Virgjil Muçi: 10 libra që duhet të lexoni nga letërsia shqipe

Fituesi i çmimit Kadare 2018 analizon veprat më të mira të letërsisë shqipe

Nëse do t’i referohej një shprehje të famshme të Brehtit, për të zgjedhur tre romanet më të mirë të letërsisë europiane të shekullit të XX, padyshim që Kronikë në gur e Ismail Kadaresë do të ishte një prej tyre. I njohur si lexues e kritik i thellë i librit, përtej stofit të tij si shkrimtar, Virgjil Muçi fitues i çmimit Kadare 2018 me romanin “Piramida e shpirtrave”, vjen më poshtë për lexuesin e MapoLetrare në një udhëtim në 10 veprat më të mira të letërsisë shqipe, që nuk duhen humbur pa lexuar.

Ismail Kadare “Kronikë në gur” (roman) 

Duke perifrazuar një shprehje të famshme të Bertold Brehtit do të thosha, në qoftë se do të më kërkonin të zgjidhja tre romanet më të mirë të letërsisë evropianë të shekullit të njëzetë, “Kronikë në gur”, padyshim, kishte për të qenë njëri syresh.

Mitrush Kuteli “E madhe është gjëma e mëkatit” (novelë)

E para dhe e vetmja vepër në letrat shqipe që përfton dimension transcendental e metafizik, ku vdekja është gjithçka dhe jeta asgjë, por kalimi nga një dimension në tjetrin është i pamundur për një njeri që dashuron në kufijtë e çmendurisë.

At Zef Pllumi “T’rrnosh për me kujtue” (memoaristikë)

Një prej kryeveprave të memoaristikës shqiptare, një libër kujtimesh që lexohet me ëndjen e një romani, një vepër që i ngre letrat shqipe në nivel europian dhe i rri përkrah në mënyrë dinjitoze e pa kurrfarë kompleksi inferioriteti “Arqipelagut Gulag” të Solzhenicinit dhe kryeveprave të tjera të disidencës antikomuniste, një himn për lirinë prej njeriut që, si rrallëkush tjetër me veprën e vet, dhe jo vetëm letrare, na jep të kuptojmë se çfarë elementi i çmuar është ajo në tabelën mendelejaneske të ekzistencës sonë si homo sapines.

Filip Papajani “Proka” (novelë)

Filip Papajani, i njohur më së shumti në lëmë të letrave me apelativin “Lipi” është një nga shkrimtarët më të pazakontë të letrave shqipe. Fraza ekspresive plot nuanca dhe larmi stilistikore, zhdërvjelltësia në përshkrimin e situatave, portretet kolektivë të turmës, riprodhimi me një fuqi mbresëlënëse i gjendjeve shpirtërore të heroit të vet, përshkrimet sugjestive të natyrës, figuracioni i përkorë, por mjaft origjinal dhe i goditur, nuk lënë fije dyshimi që Filip Papajani është një shkrimtar i sprovuar, një stilist i mbaruar dhe një prozator realist që i ka të rrallë shokët në letrat shqipe, i cili, me aq sa mundi e diti, e emancipoi letërsinë shqipe të kohës që belbëzonte me një romantizëm folklorizant dhe sentimentalizëm anakronik që s’e hasje më jo në metropolet e Europës, por as në mejhanet letrare të provincës ballkanike.

Diana Çuli “Engjëj të armatosur” (roman)

Me këtë roman të Diana Çulit, për herë të parë në letrat shqipe, Lufta Nacionalçlirimtare  zbret nga panteoni i legjendës së ngritur nga realizmi socialist e nga propaganda e regjimit komunist dhe zhvendoset në dimensionin e saj real, njerëzor. Si në strukturë ashtu edhe në përmbajtje, “Engjëjt…” e Çulit ka diçka nga tragjeditë e antikitetit. Pikësëpari Fati dhe Fataliteti që u vigjëlojnë mbi krye dhe shoqërojnë si Dorothenë dhe Aleksin, ashtu edhe personazhet e tjerë në dramat e tyre të jetës e të vdekjes, duke na kumtuar se gjithçka është e parashkruar dhe kurrkush nuk mund t’u imponohet Mojrave e të këmbejë fatet tona. Vetë struktura e romanit, me personazhet që shfaqen e zhduken për t’u rishfaqur sërish si në një amfiteatër antik, i vjen në ndih kësaj gjëje. Ma do mendja që nuk rrëmbehem e gaboj kur shkoj e shprehem se “Engjëj të armatosur” i Diana Çulit është romani i saj më i arrirë.

Maks Velo “Hetimi” (roman)

“Hetimi” është një libër që të ngjall një sërë ndjesish kundërthënëse: urrejtje, mëshirë, përdëllim, nderim, frikë, adhurim, ankth, kënaqësi (estetike), neveri, mirënjohje dhe, së fundi, të shtyn të ngrihesh e të dalësh nga mjedisi ku ke qenë duke lexuar për të marrë frymë me gjithë mushkëritë, krejt si njeriu që sapo ka dalë mbi syprinën e ujit, pas një zhytjeje të gjatë. Në të është ngërthyer e thadruar fati tragjik i një njeriu. I shkruar me një stil të zhdërvjellët e vende-vende me tone nervoze, ku spikat një galeri e tërë personazhesh, karakteret dhe portretet e të cilëve janë dhënë me një plastikë të mrekullueshme, të denjë për dorën e një piktori shkrimtar, romani i Velos ka një ndërthurje të veçantë, ndërmjet letërsisë dokumentare dhe fiksionit. Proza e Maks Velos ka një korrelacion gati-gati kafkian me realitetin, i cili, vende-vende, ka aftësinë ta tejkalojë edhe fikcionin e shkrimtarit me fantazi më morboze.

Eqrem Vlora “Kujtime” (memoaristikë)

Eqrem bej Vlora nuk na shfaqet vetëm si një historian skrupuloz, por edhe një stilist i përkryer, çka ia rrit vlerat punës së shkëlqyer që ka kryer përkthyesi i ndjerë Afrim Koçi, i cili mori përsipër barrën e kthimit nga gjermanishtja (gjuha në të cilën u ngjizën këto Kujtime) në shqipe. Ai ka aftësinë të thadrojë me pak penelata portrete të paharrueshëm jo veç të figurave historike, tejet të njohura edhe për lexuesin e sotëm, por edhe portrete tipologjikë të një krahine të tërë, për të na dhënë portretin e shqiptarit, larg skemave bardhezi dhe idileve romantike. Ironik e sarkastik, shpesh kundërthënës në vëzhgimet e konsideratat e veta, Eqrem beu nuk i kursen thumbat kundrejt huqeve të bashkëkombasve, të cilat, për dreq, i të shohim të gjallojnë e të harbojnë edhe sot e gjithë ditën. Kur e mbaron së lexuari këtë libër, jo të zakontë, nuk ka sesi mos të të ngjitet e të shoqërojë një copë herë, ndjesia e hidhur që autori nuk ia doli dot ta soste këtë sagë të pashoqe në thesarin e letrave shqipe që, padyshim, shkon ku e ku më tej kujtimeve të një individi. Pra, thënë metaforikisht, libri është një pasqyrë hem tragjike, hem komike, ku në portretet e gjyshërve tanë, pikasim vetveten, ndonëse veshur e ngjeshur europiançe.

Ilirian Zhupa “Të gjallë dhe të vdekur” (poezi)

Ashtu si gjethet e rralluara të një pylli në dimër, libri më i fundit poetik i Ilirian Zhupës, është më i miri i botuar pas viteve nëntëdhjetë, ndoshta më i miri i autorit dhe, pa kurrfarë dyshimi, ndër më të mirët e krejt poezisë moderne shqipe të të gjitha trevave ku flitet e shkruhet  shqipja sot e kësaj dite. Duke iu rikthyer metaforës së kreut, këto gjethe të rralluara që janë poezitë e Zhupës në dimrin e madh të poezisë shqipe të këtyre viteve të fundit, të japin shpresë e besë se dimri është vetëm një stinë dhe shpejt herët ose vonë do të kalojë për t’i lënë vend pranverës. Amen!

Jusuf Vrioni “Kujtimet e një europiani” (memoaristikë)

Kujtimet e Jusuf Vrionit ngrihen mbi tri blloqe të mëdha që ngërthejnë në vetvete tri faza vendimtare në jetën e këtij njeriu. Blloku i parë rrok fëmijërinë dhe rininë, periudhën më të hareshme e më të larmishme të jetës së tij, e cila, ashtu si në një roman rus ose frëng të shekullit të nëntëmbëdhjetë, zhvillohet në vende të ndryshme të Europës; blloku i dytë, përmbledh vitet e kaluara në Shqipëri pas kthimit në atdhe nga Italia, më 1943, dhe shtjellon më së shumti vitet e burgut gjatë regjimit komunist; në bllokun e tretë do të përfshija atë segment të jetës së tij që njohu shkëlqimin e merituar të punës si një përkthyes i jashtëzakonshëm i veprave të Ismail Kadaresë, por edhe të diktatorit Hoxha, si dhe të shpalosjes së plotë, edhe pse në kushtet ndrydhëse të një regjimi të egër totalitar, të personalitetit të tij shumërrafshësh si njeri i letrave e i kulturës europiane. Në qoftë se do ta konceptonim këtë libër si një pjesë simfonike, atëherë duke u shprehur me gjuhën e muzikologut do të thoshim se ajo është kompozuar kësisoj: 1) allegro, 2) andante con tristezza dhe 3) allegro ma non troppo. Duke shfletuar librin të krijohet ndjesia sikur je duke parë një film të vjetër dokumentar dhe para syve të parakalojnë për mrekulli, gjë e rrallë kjo, ngjarje madhore jo vetëm nga historia e Shqipërisë, por edhe nga ajo e Francës, Italisë dhe mbarë Europës, në mos botës.

Eir Plasari “Bërthama” (novelë)

Leximi i këtij libri është një rrugëtim i rrallë, një përvojë e pashoqe për të depërtuar në peizazhin shpirtëror të të rinjve të sotëm, për të eksploruar një botë nga më të padepërtueshmet dhe komplekset që mund të bëhet, e cila, e këqyrur së jashtmi, më fort se kërshëri, ngjall frikë e lektisje se mos paragjykohesh e keqkuptohesh si një qenie anakronike e primitive që kurrsesi s’mund t’i qaset e aq më pak të komunikojë me atë që mund të jetë një planet, një entitet i paprekshëm. Në të pulson qartë shqetësimi që ka të bëjë me ekzistencën e individit: në raport me veten (biseksualiteti i Jurgenit); në raport me shoqërinë (marrëdhëniet e tij neurotike me gjithçka që e rrethon); dhe marrëdhëniet me familjen (një nip e një djalë që nuk kuptohet nëse ekzistojnë përnjëmend apo janë fryt i fantazisë së tij të sëmurë); e pra, në këtë trekëndësh shtjellohet drama e Jurgenit, karakterit të këtij romani postmodernist. “Një flutur rreh krahët dhe anën tjetër të rruzullit shkakton stuhi”, thotë një filozof i lashtë kinez. E pra, në një vend të përgjumur e të plogësht ku njerëzit flasin me monumentet stuhia është e mirëpritur.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Partia Socialiste nuk e nderoi Liri Belishovën sepse është enveriste

Nga Fitim Zekthi Liri Belishova, një e dënuar mizorisht nga regjimi komunist...
Read More