Vijon ‘teatri’ për ligjin e teatrit

Ligji i ri për Teatrin Kombëtar dërgohet në Presidencë dhe i takon kreut të shtetit që të shprehet brenda 20 ditësh. Përplasjet politike vijojnë nëse ligji konsiderohet i ri, apo ligji i mëparshëm me disa ndryshime. Kryedemokrati Basha e ka konsideruar vijën e kuqe prishjen e Teatrit Kombëtar.

Ligji i ri për Teatrin Kombëtar mbërrin në Presidencë, duke i hapur rrugën një tjetër debati ende me dilema, nëse do të duhet të japë dekretin ose jo si ligj i ri, apo ta aprovojë si i njëjti ligj me disa ndryshime. Burimet konfirmojnë se nga Kuvendi ligji mban të njëjtin numër me atë të variantit të parë, 37/2018. Kuvendi ia ka dërguar Presidentit për shpallje dhe dijeni, por palët janë të ndara nëse Presidenti ka të drejtë apo jo që të rikthejë dy herë ligjin. Partia Socialiste e konsideron si të njëjtin ligj, pasi mban të njëjtin numër identifikues, ndërsa Partia Demokratike e konsideron si ligj të ri, gjë që do t’i jepte Metës të drejtën e rikthimit të tij. Në këtë mënyrë nuk do të jetë aq i lehtë dekretimi, pasi zërat janë shtuar se juristët e presidencës paraprakisht po e konsiderojnë si një ligj të ri, për aq kohë sa janë bërë ndryshime në dukje thelbësore. Nga ana e mazhorancës konsiderohet një punë e kryer, pasi shqetësimet e kreut të shtetit që e riktheu për shqyrtim në parlament ligjin e mëparshëm janë përfshirë në draft dhe për ta presidenti nuk ka të drejtën e rikthimit, pasi është i njëjti ligj. Në bazë të Kushtetutës kreu i shtetit ka 20 ditë afat për të dekretuar, rikthyer ose dekretuar me heshtje, duke e dekretuar pa e marrë në shqyrtim.

KE “trembi” përkohësisht qeverinë

Me procedurë të përshpejtuar dhe praktikisht të paracaktuar se cila kompani do ndërtonte teatrin e ri kombëtar dhe shtatë kulla si “bonus” ishte një ligj që dukshëm binte ndesh me disa nga parimet bazë, si e drejta e konkurrimit. Varianti i mëparshëm parashikonte që gjithçka të realizohej nga kompania “Fusha sh.p.k”, e cila merrte përsipër ndërtimin me fondet e saj të godinës së re sipas projektit të arkitektit të njohur danez Bjarke Ingels, në këmbim të mundësisë për të ndërtuar një bllok pallatesh shumëkatëshe në zonën pas Teatrit në një sipërfaqe e cila në pjesën dërrmuese është në pronësi shtetërore. Ky ligj me fitues të paracaktuar kaloi në Parlament një muaj më parë me votat e mazhorancës. por me kthimin e ligjit nga presidenti e mbi të gjitha nga reagimi i Këshillit të Europës, zmbrapsi përkohësisht qeverinë. Shumica u tërhoq nga ligji i posaçëm, pasi hasi në kundërshtime nga Komisioni Europian, i cili në letrën dërguar autoriteteve shqiptare theksonte se i inkurajonte ato “që të ndjekin pajtueshmërinë me parimet e prokurimit publik të BE-së dhe të sigurojnë qasje jodiskriminuese në treg”. Në draftin e ri mazhoranca përfshiu disa nene specifike që i hap rrugë konkurrencës, pra që të marrin pjesë edhe kompani të tjera. Gjithsesi edhe kjo formë është një “kamuflazh” pasi kompanitë e tjera që mund të ishin të interesuara janë në kushte tërësisht të pabarabarta me kompaninë “Fusha”, e cila ka favorin sepse disponon një pronë të vogël pranë Teatrit Kombëtar.

Reagimet nga artistët dhe opozita

Rikthimi i ligjit për prishjen e Teatrit Kombëtar ishte më shumë një çështje procedurash për mazhorancën. Gjashtë ditë më parë ishin 75 ligjbërës që votuan pro këtij ligji me disa ndryshime, që formalisht i hap rrugën konkurrencës në lidhje me kompaninë që do ndërtojë teatrin e ri dhe në këmbim do marrë të drejtën për të ndërtuar shtatë kulla. Opozita nuk ishte e pranishme në këtë seancë, ndërsa nga Vlora, Lulzim Basha u shpreh: “Ligji Fusha për grabitjen e Teatrit Kombëtar. Edi Rama dhe hajdutët e tij në Parlament u kapën flagrantë në vjedhje përmes procedurës së përshpejtuar me Ligjin Rama-Fusha për grabitjen e Teatrit”. Ligji i ri tashmë ndodhet në Presidencë dhe pritet që të shprehet kreu i shtetit për dekretimin ose jo. “Ata që do prishin Teatrin, të bëhen gati që t’i prishet shtëpia e tij. Nëse i vënë minat teatrit, do t’u vëmë buldozerët në pronat e tyre”-deklaroi kryedemokrati Lulzim Basha. Më tej kreu i PD-së shtoi se: “Ligji kaloi dhe ne nuk kishin çfarë të bënim në atë Kuvend. Ne nuk kishim asnjë mundësi që të pengonim ligjin. Por ne kemi mundësinë që t’u themi shqiptarëve, se si po vidhet Teatri. Teatri është vija e kuqe. Nëse bie Teatri, nesër do të bjerë shtëpia e çdo shqiptari”. Nga ana tjetër, një pjesë e artistëve vijojnë ende protestat duke e përshkallëzuar qëndrimin e tyre, ndërsa deklarojnë se do e mbrojnë teatrin me trupat e tyre. Godina e Teatrit Kombëtar është ndërtuar në vitet ‘30 nga italianët, menjëherë pas pushtimit të vendit. Godina për shumë vite u konsiderua si e veçantë për nga arkitektura, por njëkohësisht i shtoi edhe vlerat artistike ku kaluan disa breza artistësh dhe janë interpretuar mijëra shfaqje. Në një reagim pak ditë më parë Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit u shpreh se KE e rrëzoi ligjin dhe ndonëse nuk e sheh si antikushtetuese konfirmon faktin që procesi është korruptiv, ajo është prova e radhës se problemet e Shqipërisë do i zgjidhin shqiptarët e jo burokratët e huaj. “Problemet madhore të këtij “ligji special”, që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave politike dhe institucionale të pushteteve të pavarura dhe qytetarëve privat, populli shqiptar do të duhet t’i zgjidhë vetë”-reaguan përfaqësuesit e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit. Për aq kohë sa mazhoranca ka votat e mjaftueshme duket se është vetëm çështje kohe prishja e teatrit dhe më pas nisja e ndërtimit të një objekti të ri për artistët, bashkë me lejen për shtatë kulla që pritet të ndërtojë kompania private. Mbetet fjala e fundit të jepet nga kreu i shtetit, që brenda 20 ditësh duhet të shprehet për ligjin mbi teatrin, që tashmë ka shkuar me disa ndryshime.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Përse Basha është në konflikt me partitë e vogla?

Nga Ervis Iljazaj Duket se kritikat për Bashën kanë filluar të vijnë...
Read More