UET, pjesë e projektit ndërkombëtar Rebus: 13 studentët që shkuan në Graz të Austrisë rrëfejnë eksperiencën

Fokusi i projektit është mbi sipërmarrjen, matjen e kompetencave sipërmarrëse, duke u dhënë mundësi studentëve që krahas diplomës, të marrin dhe një certifikatë që dëshmon kompetencat e tyre në sipërmarrje, por dhe kompetenca të tjera, të domosdoshme në një shoqëri të dijes dhe të informacionit.

Një grup prej 13 studentësh të Universitetit Europian të Tiranës, kanë zhvilluar një vizitë mësimore në Universitetin e Grazit në Austri. Qëndrimi i tyre dyjavor në këtë institucion u bë i mundur falë projektit ReBUS-Ready for Business, projekt Erasmus+ për Ngritjen e Kapaciteteve në Arsimin e Lartë, pjesë e së cilit është edhe UET. Atje studentët patën mundësinë të zhvillonin më tej idetë e tyre të biznesit dhe aftësitë sipërmarrëse si dhe të bëheshin pjesë e një konkursi me dy universitete të tjera, partnerë të këtij projekti.

“Universiteti Europian i Tiranës është pjesë e Konsortiumit të Projektit Rebus, i cili synon zhvillimin, testimin, vlerësimin, integrimin gjithëpërfshirës dhe nevojat që nxisin modulet e hapura mësimore për të promovuar aftësitë sipërmarrëse nga Ballkani Perëndimor dhe Rusia si një ndërthurje e edukimit akademik dhe mësimdhënies në praktikë të koncepteve të biznesit”, tregon dr. Ketrina Çabiri Mijo, drejtore e Zyrës së Projekteve dhe Partneriteteve në UET.

Universitete të njohura europiane janë, gjithashtu, pjesë të projektit.
“Partnerë të këtij projekti janë Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike i Universitetit të Sarajevës, dieBerater dhe Universiteti FH JoanneumGesellschaft në Austri, Korporata BlinceGe e Institucioneve të Ndërthurura Arsimore dhe Universiteti Duisburg Essen në Gjermani, Universiteti i Palermos në Itali, Universiteti “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit, Kolegji Universum në Prishtinë, Universiteti “Kadri Zeka” në Gjilan, Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike i Podgoricës në Malin e Zi, Universiteti Shtetëror i Volgës dhe Universiteti Shtetëror i Telekomunikacionit dhe Informatikës në Siberi”, shton ajo.

Studentët janë përzgjedhur për të qenë pjesë e kësaj vizitë në konkursin “Ideja më e mirë e biznesit” që zhvillohet në UET kuadrin e lëndës “Hyrje në biznes” të drejtuar nga prof. dr. Ermira Qosja dhe msc. Ertila Druga.

“Ky organizim është prej disa vitesh një traditë në Universitetin Europian të Tiranës, që kalon përmes një procesi të gjatë seleksionimi ku marrin pjesë rreth 400 studentë të vitit të dytë dhe të tretë, nga Fakulteti i Ekonomisë, Biznesit dhe Zhvillimit. Lënda “Hyrje në biznes” ka bërë pjesë të silabusit të saj metodologjinë në të cilën ngrihet i gjithë projekti Rebus, i cili ka në fokus sipërmarrjen, matjen e kompetencave sipërmarrëse”, tregon prof. dr. Ermira Qosja, e cila ka qenë edhe pedagogia e cila ka shoqëruar këtë përfaqësi studentësh në Graz.

Studentët e UET ishin përfaqësues si në fjalime ashtu dhe në grupet më të mira që vazhduan garën deri në fund. 3 biznese zgjodhën 3 çështje dhe studentët të ndarë në 19 grupe nga 5-6 persona në grup, duhet t’i jepnin zgjidhje. 19 skuadrat prezantuan secila nga 2 minuta dhe 6 skuadrat nga 2 më të mirat për grup, prezantuan për 15 minuta. Pas kësaj u shpallen 3 fitues, nga një për çështje. Në grupin fitues bënte pjesë edhe studenti i UET, Amarildo Myrtezaj.

“Ky konkurs paraqiti një sfidë interesante për studentët tanë. Ata u angazhuan në diskutime, u prezantuan me një tjetër perspektivë në lidhje me sipërmarrjen dhe inovacionin, si dhe patën mundësinë të bashkëpunonin me kolegët e tyre europianë. Rezultatet treguan edhe njëherë standardin europian me të cilin UET formëson studentët e tij përgjatë gjithë viteve të studimit”, u shpreh prof. dr. Ermira Qosja.

Por si ka qenë eksperienca e studentëve, çfarë kanë përfituar prej saj dhe cilat janë pritshmëritë e tyre për të ardhmen?

Perspektiva që hapen

Ervin Karmaj, Informatikë Ekonomike, viti i parë Master
“Projekti REBUS ishte një eksperiencë sa e bukur aq edhe formuese. Ai na ndihmoi të rrisim aftësitë ndërvepruese, frymën e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të ideve; na mësoi të punojmë në grup me persona që jo domosdoshmërisht janë shokët tanë dhe kjo ndikoi që te ne të vihen në provë njohuritë dhe karakteri ynë. Kalitja e karakteristikave tona profesionale dhe personale çoi drejt rritjes sonë si individë dhe hapi shumë dyer me të cilat do të përballemi së shpejti. Ishte një sprovë e vogël që na përgatiti për të ardhmen. Me projektin REBUS do të kemi një plus në CV-në tonë, një aftësi më shumë, një mundësi më shumë; që edhe ne si çdo student europian kemi të njëjtën të drejtë për të studiuar në çdo universitet dhe për t’u punësuar kudo ku kemi dëshirë për të treguar kapacitetin tonë”.

Vanesa Rushiti, Financë-Bankë, viti i tretë
“Erasmus + është një projekt që prej shumë vitesh bashkëpunon me UET për shkëmbimet studentore si dhe financimin e projekteve të ndryshme, një prej të cilëve ishte dhe Rebus Project, projekt i cili mua dhe të gjithë studentëve pjesëmarrës u ofroi mundësinë për zhvillimin e aftësive sipërmarrëse si dhe shkëmbim ndërkulturor. E gjitha filloi me pjesëmarrjen tonë në konkursin Ideja më e mirë e biznesit, nga ku u përzgjodhëm për të marrë pjesë në këtë vizitë studimore. Vizita studimore në Graz ishte për mua eksperienca më e bukur gjatë periudhës së studimeve të mia në UET. Por nuk ishte thjesht një eksperiencë studimore, universiteti pritës FH JOANNEUM gjithashtu na ofroi mundësinë për të kryer studimet master në atë universitet. Gjithmonë puna që bën ka shpërblimin e saj, prandaj ftoj të gjithë studentët të mos ndalen dhe të punojnë sa më fort për të patur rezultate apo rrugë karriere të hapura në të ardhmen. Këto lloj projektesh vërtetojnë gjithnjë e më tepër që UET është universiteti i shumë mundësive”.

Emocionet e fitores

Amarildo Myrtezaj, Informatikë Ekonomike, viti i parë Master
“Një fitore e cila të shijon më shumë pas një konkurrence të frikshme. Të gjithë ishin shumë kompetitivë dhe shumë të angazhuar për të zgjidhur çështjet. Një emocion më i veçantë u bë pasi kisha të gjithë mbështetjen e grupit nga UET edhe pse në shumë raste ishim kundërshtarë për të arritur te fitorja, mbështesnim njëri-tjetrin. Të gjitha grupet ishin të angazhuara dhe puna vazhdonte deri në orën 18:00 në shumë raste për të arritur në një konkluzion. Puna e grupit ishte ajo që fitoi pasi pas shumë idesh të hedhura, të argumentuara dhe të punuara arritëm në konkluzionin më të mirë i cili ishte edhe fitues. Puna në grup është çelësi i çdo suksesi të madh. Emocionet përjetohen më shume kur puna merr shpërblimin e duhur”.

Thirrje për angazhim në aktivitete

Valbona Muso, Menaxhim Biznesi, viti i parë Master
“UET si një universitet polivalent ofron mundësi të shumta për studentët e tij jo vetëm gjatë studimeve por edhe pas tyre. Leksionet dhe seminaret janë pjesë e rëndësishme e jetës akademike, por UET nuk ndalet me kaq sepse ai ofron aktivitete, konkurse dhe shumë organizime studentore të cilat përmbushin jetën studimore. Aktivitetet në ambientet e universitetit iu ofrojnë studentëve një hapësirë ndryshe ku përfitojnë një orientim në karrierë dhe mundësi të ndryshme për projekte ndërkombëtare si për shembull Erasmus+ . Pjesëmarrja ime në këto aktivitete mundësoi që unë të merrja pjesë në projektin ndërkombëtar Rebus. Kjo ka qenë eksperienca ime më frytdhënëse dhe më e bukur. Ju bëj thirrje të gjithë studentëve të UET që të bëhen pjesë e aktiviteteve të ndryshme nga universiteti sepse janë mundësi shumë të mira për të gjithë studentët”.

Xhesi Shkreta, Financë-Bankë, viti i tretë
“Jam shumë e lumtur që isha pjesë e projektit Rebus, i cili më mundësoi jo vetëm njohjen me studentët e huaj dhe bashkëveprimin me ta, por dhe marrjen e njohurive të reja në fushën ku unë studioj. Duke marrë shkas nga kjo eksperiencë, që padyshim do mbahet mend gjatë, do doja t’iu bëja thirrje të gjithë studentëve të UET-it të angazhohen në të tilla aktivitete, apo dhe të tjera të ngjashme, që ofrohen vazhdimisht nga universiteti ynë. Përfitimet janë të shumta, duke nisur që nga zhvillimi i aftësive, përvoja, lidhjet që krijohen, e pse jo dhe një CV më e pasur”.

Bashkëpunimi në grupe

Ronaldo Vushaj, Financë-Bankë, viti i tretë
“Eksperienca në FH Joanneum Graz veçse një përvojë mjaft e vlefshme, ishte dhe një “test” i aftësive për bashkëpunimin në grup. Dhe pse ndoshta bashkëpunimi në grup ka qenë i shpeshtë në UET (për kurset e lëndëve, në konkurse idesh, në klubet studentore etj.), veçantia e këtij bashkëpunimi ishte sepse anëtarët e grupeve ishin nga disa vende të ndryshme, por një qëllim i vetëm, gjetja e zgjidhjeve të problematikave që na parashtruan 3 biznese të ndryshme. Ndryshe nga pritshmëritë, bashkëpunimi ishte shumë më i frytshëm. Ndërthurja kulturore që ndoshta pritej të ishte sadopak pengesë, u kthye në armën më të fortë të grupit, duke e bërë më të lehtë bashkëpunimin dhe punën duke shpalosur secili idetë dhe përvojat e njohuritë rreth çështjeve. Por veç bashkëpunimit, te të gjithë grupet kishte frymë harmonike dhe u krijuan mjaft miqësi, shkëmbim kontaktesh, si dhe ftesa mikpritjeje në qytetet e tyre. Si përfundim kjo eksperiencë ishte e kompletuar në të gjitha aspektet dhe shpresoj që UET në bashkëpunim me programet ERASMUS të sjellin të tjera projekte të ngjashme për studentët”.

Uendi Gjoni, Financë-Bankë, viti i tretë
“Na ka ndodhur shpesh që në detyra kursi apo në projekte të ndryshme të zhvilluara në shkollë të bashkëpunojmë me studentë të tjerë, por projekti që sapo mbyllëm përfshinte një bashkëpunim paksa te veçantë . Ishim 19 grupe prej 5-6 personash për grup ku bashkëpunimi përfshinte studentë nga Shqipëria, Kosova , Austria dhe Rusia. Komunikimi ishte tepër i lehtë dhe e veçanta qëndronte në faktin që studentë nga 4 vende të ndryshme bashkëpunonin për arritjen e një qëllimi: zgjidhja e çështjeve të dhëna nga biznese aktuale në Graz, Austri. FH Joanneum Graz e bëri më të lehtë punën tonë dhe Universiteti Europian i Tiranës na ofroi mundësinë për të marrë pjesë në një projekt ndërkulturor. Kjo eksperiencë do të mbetet gjatë në memorien tonë jo vetëm për arsyen që ishte hera e parë që bashkëpunonim me studentë të shteteve të ndryshme por që ishim të parët që e zhvilluam këtë projekt dhe pse jo të zgjerojmë mundësitë për bashkëpunime të mëtejshme”.

Krahasimi i metodologjisë së dy universiteteve

Eglentina Iljazi, Menaxhim Biznes, viti i tretë
“Projekti Rebus padyshim që ishte një eksperiencë e paharrueshme argëtimi dhe bashkëpunimi në grupe internacionale prej së cilës të gjithë mësuam diçka më tepër. Gjithçka ishte sa e ndryshme po aq edhe e ngjashme. Metodologjia e përdorur nga universiteti i FH Joanneum ishte në thelb i njëjtë me atë të universitetit Europian të Tiranës, pasi të dy universitetet përdorin standardet europiane dhe ofrojnë një mësimdhënie cilësore. Si rrjedhojë, përshtatja me kurrikulat austriake ishte shumë e shpejtë dhe e lehtë. Pjesëmarrja dhe angazhimi ishte po i njëjtë si nga studentët e UET, ashtu edhe prej studentëve të tyre dhe stafi akademik na ofronte asistencë të vazhdueshme duke na bërë të ndiheshim si në shtëpi”.

Anisa Marko, Financë-Bankë, viti i tretë
“Pjesëmarrja në projektin Rebus ishte një mundësi e mirë për të pasuruar CV-në si dhe për të marrë sa më shumë njohuri mbi botën e biznesit dhe problematikat me të cilat përballen realisht kompanitë. Ndërveprimi kulturor ishte një pikë kyçe në këtë projekt. Bashkëpunimi në grup me studentë nga Kosova, Rusia apo Austria na bëri të njohim më shumë vendet e tyre, për mënyrën studimit dhe kulturën e secilit prej tyre”.

Pjesëmarrja në një eksperiencë të re

Hera Behari, Financë – Bankë, Viti i tretë
“Pjesëmarrja në këtë aktivitet ishte një eksperiencë që zgjeron horizontet. Gjatë kësaj vizite studimore thelluam më tej dhe vumë në praktikë dijet e marra në universitetin tonë në fushën e sipërmarrjes. U përballëm me probleme reale të jetës së një kompanie dhe dhamë ide të reja për zgjidhjen e tyre. E gjithë kjo, në bashkëpunim me studentë nga Kosova, Rusia dhe Austria.
Ky aktivitet është ilustrimi perfekt i globalizimit në fushën e sipërmarrjes: studentë me prejardhje dhe formime të ndryshme duke punuar së bashku për të prodhuar ide dhe zgjidhje novatore”.

Jakovina Tirana, Financë-Bankë, viti i tretë
Pjesëmarrja në këtë aktivitet në Graz i dha një dimension tjetër formimit tim kulturor, njoha miq të rinj, bashkëpunuam së bashku në projekte të reja, udhëtova në një qytet të ri. Nga kjo eksperiencë krijova një ide më të qartë për karrierën në të ardhmen. Nëse do ta ktheja kohën pas, do të doja shumë të kthehesha sërish në Graz. Eksperiencë sa e vlefshme po aq dhe e bukur.

Ndërveprimi kulturor

Esi Rryta, Financë-Bankë Viti i parë Master
“Një nga pikat më të rëndësishme të projektit Rebus ishte ndërveprimi kulturor. Të gjithë studentët e UET patën mundësinë të punonin së bashku me studentë nga Kosova, Austria dhe Rusia. Për mua ky projekt ishte një eksperiencë ndryshe nga të tjerat dhe shumë interesante. Gjatë këtyre dy javëve intensive pata mundësinë të njihesha me studentë të ndryshëm, të ndanim idetë tona, të punonim fort për rastet e dhëna dhe më e rëndësishmja të arrinim të krijonim një prezantim final dinjitoz. Përtej punës në projekt, çdo student krijoi miq të rinj dhe ndanë me njëri-tjetrin eksperiencat e vendeve të tyre rreth kulturës dhe mënyrës së jetesës. Mikpritja dhe sjellja e studentëve vendas të bënte të ndiheshe tepër komode. Në përfundim të vizitës sonë në Graz, ne i ftuam të gjithë studentët të vizitonin Shqipërinë dhe pse jo të takohemi sërish këtu”.

Juna Gryka, Financë-Bankë, viti i tretë
Pjesëmarrja në projektin Rebus ishte një mundësi e mirë për të pasuruar CV, si dhe për të marrë sa më shumë njohuri mbi botën e biznesit dhe problematikat me të cilat përballen realisht kompanitë. Ndërveprimi kulturor ishte një pikë kyçe në këtë projekt. Bashkëpunimi në grup me studentë nga Kosova, Rusia apo Austria na bëri të njohim më shumë vendet e tyre, për mënyrën studimit dhe kulturën e secilit prej tyre.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Muzeu Wende: “Diktatori” i Maks Velos në koleksionin e Luftës së Ftohtë

Këto ditë në një pavijon të Muzeut Wende janë ekspozuar katër punime...
Read More