Vettingu i cilësisë shkencore duhet përshëndetur

Nga Ndriçim Kulla

Ekziston gjithmonë një moment i caktuar qoftë në një lëvizje, qoftë në një reformë apo dhe thjesht në një nisëm, kur kushtet janë pjekur dhe ndërhyrja kthehet në diçka të pashmangshme, të domosdoshme, në diçka nga e cila nuk mund të kthehesh dot pas. Ishte e tillë edhe reforma e para disa viteve për kontrollin e ligjshmërisë dhe cilësisë administrativo-shkencore të universiteteve privatë që patën mbirë si kërpudhat dhe patën deformuar sistemin tonë arsimor, që për të thënë të vërtetën ishte ende i brishtë, pasi sapo ishte hapur plotësisht dhe sapo kishte nisur rrugëtimin e vet të vërtetë përtej dominimit shtetëror në fushën e edukimit.

Nuk mund të themi se nuk qe reformë edhe lindja dhe plotësimi i edukimit në Shqipëri, me sistemin privat të shkollave dhe universiteteve, por moskontrollimi cilësor dhe i vazhdueshëm, të lëna pas dore a po në mes të rrugës dhe fatit të vet, i hapën udhë fenomenit të “kundëredukimit” apo keqedukimit” të shfaqur në mjaft raste dhe institucione arsimore private, ku mbizotëronte klientelizmi, papërgjegjshmëria e deri dhe korrupsioni. Për të gjitha këto arsye ishte për t’u përshëndetur i gjithë ai “korrigjim” apo efekt rregullator që kjo reformë solli në kthimin në shtratin e vet natyral, ku duhet të zhvillohet shkolla dhe edukimi në gjirin e një shoqërie, pra në shtratin e një konkurrence të ndershme dhe të barabartë midis shtetërorit dhe privatit, nga e cila fiton cilësi vlerë e fuqi edhe vetë edukimi, diploma apo titujt shkencorë.

Tashmë, ndërsa i gjithë sistemi ynë vend i arsimit ka arritur ta përthithë brenda vetes këtë reformë, me rregullat, procedurat dhe risitë e saj, por edhe me seleksionimin dhe krasitjen e shumë degëve të këqija që ajo kreu, duket se është moment i duhur që ajo të shtyhet akoma dhe më tej, ne rrugëtimin e vet të natyrshëm të korrigjimit edhe të deformimeve, që prodhoi kjo pjesë jo e shëndetshme e sistemit, apo që ka prodhuar e prodhon ai sistem kapilar i favoreve, interesave materiale dhe klientelizimit, që ku më shumë e ku më pak ndikon në produktin e gradave dhe titujve shkencorë që janë dhënë e vazhdojnë të jepen ende dhe sot nëpër të gjitha llojet e universiteteve tona. Pas reformës së institucioneve, tashmë ka ardhur koha edhe e reformës së produktit dhe formimit të tij shkencor, me ane të një drafti të rishikimit, rivlerësimit dhe ekuivalentizimit të gjithë trupës së mësimdhënies, bashkë me titujt shkencorë që ajo ka dhënë e ka marrë gjatë gjithë këtyre viteve, me normat dhe kriteret e mirëfillta shkencore që tashmë janë caktuar dhe janë në fuqi për fitimin e tyre.

Përderisa sistemi ynë privat arsimor, në fillimet e veta nuk ishte i mirorganizuar, mirëkontrolluar apo i mirakredituar, për rrjedhim nuk mund të mos pranohet që edhe produkti që ai jepte ishte po i tillë. Përderisa ka patur me aq shkujdesje diploma false, po aq lirshëm e me po kaq pak cilësi janë marrë edhe gradat shkencore. Aq më tepër që, diçakje të tillë nuk mund t’i ketë shpëtuar edhe sistemi i arsimit shtetëror. Trashëgimia komuniste (ose e traditave lindore të mësimdhënies), hapja e vrullshme dhe e menjëhershme e shkollës dhe universiteteve tona ndaj një bote të tërë të dijes perëndimore shkencore në çdo lloj fushe, ndërfutja dhe zhvillimi i jashtëzakonshëm i internetit që transformoi rrënjësisht mënyrën e të nxënit, e gjetën të papërgatitur dhe ndoshta dhe të paaftë sistemin tonë arsimor për ta përballuar me cilësinë e duhur këtë ndryshim. Për pasojë, cilësia e shumë titujve shkencorë të asaj dekade të parë apo dhe të dytë, pas viteve ‘90 , krahasuar me stadin dhe kërkesat e nivelit të lartë që reforma në arsim ka vendosur për marrjen e titujve shkencorë, lë shumë për të folur e diskutuar.

Pra, edhe pa aluduar për korrupsion, plagjiaturë dhe klientelizëm (që padyshim kanë ekzistuar në masë), duke u mjaftuar vetëm në rangun krahasimor të cilësisë së këtyre titujve shkencorë, nevojitet një kontroll apo vetting i imtë i përmbajtjes dhe kritereve të marrjes së tyre, për t’i bërë “ekuivalente me nivelin e sotëm”. Kalimi në sitë dhe skarcimi i disertacioneve dhe doktoraturave të pavlera ose jo në cilësinë e duhur, ka rëndësi të jashtëzakonshme edhe nga ana morale e nivelizimit të tregut të vlerave shkencore në shoqërinë shqiptare. E për më tepër, është përmbyllja e reformimit që do t’i japë një standard të ri hierarkisë së vlerave dhe autoritetit shkencor nga e cila vuan aq shumë sot edhe vetë Akademia jonë e shkencave. I gjithë ky deformim, i ndodhur në mënyrë konstante, vit pas viti, ka sjellë dalëngadalë dhe pa e kuptuar edhe uljen e rrënimin e cilësisë së këtij institucioni, ndaj tregu i nivelizuar dhe i standardizuar i vlerave në kohë, është imperativi kategorik i shëndoshjes së saj, është baza e domosdoshme për të ngritur një të ardhme të re për këtë pararojë të shkencës shqiptare. Ai s’mund të bëjë dot pa barazinë në trajtim dhe cilësi.

Janë të gjithë këta faktorë parësorë, që më shtyjnë ta përshëndes nismën e Ministres së Arsimit për thellimin në një shkallë cilësore të kontrollit të cilësisë së mësimdhënies, titujve dhe gradave shkencore në sistemin tonë arsimor. Rruga do të jetë e vështirë, duke besuar se deformimi që ka ndodhur, ka ardhur si pasojë jo vetëm e mosdijes, por sidomos e interesave të theksuara materialiste të shumë pedagogëve apo eprorë të tyre dhe lidhjeve të ndërsjella në brendësi të këtij sistemi. Rrjeta e tyre është e hollë dhe mund të ketë prapa edhe mbështetje mediatike apo të individëve të caktuar politikë, por çuarja deri në fund e këtij procesi do të mbahet mend për dobinë, pastrimin dhe forcimin e pashembullt që do t’i bëjë shkollës dhe edukimit të shqiptarëve, ndaj do të qe mirë që të mbështetet e inkurajohet fortësisht edhe nga shoqëria jonë civile.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Rraskapitja e fundit

BE i vendos Shqipërisë “semaforin portokalli”, ku pritja për të ecur më...
Read More