Vettingu si fenomen sociologjik

Nga Ervis Iljazaj

Me gjithë problematikat apo skepticizmin kundër saj, Reforma në Drejtësi, ka futur në fjalorin politik, shoqëror dhe ekonomik termin vetting. Që nënkupton se, çështja e moralitetit dhe pastërtisë së sektorëve më të rëndësishëm të Shqipërisë ka mbërritur tashmë, dhe kjo është një arritje e madhe për vendin.

Asnjëherë më parë, nuk ishte menduar që e gjithë trupa gjyqësore e Shqipërisë do të futej në një sitë kontrolli të tillë. E megjithatë, përtej debateve, ky ishte një proces që mund të konsiderohet relativisht i suksesshëm.

Në këtë kuptim, vettingu apo i shqipëruar, moraliteti i jetës publike, tashmë është kthyer pothuajse në një fenomen sociologjik. Askush nuk mund të mendojë, se gjendja e paligjshmërisë do të vazhdojë të jetë një sistem në realitetin shqiptar. Nëse nuk ka ndodhur ende, shumë shpejt ka për të ndodhur. Shteti i së drejtës ka filluar. Mjerë ai që nuk e ka kuptuar.

Aq e vërtetë është se vettingu është kthyer në një fenomen shoqëror, sa që, e gjithë beteja publike e Shtatorit, është bazuar te dy propozimet e Partisë Demokratike. E vettingut në politikë dhe atij në biznes.

Nëse realizohen apo jo, kjo është një çështje tjetër. E rëndësishme është se, domosdoshmëria e moralitetit të jetës publike, tanimë është kthyer në debatin kryesor të politikës.

E gjithë sforcoja e madhe politike, shoqërore, por edhe ekonomike, që i ka kushtuar Shqipërisë Reforma në Drejtësi, nuk do të kishte asnjë kuptim nëse fryma e saj nuk do të na çonte drejt vettingut në politikë.

Mirëpo, e rëndësishme është që, mos të krijohet një frymë gijotine e përgjithshme, e cila mbetet vetëm një tentativë revolucioni e parealizuar dhe e rrezikshme. E njëjta gjë rrezikon të ngelet dhe propozimi i PD për aplikimin e ligjit antimafia për biznesin.

PD ka meritën që ka konstatuar një problematikë që qëndron, atë të shpenzimit të parave publike pa garë, por, qasja që ajo ka dhe zgjidhja që propozon duke i bërë gjyqin publik bizneseve, është e papranueshme.

Kështu që, me frymën e vettingut për të gjithë sektorët, duhet bërë kujdes në mënyrën e trajtimit të saj. Sepse, në të kundërt, ajo mbetet një retorikë politike e rrezikshme dhe kaq.

Edhe për sa i përket vettingut në politikë, që mos të ngelet një tentativë, duhen gjetur instrumentet dhe koha e duhur.

Në radhë të parë, ai nuk duhet të pengojë Reformën në Drejtësi. Duke u zhvilluar në të njëjtën kohë me të, rrezikon përplasjen e dy proceseve, duke mos realizuar asnjërën prej tyre.

Në radhë të dytë, klasa politike shqiptare, nuk e ka kapacitetin të zhvillojë një proces të tillë kaq të ndërlikuar dhe kompleks. Prandaj, e vetmja mënyrë për t’u zhvilluar ky proces me sukses, është nëpërmjet mbështetjes së aleatëve tanë ndërkombëtarë.

Në Shqipëri, si në shumë vende në Ballkan, ka mbërritur çështja e korruptimit të elitave politike. Herët apo vonë, duhet të përballemi me një çështje të tillë. E rëndësishme është që, ky proces të zhvillohet në mënyrën e duhur dhe sa më pak kosto ekonomike dhe shoqërore.

Nuk mund të anashkalojmë akoma këtë çështje, e cila ka mbajtur peng zhvillimin e vendit për kaq shumë vite. Se në çfarë mënyre duhet bërë ky pastrim i përgjithshëm, mbetet një diskutim i madh. Por, vlera e të gjithë debatit publik për vettingun si fenomen të përgjithshëm, është absolutisht mjaft e rëndësishme, dhe për t’u përshëndetur.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

‘Mbresat parisiane’ në UET, Luan Rama: Çfarë kam zbuluar për shqiptarët në kryeqytetin francez

Një këmbësor i dashuruar pas Parisit nuk mund ta anashkalojë këtë qytet...
Read More