dhe përkrahjen e duhur. Tentativat e para përgjithësisht janë të dështuara, nuk mund të mendojmë se tregu i punës mezi pret për ne, sikurse është gabim të mendojmë se aty nuk ka vend për ne. Realiteti është ndryshe.  Duhet vendosshmëri dhe guxim, duhen bashkëpunëtorë dhe orientim.  Personalisht, formimi që kam marrë në UET më ka ndihmuar të depërtoj lehtësisht në tregun e punës, pasi kur ke njohuritë e duhura teorike dhe praktike, të bën të kesh vetëbesim dhe të mos stepesh përballë refuzimeve të para. Pastaj fakti që UET ofron praktikë si lëndë mësimore më njohu me individë brenda sistemit,  të cilët potencialisht mund të jenë punëdhënës.

Çfarë do të donit sot të ndryshonit në raport me studimet që keni bërë në UET?

Futem tek ato studentë që kam dëgjuar me vëmendje dhe përqëndrim maksimal gjithçka që pedagogët ofronin, ndaj ky fakt m’i ka bërë më të bukura dhe më të lehta studimet. E them me krenari që kam marrë maksimumin për sa lidhet me studimet, por nëse do më jepej mundësia t’i rinisja nga e para studimet do ndryshoja qasjen time ndaj mundësive që universiteti ofron. Në UET nuk duhet humbur asgjë. Çdo organizim si, leksione të hapura, intervista me personazhe publike, diskutime apo “debate” me pedagogët, aktivitete të profileve të ndryshme janë vlerë e shtuar për studentët edhe pse unë duke qenë e përqendruar tek studimet nuk i kam vlerësuar aq sa do doja.

Çfarë sugjerimi do i jepnit si Alumni që keni provuar edhe studimet edhe karrierën, një studenti në UET?

Siç edhe më lart jam shprehur UET ofron më shumë se sa thjesht programe të mira studimi apo pedagogë të kualifikuar. UET ofron aktivitete të larmishme që ju mundëson studentëve që përveç se të zgjerojnë diapazonin e tyre, të krijojnë edhe kontakte të vlefshme. Studentët duhet të kapin çdo mundësi, duhet të mos ngurojnë të pyesin apo të përgjigjen qoftë edhe gabim. Ashtu sikurse shpesh dëgjojmë, nga gabimi realisht mëson. Do i sugjeroja çdo studenti që të mos dorëzohej përpara vështirësive që hasin në tentativat e para për punë. Asgjë nuk është aq e vështirë sa duket. Çdo gjë e vështirë përbëhet nga gjëra të thjeshta.

Çfarë do i sugjeronit UET të përshtasë në lidhje me tregun e punës, diferenca: programi mësimor-kërkesat e botës së punës?

Tregu i punës është dinamik dhe UET deri diku është po aq dinamik. Nga viti në vit ka patur përshtatje dhe përmirësim të  programeve të studimit pikërisht për shkak të kërkesave  të tregut. Çdo ditë e më shumë universiteti është më pranë përgatitjes së studentit për kalimin nga auditori në pozicionin e të punësuarit.

Çfarë do i thoshit sot një maturanti apo dikujt që do te ndjekë studimet në UET?

Unë e zgjodha UET-in dhe nuk u zhgënjeva nga ai. Shumë ish-studentë  që zgjodhën UET kanë një karrierë të konsoliduar falë studimeve cilësore të marra aty. Diploma ime mban vulën e UET dhe karriera ime është në rrugën e duhur falë themeleve të forta të ndërtuara me vite. Ndaj cilido që kërkon formim cilësor dhe një aleat të fortë për një të ardhme të suksesshme është në  vendin e duhur.

Mes tri alternativave të studimeve, studimeve në universitet shtetëror, privat apo jashtë vendit, cila është zgjedhja më e mirë për ju?

Vij nga një eksperiencë studimesh si nga një universitet shtetëror dhe në atë privat, por jo nga ajo jashtë vendit. Kam qënë dhe mbetem fanatike e qëndrimit, sepse nëse do të jetosh dhe punosh në Shqipëri, si dhe nëse zgjedhja juaj për të studiuar ka të bëjë me sistemet sociale kulturore, ekonomike apo juridike ju duhet të studioni në Shqipëri. Kush më mirë se pedagogët tanë e njeh realitetin dhe e përgatit pikërisht për tregun e punës këtu. Sa i përket studimeve ne universitet publik apo privat duhet pranuar që në universitetet private cilësore është investuar dhe ofrohet më shumë në disa aspekte.

Cilën do të veçonit gjatë kësaj periudhe që nga diplomimi deri më sot, arritjen më të rëndësishme profesionale apo të karrierës?

Eksperienca universitare dhe ajo pas universitare ka shënjuar për mua arritje të rëndësishme si profesionalisht edhe shpirtërisht. Fakti që falë dëshirës dhe përkushtimit në 5 vite studimi arrita të diplomohem me sukses në Bachelor për Drejtësi dhe Master Shkencor në Profilin “E drejtë Private dhe Biznesi”,  filloi të bëhej çdo ditë e më e prekshme ëndrra ime për t’u bërë Avokate. Në realizim të saj fillova Shkollën e Avokatisë dhe më pas u licensova si Avokate. Sot ushtroj dhe dashuroj çdo ditë e më shume profesionin që kam zgjedhur duke punuar bashkë me tim shoq (te dy ish-studentë të UET) në Studion tonë të Avokatisë. Për mua gjithçka e vogël që më ka shoqëruar në arritjet e mia është  po aq e rëndësishme sa dhe vetë arritja. Jam falenderuese për gjithçka kam arritur deri tani, por jam koshiente që ky është veten fiilimi pasi, pas çdo arritje ka një synim të ri.

Shkruar Nga
More from Redaksia

“Interpelanca”, Nikolla: Problemet e Universitetit të Tiranës janë probleme të brendshme

  Ministrja e Arsimit Lindita Nikolla është thirrur në interperlancë këtë të...
Read More