UET Polivalent: Tashmë me Diploma Profesionale në 5 programe studimi

Përveç studimeve në Bachelor, Master dhe Doktoraturë, Universiteti Europian i Tiranës vjen me 5 programe në Diploma Profesionale në Kontabilitet, Menaxhim, Turizëm, Aplikime Informatike, Dizajn dhe Modë

Universiteti Europian i Tiranës, pas dymbëdhjetë vitesh kontribut në historinë e arsimit të lartë shqiptar duke ofruar tri cikle studimesh: Bachelor, Master dhe Doktoraturë, vendosi që të ofrojë edhe 5 programe Diplomash Profesionale në Kontabilitet, Menaxhim, Turizëm, Aplikime Informatike, Dizajn dhe Modë. Rrugëtimi i studimeve të programeve profesionale nuk është i thjeshtë, por një gjetje e re në sistemin arsimor pas reformës arsimore ‘Rama’ të vitit 2015. Në kuadrin e Diplomave Profesionale, Universiteti Europian i Tiranës mirëpret studentë me notë mesatare ndërmjet 5 dhe 7. Kryerja e një programi profesional, në një universitet me emër, i cili i përfshin të gjitha ciklet e studimeve, ofron një garanci shtesë për suksesin e studimeve profesionale për të qenë sa më pranë tregut të punës. E ardhmja e botës së punës është e paditur, interaktiviteti ose shpejtësia e reagimit të universitetit ndaj botës së punës, dhe botës e punës ndaj universitetit, është kushti bazë.

Presidenti i Universitetit Europian të Tiranës, Adrian Civici, si iniciator për hapjen e programeve të studimit profesional, shprehet se ‘do ta vëmë theksin pikërisht te krijimi i dinjitetit të profesionit’.

“Për sa i përket turizmit, para dy vitesh kur u bë një studim për këtë sektor dhe u hartua Strategjia e Turizmit në Shqipëri, rezultoi një shifër e tmerrshme. Nga të gjithë punonjësit në sektorin turistik shqiptar, vetëm 6 për qind prej tyre kishin një specializim në turizëm më shumë se dy javë. 94 për qind e mbetur nuk kishin asnjë ditë specializim, shkollë apo studim që kishte të bënte me turizmin. E krahasuar me Kroacinë, e cila natyrisht është shumë më e zhvilluar, rezultoi se mbi 80 për qind e atyre që punonin në sektorin turistik, kishin më shumë se tre muaj deri në 1 vit kualifikim për këtë sektor. Turizmi sot, në mënyrë vjetore punëson rreth 60 mijë njerëz, përveç sezoneve që kjo sasi trefishohet ose katërfishohet. Për këtë arsye brenda turizmit në konceptin e gjerë, llogaritëm që ka 30, le t’i quajmë shërbime ose elementë të spikatur profesional që fillojnë nga pritja e klientëve, transporti, menaxhimi i thjeshtë, dhomat, ekskursionet etj., në këtë sens kolegji profesional do të krijojë pikërisht këtë kategori specialistësh që duket sikur janë të humbur brenda një sektori, por në fakt ata janë çelësi dhe thelbi që i japin eficiencën dhe krijojnë të ardhura ndaj këtij sektori. Në Shqipëri problemi me profesionet është edhe problem dinjiteti. Sidomos për këto që quhen Shkolla Profesionale, që s’kanë lidhje fare me shkollën e lartë. Ka disa vite që në Europë ka një tendencë për të krijuar dinjitetin e profesioneve. Nëse vërtet do që një profesion të jetë i pëlqyer dhe i vlefshëm, së pari, duhet të jetë dinjitoz. Besoj se në hartimet e këtyre 5 programeve që kemi hapur, dhe gjithçka që mendojmë në këto 5 drejtime, do ta vëmë theksin pikërisht te krijimi i dinjitetit të profesionit. Kjo gjë do ta bëjë më të vlefshme dhe më eficiente”, shprehet Civici.

Prof. dr. Ermira Qosja si përgjegjëse e Departamentit të Menaxhimit dhe Marketingut, ka shpjeguar qasjen e re që biznesi i turizmit ka në Shqipëri. Ajo tregon se Diplomat Profesionale në Menaxhim dhe Turizëm brenda Fakultetit Ekonomik të Biznesit dhe Zhvillimit, do të shkojnë më së miri në përputhje me nevojat e tregut të punës.

“Në këtë vit të ri akademik, Departamenti i Menaxhimit dhe Marketingut vjen edhe me dy diploma të reja profesionale në Menaxhim dhe Turizëm. Menduam se ka ardhur momenti që ne të krijojmë njerëz që kanë kompetenca të thjeshta në funksion jo vetëm të kompanive të mëdha, por në funksion të sipërmarrjeve të tyre individuale. Diplomat e reja në Menaxhim dhe Turizëm, duket se përputhen më së miri me qasjen e re që biznesi i turizmit ka në Shqipëri. Shpresojmë që nisma jonë, që shkon në përputhje me nevojat e industrisë së turizmit, por dhe me qasjen e ministrisë përkatëse, e cila gjithmonë e më tepër po synon të punësojë individë me diplomë në turizëm, do të japë rezultatet e duhura. Nuk do mundemi të shkojmë shumë lart në këtë drejtim nëse nuk do të kemi përkrahjen e industrisë. Krahas këtyre dy diplomave, Departamenti i Financës do të ofrojë edhe një diplomë profesionale në Kontabilitet duke qenë se nevoja e tregut për kontabilistë bazikë është gjithmonë në rritje dhe nuk do ndalojë ndonjëherë. Shpresoj që nisma jonë në këto tre programe të reja brenda Fakultetit Ekonomik të Biznesit dhe Zhvillimit do të shkojë më së miri në përputhje me nevojat e tregut”, shprehet Qosja.

Dekani i Fakultetit të Inxhinierisë, Informatikës dhe Arkitekturës, Arben Dushi, tha se Universiteti Europian i Tiranës ka mundësinë në mënyrë sintetike të sistemojë dijet, për të cilat kanë nevojë studentët.

Janë me mijëra djem dhe vajza të talentuara në fushën e informatikës, janë të mirëpritur në Universitetin Europian të Tiranës pikërisht për të marrë këtë Diplomë Profesionale, e cila do t’iu shërbejë shumë. Shembulli i Bill Gates është i freskët, nuk mori asnjë provim dhe është një frymëzim për gjithë këtë brez për pozicionin që ka sot. Ne kemi mundësinë në mënyrë sintetike të sistemojmë dijet që ata studentë kanë nevojë, shprehet dekani Dushi.

Ndërsa Mirela Oktrova si Përgjegjëse e Departamentit të Arteve të Aplikuara, tregon se Diploma Profesionale në Modë është shumë e preferuar së pari, se prek interesin e një shoqërie si e jona, është një profesion që pikërisht për këtë arsye është në qendër të vëmendjes dhe sepse krijon mundësinë që të akomodojë në këtë lloj diplome të gjithë ata të cilët deri më tani nuk studionin dot modë apo dizajn. Ajo thotë plot bindje se Universiteti Europian i Tiranës do ta bëjë këtë diplomë të suksesshme.

Mendoj se kjo diplomë profesionale e prek nervin e kërkesës në tre pika. Së pari, sepse prek interesin e një shoqërie si e jona, mesdhetare, për të cilën është shumë interesante dhe shumë e rëndësishme paraqitja e jashtme meqenëse synimi i diplomës është të përgatisë stilistë. Së dyti, është një profesion që pikërisht për këtë arsye është në qendër të vëmendjes dhe për këtë arsye është edhe i lakmuar. Dhe së treti, sepse krijon mundësinë që të akomodojë në këtë lloj diplome të gjithë ata të cilët deri më tani nuk studionin dot modë apo dizajn apo pikturë tekstili siç quhej diku, sepse nuk kishin mesataren dhe nuk i plotësonin kushtet paraprake për këtë. Me sa duket interesi është vërtet aty, sepse të paktën në portal e kanë zgjedhur si diplomë dhe shpresojmë se do të identifikohet edhe me interes konkret në regjistrimet që vijnë. Është zgjedhur një figurë përfaqësuese për këtë diplomë, stilistja Anila Zaimi Katanolli dhe besoj që jo vetëm diploma, jo vetëm prestigji i universitetit, por edhe pedagogët që janë në të do arrijnë ta bëjnë këtë diplomë të suksesshme për të justifikuar hapjen dhe interesin, shprehet Oktrova.

  

Zak Topuzi: Studentët e diplomuar në programet profesionale do kenë një vend të sigurt pune

Zak Topuzi, kryetari i Shoqatës së Turizmit, shprehet se studentët që do studiojnë në Universitetin Europian të Tiranës në programet e reja profesionale, do të kenë një vend të sigurt në tregun e punës jo vetëm në Shqipëri, por dhe në rajon.

“Organizata Botërore e Turizmit në vitin 2017, raportoi se brenda vitit 2030, pra për 11 vite, numri i turistëve në botë do të dyfishohet. Europa mban numrin më të madh të turistëve me mbi 50 për qind, kështu që alarmi për kuadro, investime të reja është dhënë. Në datën 17 tetor, pra pas disa ditësh mbahet një forum ndër më të rëndësishmit në Athinë, i cili po i del përpara kërkesave të reja që ka kryesisht zona e Mesdheut, për investime të reja në hotele, restorante, resorte cilësore dhe sigurisht që këto kanë nevojë për drejtues dhe kuadro. E ardhmja e botës ka kthyer sytë nga turizmi. Një ndër elementet më të rëndësishme është menaxhimi i hoteleve, restoranteve dhe kateringut, është një industri e re për Shqipërinë. Pothuajse ka mungesa në personelin menaxhues, jo vetëm të rangut të lartë, por në nivele të ndryshme sektorësh. Jemi të hapur që studentët e rinj në Universitetin Europian të Tiranës, të cilët do të studiojnë në programet profesionale, do të kenë një vend të sigurt në industri dhe nuk ka kërkesa vetëm Shqipëria, por i gjithë rajoni. Kërkohen shumë të tillë dhe ka kërkesa të mëdha në nivelin e drejtuesve apo menaxherëve. Për sa i përket degës së Turizmit, është një lloj industrie, e cila shet shërbimet. Sa më i zoti të jesh, të dish të shesësh shërbime, aq më shumë të ardhura do të kesh”.

 

Studentja e parë e regjistruar në diplomat profesionale: Aplikova menjëherë, UET më pëlqen shumë

Studentja e parë, e regjistruar në një prej pesë diplomave profesionale që Universiteti Europian i Tiranës ofron, është Danjela Peci. Ajo vjen nga qyteti i Lezhës, sapo ka përfunduar gjimnazin dhe ka zgjedhur të studiojë “Dizajn i Aplikuar dhe Modë”. Danjela tregon se ka qenë pasioni i saj i madh për modën dhe stilimin që e ka shtyrë të bëjë këtë zgjedhje.

“Kam zgjedhur të studioj për Dizajn të Aplikuar dhe Modë sepse stilimi është pasioni im. Që në fëmijëri jam dalluar për talentin tim në vizatim. Gjithnjë më ka pëlqyer ta diferencoj veten nga të tjerët nëpërmjet një stili unik në veshje. Ndaj për mua kjo është zgjedhja ideale”.

Dëshira për të qenë një stiliste ka qenë gjithnjë pjesë e saj. Danjela tregon se që fëmijë e ka dashur këtë profesion, frymëzuar jo vetëm nga shtysa e saj e brendshme, por edhe përkrahja e miqve dhe të afërmve të saj për të ndjekur këtë rrugë.

“Moda ka qenë gjithmonë ëndërr e imja. Kam dashur të bëhem stiliste që fëmijë. Kushërira ime, e cila vazhdon këtë profesion në Itali, ka qenë frymëzim për mua. Por edhe miqtë dhe familja ime më kanë inkurajuar gjithmonë të ndjek këtë ëndërr. Kur pashë që ofrohej kjo mundësi aplikova menjëherë. Për më tepër UET më pëlqente shumë si universitet pasi kisha dëgjuar vlerësime shumë pozitive për të shokë dhe të afërm të mi që kanë qenë studentë atje”.

Ajo shprehet mjaft optimiste në lidhje me të ardhmen profesionale të saj.

“Kur erdhi momenti që duhet të zgjidhja, thashë ose do shkoj tek UET ose nuk do e vazhdoj shkollën fare, sepse kam dëshirë të vazhdoj vetëm për atë që më pëlqen. Ky është pasioni im, të cilin unë dua të shndërroj në profesion pas përfundimit të studimeve. Do të më pëlqente që në të ardhmen të hapja atelienë time të modës përse jo”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Feja po kthehet në fushë konfliktesh

Nga Astrid Prange De Oliveira Prifti Nikodemus Schnabel nuk e mban gojën:...
Read More