UET pret 30 të rinj nga Ballkani Perëndimor në kuadrin e mbështetjes së bashkëpunimit rinor rajonal

Në kuadrin e Presidencës Austriake të BE dhe Procesit të Berlinit, UET mirëpriti sot në UET 30 të rinj nga Ballkani Perëndimor në kuadër të Regional Balkan Tour, vazhdimësi e Regional Youth Forum, organizuar nga Zyra për Bashkëpunimin Rinor Rajonal (RYCO). Me mbështetjen e Ambasadës Austriake në Tiranë dhe nën kujdesin e Rektorit, prof. Gjuraj, u zhvillua një diskutim i frytshëm mbi bashkëpunimin rajonal, perspektivën europiane, projektet e BE për fushën e rinisë dhe arsimit të lartë, si dhe shumë tema të tjera.

UET është një nga universitetet lider në vend sa iu takon projekteve të financuara përmes programeve të BE, sikurse janë Erasmus+, Jean Monnet, ESPON si dhe donatorë të tjerë që synojnë rritjen e kapaciteteve dhe lëvizshmërisë në arsimin e lartë. Gjatë takimit u prezantuan dhe mundësitë që UET u ofron studentëve si në nivel Europian ashtu edhe në nivel rajonal, megjithëse ky i fundit ka ende hapësira për intensifikim.

Në auditor u diskutua dhe fakti që shumë të rinj nga Ballkani preferojnë Europën Perëndimore si për studime të mëtejshme, ashtu edhe për jetesë. Nga ana tjetër, bashkëpunimi rinor rajonal pritet të sjellë një orientim të të rinjve karshi fqinjëve, bazuar dhe në faktin që vlerat kulturore janë të ngjashme dhe krijimi i një klime bashkëpunimi do të nxiste ruajtjen e kapitalit intelektual në rajon.

Prof. dr. Gjuraj theksoi rëndësinë e procesit të integrimit për rajonin duke u ndalur te samitet e zhvilluara edhe në kuadër të Procesit të Berlinit për Ballkanin Perëndimor, ndër të tjera dhe në Samitin e Londrës në Korrik 2018.

Diskutimet në auditor theksuan edhe njëherë nevojën e shkëmbimeve universitare brenda rajonit, shkëmbimeve profesionale, por znj. Lula theksoi dhe rëndësinë e ngritjes së problematikave që lindin gjatë zbatimit. “Rajoni i Ballkanit Perëndimor, edhe pse i ka ratifikuar marrëveshjet e programeve të BE në parlamentet e vendeve përkatëse, ka nevojë për ndërhyrje me politika konkrete nga Ministritë e Arsimit për të lejuar fleksibilitetin e universiteteve dhe në mbështetje të ndërkombëtarizimit të tyre”.

Pjesëmarrësit, pjesa më e madhe e të cilëve ishin në Tiranë për herë të parë u shprehën të kënaqur dhe të surprizuar me qytetin, kulturën dhe ngjashmëritë mes vendeve të cilat nuk i prisnin të tilla nisur nga stereotipat ekzistues në rajon.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ksenofon Krisafi: Kur luftoja në Gjenevë për fatet e Kosovës

Në kuadër të kremtimeve të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, profesori i...
Read More