Vettingu edhe për politikën: A duhet bërë, a mund të bëhet?

Projekti i opozitës për kontrollin e politikanëve ndonëse ka marrë ok verbal të mazhorancës ka ngritur disa pyetje për suksesin e iniciativës. Çfarë ndryshoi në qëndrimin e PD, a mund të jetë një akord në distancë me Ramën dhe kush mund ta bëjë vettingun e madh…  

Nga Nevila Perndoj

Në ditën e nisjes së fazës së dytë të vettingut në drejtësi pas pushimeve të gushtit, dhe kur pjesa e parë kaloi me mosbesim dhe akuza për standarde të dyfishta, vjen nisma e re që “pastrimi” të shkojë përtej gjyqtarëve dhe prokurorëve. Protagonistë janë sërish politikanët. Ata që votuan dhe kritikuan Reformën në Drejtësi dhe zbatimin e saj.

Në një kohë kur Reforma në Drejtësi është cilësuar e dështuar nga opozita, kur beteja me krimin është bërë kryefjalë e ditëve të para të shtatorit, në kulmin e përplasjeve të fillimvjeshtës mes palëve politike, opozita krejt papritur fton të majtën në një angazhim të ri; vetting në politikë.

Këtë të premte ata bënë publike nismën për ndryshime të Kushtetutës. Fillimisht, përgjigjja e kryeministrit Rama u duk evazive. Ai tha se është gati për të diskutuar këtë nismë sapo dëgjoi Lulzim Bashën që e propozoi nga “Kuvendi” i Elbasanit, por la të kuptojë gjithashtu, se ky proces mund të vijë përmes një drejtësie të pastruar. Deklaratat e Bashës dhe Ramës, që duket se paralajmëronin një “17 maj” të dytë, një ulje në tryezë apo edhe dakordësi formale mes palëve, u venitën nga reagimet e njëpasnjëshme të deputetëve të PD, që akuzonin kryeministrin se nuk e do vettingun në politikë.

Përplasjet e para

Edhe dje politika e nisi dhe e mbylli  ditën në përplasje qëndrimesh për nismën e PD. Fillimisht kryeministri Edi Rama vuri në lojë propozimin e kryetarit të opozitës, Lulzim Basha. “…Çdo instrument i ri, i mundshëm, që bën transparencë, për mua personalisht të parin, për gruan time, për tokat e gruas sime, për pallatin e gruas sime, për tenderat e baxhanakut tim, për kunatin, për fëmijët e mi është një instrument që mund të na vlejë…Kush nga ju e vë dorën në zjarr që baxhanaku im nuk ka marrë 15 milionë euro tendera? Askush, nuk e diskutoj fare. Mbase Taulanti, por është shumë pak…”, tha Rama nga mbledhja e Asamblesë Kombëtare e PS. “Unë, Presidenti i Republikës, kryetari i opozitës, kunati i kryetarit të opozitës, gruaja e kryetarit të opozitës, rrethi familjar, vjehrri, vjehrra ime, të gjithë, patjetër. Që të kuptojnë njerëzit se ku jemi e ku jetojmë këtu…”, shtoi ai. Ironisë së tij për seriozitetin e propozimit, ai i shtoi edhe dyshimet. “…Çështja është që të mos jetë e lidhur me Reformën në Drejtësi që të kthejë mbrapsht këtë reformë”. Rama tentoi më pas ta kanalizonte këtë debat në rrugë zyrtare. “…Kam ngarkuar Taulantin (Balla) të komunikojë me zotin Spaho. Kam ngarkuar “don Agaçon” të komunikojë me Oerd Bylykbashin, kam ngarkuar Bledi Çuçin të komunikoje përsëri me Oerd Bylykbashin dhe Ulsi Manja është përsëri në dispozicion si kryetar i Komisionit të Ligjeve”.

Por për Lulzim Bashën koha e tryezave dhe negociatave të tilla ka ikur. “Koha për të dredhur bishtin mori fund gjysmë ore më parë. Edi Rama ka për detyrë që t’ju përgjigjet ju dhe shqiptarëve, do të votojë pro apo kundër vettingut për politikanët…”.

Për kreun e opozitës, drafti është mot a mot si ai për prokurorët dhe gjyqtarët, i miratuar me konsensusin e të dyja palëve, veçse i janë bashkëngjitur edhe politikanët.

“Gjuha e ligjit është identike, po ta merrni dhe shikoni është e njëjta gjuhë që është votuar për gjyqtarët dhe prokurorët, nuk ka mbetur asgjë për t’u negociuar. Negociatat bëhen për të arritur një gjuhë të dakordësuar, ne e kemi bërë dakordësimin, e kemi miratuar të njëjtin rregull, i njëjti rregull për gjyqtarët dhe prokurorët. Çfarë kemi propozuar? Të shtohen subjektet, pra të përfshihen politikanët. Kjo ose votohet ose rrëzohet…”, këmbënguli disa herë Basha.

Nisma

Sipas projektligjit të depozituar dje në Kuvend nga PD-ja, “deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, kryetari i bashkisë dhe çdo drejtues ose anëtar i institucioneve kushtetuese dhe ligjore që emërohen në detyrë me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, i nënshtrohen procesit të kontrollit të pastërtisë së figurës”. Ligji ka gjithashtu efekt prapaveprues. Në këtë draft opozita është fokusuar më së shumti te kontrolli i pastërtisë së figurës që lidhet kryesish me faktin nëse i zgjedhuri ose i emëruari ka patur kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Sipas projektligjit, subjektet që i nënshtrohen vettingut, dorëzojnë një deklaratë dhe i nënshtrohen kontrollit të figurës, me qëllim identifikimin e atyre që kanë kontakte me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Nëse nuk e dorëzon në kohë deklaratën për figurën apo përpiqet të bëjë deklarime të pasakta, ose të fshehë kontaktet me persona të përfshirë në krim, atëherë sipas ligjit ndaj tij zbatohet masa e ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra. Ka vetëm një pikë të projektligjit me 3 nene për kontrollin e pasurisë, ku thuhet se, “nëse subjekti që nënshtrohet këtij ligji nuk justifikon ligjshmërinë e pasurisë sipas vendimit të organit përgjegjës kushtetues, zbatohet masa e ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra”. Nuk është parashikuar shumëçka në këtë draft, as mekanizmat e kontrollit dhe se kush do ta drejtojë procesin, duke ia lënë në dorë Kuvendit që brenda 30 ditëve të përcaktojë me ligj kushtet dhe rregullat për garantimin e integritetit të figurës së funksionarit publik.

 

Krasniqi: Ka shanse, por vettingu në politikë nuk do të vijë nga PD apo pakti me PS

Eksperti i Institutit të Studimeve Politike, Afrim Krasniqi flet për nismën më të fundit të PD-së lidhur me vettingun në politikë

Z.Krasniqi, procesi i vettingut, përfshirë vlerësimin e lidhjeve me krimin e organizuar, po zbatohet sot për gjyqtarët, prokurorët dhe punonjësit e policisë. Bashkëngjitur kësaj, Kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha dje se zbatimi i vettingut dhe masa e kontrollit të figurës duhet të ndiqet edhe për politikanët dhe zyrtarët e të tjerë të lartë publikë. A keni ndonjë koment për këtë nismë, sa serioze ju duket si premtim dhe si mund të realizohet ajo pa sjellë kundërshti të forta siç ndodhi me Reformën në Drejtësi?

Nisma përbën lajm dhe është sinjal i mirë i fillimit të sesionit të ri politik, por në thelb, nismë e pamjaftueshme për të sjellë ndryshime. Duke propozuar diçka të natyrshme dhe të refuzuar deri tani nga politika, – vettingun në politikë, – opozita fitoi kohën e humbur gjatë 3-5 muajve të fundit dhe e orientoi politikën drejt nismës së saj. Nisma është sinjal pozitiv, është e natyrshme pas Reformës në Drejtësi dhe me pritshmëri të madhe publike. Por vettingu i propozuar në politikë ka dallime thelbësore me vettingun që po ndodh në drejtësi, madje thuajse nuk kanë pika takimi. Në reformën në drejtësi kemi disa mekanizma kushtetues, kemi një mision ndërkombëtar dhe trupat e vettingut, – në rastin e nismës për vettingun në politikë nuk ka asnjë mekanizëm real dhe as ide rreth tyre, ka vetëm shprehje të pjesshme të vullnetit politik. Ekzistojnë shanse reale për të pasur veting në politikë, por kjo jo për shkak të nismës së fundit të opozitës ose ndonjë kompromisi politik me PS. Shanset reale mbështeten vetëm në një instrument, – krijimi i SPAK dhe gjykatës speciale. Ato do të shënojnë fillimin e një procesi katarsisi e llogaridhënieje edhe nga politika. Gjithçka tjetër është e mbetet retorikë politike, dhe e pamjaftueshme.

PD ka propozuar një ligj për vettingun në politikë, por kush mendoni se duhet ta bëjë këtë kontroll sa kohë që edhe te Reforma në Drejtësi, ka mekanizma që i lihen në dorë politikës?

Nga modelet e vendeve të tjera ku ka patur procese të ngjashme, SPAK e Byroja e Hetimit janë mekanizmat e vetëm të kontrollit dhe vettingut. Ato nuk janë produkt parlamenti, pra nuk do jenë produkt i vullnetit politik, por produkt i një procesi konkurrues brenda vetë sistemit të ri të drejtësisë dhe asistencës ndërkombëtare. Në Rumani, Kroaci e vende të tjera ku ka patur nisma reale e të suksesshme ndaj korrupsionit të zyrtarëve të lartë, bazë e suksesit ka qenë ndërhyrja nga jashtë politikës dhe presioni mbi politikën. Propozimi i ardhur nga opozita kërkon të kundërtën, – një kompromis politik me mazhorancën në parlament, ofertë që i pëlqen edhe vetë mazhorancës, pasi derisa të kuptohet se procesi do të dështojë, fiton kohë dhe shuan etjen e opozitës për protesta dhe kontestime politike ndaj shumicës. Opozita pati sukses të pjesshëm me dekriminalizimit. Ca individë me rekorde kriminale dolën jashtë sallës së parlamentit, por në fakt ata vijojnë të jenë në partitë politike, drejtojnë në degët lokale dhe kanë rol thelbësor në çdo vendimmarrje që lidhet me zonën ku veprojnë. Dekriminalizimi bazohej në parimin se individë të tillë do të dëboheshin nga partitë, jo të zhvendoseshin nga parlamenti në selinë e partisë. Të njëjtin proces propozon edhe nisma e fundit e opozitës: ajo kërkon të ketë masa ndaj politikanëve të lidhur me krimin dhe atyre që kanë rekorde ligjore negative, por nuk premton se ata duhet të largohen edhe nga partitë politike. Për më tepër, në perceptimin qytetar shumë më tepër i papranueshëm është një politikan i korruptuar sesa një politikan që drekon me një person me të dhëna kriminale, i dyti mund të jetë edhe viktimë, kurse i pati me ndërgjegje ka viktimizuar shtetin, ligjin dhe qytetarët. Së fundi, është e pritshme se kur propozon e mbron me forcë vettingun në politikë atëherë do të thotë se ndryshon qëndrimi i deritanishëm ndaj vettingut në drejtësi dhe pranon se ai ka qenë i suksesshëm. Sepse nëse vettingu në drejtësi ka dështuar, nuk mund të kërkosh që një model të dështuar ta injektosh edhe në politikë.

Reforma në Drejtësi do të zgjasë në kohë me vite, në një situatë hipotetike kur do të ishte gati politika t’i nënshtrohej vettingut?

Zyrtarisht ngritja e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë do të kërkojë të paktën edhe 6-10 muaj, i gjithë procesi i rivlerësimit në shkallën e parë do të kërkojë 4-5 vjet dhe rivlerësimi i plotë edhe në apel dhe në strukturat fundore do të kërkojë 8-9 vjet. Numërimi do të duhej të kishte nisur më 2016, por realisht po nis më 2018, pra jemi të paktën dy vjet me vonesë dhe nëse do të ketë vonesa edhe në të ardhmen, procesi do të mund të zgjidhet përfundimisht më 2025-2028, pra jashtëzakonisht vonë. Procesi ka ecur mirë muajt e fundit, por trendi është ende i brishtë. Përqindja e lartë e shkarkimeve, ndonëse e drejtë, ka stepur ambiciet e gjyqtarëve dhe prokurorëve për të kandiduar për postet vakante dhe kjo tendencë do të vijojë edhe në të ardhmen. Sa më pak kandidatë në garë, aq më përcaktues do jetë vota e mazhorancave parlamentare në votimin e atyre institucioneve që kërkojnë votëbesim parlamentar. Nga ana tjetër, po shohim tri dukuri të reja negative, – e para, ka grupe interesi jashtë politikës por me kapacitete financiare të mëdha që po përdorin reformën në drejtësi për të denigruar apo promovuar klientët e tyre në gjyqësor e prokurori; dhe e dyta, pjesa më e korruptuar e gjyqësorit dhe prokurorisë nuk kandidon për poste duke pritur kështu që të kalojnë në sitën e vettingut pas 2-3 vjetësh, pra duke fituar kohë për abuzime të reja në sistem. Dukuria e tretë lidhet me thelbin e Reformës në Drejtësi, – ne duam të kemi gjyqtarë e prokurorë të pakorruptuar, por mbi të gjitha ne duam të kemi gjyqtar e prokurorë të aftë profesionalist. Vettingu i deritanishëm është bazuar në treguesit financiar të pasurisë, dhe disa prej atyre që kaluan testin janë vlerësuar me aftësi minimale profesionale. Ka individë që kanë qëndruar në cep të zhvillimeve, nuk janë përfshirë në afera korruptive, por është thelbësore që ata të kenë CV e aftësi profesionale, ndryshe zëvendësojmë një sistem të korruptuar me një sistem me të paaftë, – pra të kundërtën e thelbit të reformës për shtetin e së drejtës dhe demokracisë funksionale.

 

Zekthi: Një vetting të tillë s’e lejojnë demokracitë, e jo më shumica e Ramës

Analisti Fitim Zekthi komenton nismën për vettingun në politikë

Z.Zekthi, procesi i vettingut, përfshirë vlerësimin e lidhjeve me krimin e organizuar, po zbatohet sot për gjyqtarët, prokurorët dhe punonjësit e policisë. Bashkëngjitur kësaj, Kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha dje se zbatimi i vettingut dhe masa e kontrollit të figurës duhet të ndiqet edhe për politikanët dhe zyrtarët e të tjerë të lartë publikë. A keni ndonjë koment për këtë nismë, sa serioze ju duket si premtim dhe si mund të realizohet ajo pa sjellë kundërshti të forta siç ndodhi me Reformën në Drejtësi?

Në të vërtetë reforma në drejtësi e cila do të kalojë, siç po kalon, në një filtër vettingu prokurorët dhe gjyqtarët me qëllim pastrimin e gjyqësorit nga të korruptuarit dhe ata që janë të lidhur me krimin është e konceptuar krejtësisht gabim. Reforma në Drejtësi kërkon që të rregullojë sistemin politik, të luftojë korrupsionin e politikanëve dhe funksionarëve të lartë, kërkon që gjyqësori të rregullojë parlamentin dhe qeverinë. Kjo është e pamundur sepse nuk mundet “peshorja”, pra gjykata, të luftojë dhe rregullojë “shpatën dhe thesin”, pra qeverinë dhe parlamentin siç thoshte një nga arkitektët e Kushtetutës së SHBA, James Madison. Në historinë politike të botës deri më sot nuk ka ndonjë rast ku gjyqtarët dhe prokurorët kanë ndërtuar shtetin. Shteti ndërtohet nga politika. Pra, ne jemi përballë ose një absurdi ose një reforme për të marrë nën kontroll gjyqësorin dhe prokurorinë. Kështu që një vetting për politikanët do të ishte një hap i domosdoshëm drejt një reforme të politikës. Nuk ka asnjë kuptim që largohen nga sistemi gjyqtarë apo prokurorë për probleme me deklarimin e pasurisë apo për faktin që kanë folur në telefon ose kanë hipur në makinën e një njeriu të dënuar dhe të kemi politikanë të lartë që jetojnë në vila, që kanë emëruar deputetë apo kryetarë bashkie njerëz të dënuar për trafiqe dhe përdhunim, të kemi ministra apo deputetë që kanë familjarët të dënuar për trafik droge dhe të dyshuar se ende zhvillojnë trafiqe, që kanë familjarë apo të afërm në hetim për trafiqe. Të paktën duhet që pasuria e politikanëve të verifikohet me imtësinë e hetimit që po iu bëhet gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe duhet që lidhjet me njerëz të botës së drogës dhe trafikut të verifikohen po kaq imtësisht. Opozita ka të paktën që nga viti 2014 që denoncon lidhje të politikës me krimin, që lufton që kjo lidhje të ndërpritet. Opozita ka thënë të vërteta të mëdha mbi këto lidhje, mbi deputetë dhe mbi politikanë të lartë të PS-së si edhe ka imponuar një ligj për dekriminalizimin e politikës. Kështu që propozimi për vetting të politikanëve është logjik dhe nuk ka arsye të mos jetë serioz. Kjo luftë 5-vjeçare e opozitës i ka shërbyer vendit i cili ndonëse është i kapluar nga një rrjetë ku lidhja e krimit me politikën nuk dihet ku e ka kufirin (ndoshta nuk ka) do të ishte shumë më keq pa këtë luftë. Me siguri pa denoncimin e hashashit, pa luftën kundër trafikantëve që përdornin avionë dhe politikanëve që flisnin për suksese marramendëse në polici sot parlamenti dhe qeveria do të ishin të mbushur dhe drejtuar, që i largoi dekriminalizimi dhe opozita do të cilësohej si kriminale që njeh këto arritje.

PD ka përgatitur një ligj për vettingun në politikë, por kush mendoni se duhet ta bëjë këtë kontroll sa kohë që edhe te Reforma në Drejtësi, ka mekanizma që i lihen në dorë politikës?

Mendoj se në qoftë se ka vullnet për ta realizuar atëherë vetting do të bëhet. Por ky vullnet mungon dhe nuk ka se si të mos mungojë. Një shumicë parlamentare me qeverinë e saj që ka dhënë mbi një miliard euro para me koncesione për një grup biznesi afër saj, një shumicë parlamentare ku pjesa dërrmuese bisedon, ulet në tryeza, ka partnerë njerëz të botës së krimit, ka ish-ministrin e Brendshëm të akuzuar për trafik ndërkombëtar, ka tre drejtorë policie të kërkuar për trafik, ka ministrin e Brendshëm me vëllanë në burg në Itali për trafik, ke ministren e Drejtësisë të dyshuar se dërgoi në Itali një dëshmitar të çështjes Tahiri, ka deputetë të kapur në përgjime me njerëz të dënuar, nuk mund të pranojë vetting për pasurinë dhe lidhjet me trafikantët. Është po themi e “legjitimuar” e drejta e saj ta pengojë me çdo kusht që nga propaganda ekstreme kundër opozitës te deklaratat kot se është pro vettingut. Sa për mekanizmin e kontrollit mendoj se ai do të duhet të bëhet nga një institucion i ri që do të duhet të krijohet enkas. Ky institucion duhet të ketë akses në të dhëna siç ka komisioni i vettingut për gjyqtarët dhe duhet të jetë i pavarur. Por mund të përdoret edhe KQZ duke ia ngarkuar këtë detyrë dhe duke e riformatuar atë në mënyrë që askush të mos dyshojë te besueshmëria. Në thelb nuk është çështje mekanizmi ose çështje teknike, por vullneti.

Reforma në Drejtësi do të zgjasë në kohë me vite, në një situatë hipotetike kur do të ishte gati politika t’i nënshtrohej vettingut?

Unë mendoj se politika do t’i nënshtrohet vettingut kur në tërësi shteti i sundimit të ligjit të bëhet dominues, kur institucionet dhe burokracia të jenë të pavarura. Kjo duket shumë shumë larg. Mund të ketë arnime apo përpjekje të cilat nuk do të bëjnë asgjë. Ne jemi në kufijtë e autokracisë dhe madje një forme të keqe autokracie, mafiokracisë. Nuk mund të lejojë ajo vetting. Një vetting të tillë nuk e lejojnë demokracitë dhe jo më kjo shumicë parlamentare e drejtuar nga Rama. Kjo edhe vettingun për gjyqësorin po e përdor për të marrë nën kontroll gjyqësorin. Përpjekja e opozitës më shumë rëndësi ka për ndjeshmërinë që kërkon të përcjellë se sa për të detyruar Ramën dhe qeverinë të zbulojnë veten. Kjo është gjithashtu edhe një diferencë që shfaq opozita me shumicën.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Aktori ‘i fortë’ i Hollivudit do rregullojë marrëdhëniet mes SHBA dhe Rusisë

Rusia ka emëruar aktorin amerikan, Steven Seagal, si të dërguarin special për...
Read More