Vettingu në politikë, përforcim apo pengim i Reformës në Drejtësi?

Nga Ervis Iljazaj

Me sa duket vettingu në politikë do të jetë edhe për disa kohë çështja më e debatuar e politikës, dhe ku palët do të zhvillojnë betejën e tyre në opinion publik, më së paku, në aspektin e strategjisë dhe komunikim.

Kjo çështje, është padyshim një çështje shumë e ndjeshme, dhe si e tillë, politika nuk do ta lërë t’i shpëtojë për të fituar sa më shumë kredit.

Këtë gjë, e di shumë mirë Lulzim Basha. Jo më kot, teza e tij për vettingun në politikë, është një strategji e zgjedhur për të fituar terren. Në fakt, është një nga lëvizjet më të zgjuara që Partia Demokratike ka bërë kohët e fundit. Sepse, ka sfiduar hapur mazhorancën në aspektin e moralitetit të politikës.

Mirëpo, partitë politike janë në të drejtën e tyre të zhvillojnë çdo strategji komunikimi që konsiderojnë fituese.

E rëndësishme është që të diskutojmë për propozimin, dhe jo për strategjitë. Në këtë kuptim, vettingu në politikë është një propozim i drejtë dhe i duhur. Për t’i dhënë njëherë e mirë zgjidhje korrupsionit politik.

Çështje është se kush do ta zhvillojë atë?

Është e qartë se, politika shqiptare nuk mund të vetëpastrohet . Në këtë kuptim, ka nevojë për një mekanizëm të besueshëm. Dhe, i vetmi mekanizëm që mund ta sigurojë këtë, është përfshirja e aleatëve ndërkombëtarë, SHBA dhe BE, të cilët deri më tani, ata që e kanë propozuar i kanë lënë totalisht jashtë.

Përtej çështjes së besueshmërisë së procesit, ka dhe një tjetër që duhet të vihet në diskutim. Vettingu në politikë, duke qenë se po kërkohet të zhvillohet paralel me atë të drejtësisë, e forcon Reformën në Drejtësi apo e pengon atë?

E gjithë ideja e Reformës në Drejtësi, ishte pikërisht lufta ndaj korrupsionit politik. Qëllimi kryesor i saj, të paktën nga ajo që u tha e u paraqit, ishte krijimi i një drejtësie të pavarur, që të kishte mundësi të hetonte elitën politike. Në këtë kuptim, procesi i vettingut politik, është një proces që i mbivendoset Reformës, dhe si i tillë, mund ta pengojë atë.

Kështu që, Reforma në Drejtësi dhe vettingu që po zhvillohet në atë pushtet, duhet të ketë prioritet. Sepse, është mjaft e rëndësishme, që të ngremë një sistem që pastron politikën nëpërmjet drejtësisë, i cili nuk varet nga vullneti dhe subjektiviteti i politikës. Aq më tepër, kur të kontrolluarit do të zgjedhin kontrollorët.

E megjithatë, vettingu në politikë, mund të konsiderohet një proces që shkon përtej drejtësisë. Nëse procesi i drejtësisë garanton të gjitha të drejtat procesuale, vettingu në politikë është një mjet ekstrem, që në shumë aspekte është në kufijtë e kushtetutshmërisë. Por, në situatë ekstreme, siç është niveli i korrupsionit politik, kërkohen mjete ekstreme për ta luftuar atë.

Por ky mjet ekstrem, nëse dëmton Reformën në Drejtësi, është një proces që nuk duhet të zhvillohet. Reforma në Drejtësi, është një sistem afatgjatë dhe i përhershëm. Ndërsa vettingu në politikë është momental, aq me tepër në kontekstin shqiptari vështirë për t’u zhvilluar.

Nëse nuk kemi një drejtësi të pavarur, e cila do të garantojë hetimin e politikës dhe të sigurojë pastërtinë e saj, është absurde të mendosh se do të shpëtojmë nga korrupsioni politik nëpërmjet vettingut, i cili do të duhet të zhvillohet pothuajse përherë, dhe do të kthehej si një proces i domosdoshëm konstant, gjë e cila është totalisht e pamundur.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Me çokollatë kundër demenzës, forcon kujtesën

Falë përbërësve të saj çokollata ka veti anti-inflamatore, ndihmon në humbjen e...
Read More