Wind of Change

Letërkëmbimi Mapo-Danas

Nga Zoran Panoviç

Partizani e pati përshëndetur me entuziazëm Vokrrin. Vdekja e paradokohshme e këtij futbollisti të madh dhe reaksionet emotive të shumë njerëzve në Serbi na sollën në kujtesë momentet kur kishte normalitet në marrëdhëniet serbo-shqiptare…

I dashur Mustafa,

Që atëherë kur Serbia, në saje të suksesit të referendumit malazez mbi pavarësinë, u bë përfundimisht shtet sovran (pa Millo Gjukanoviçin, kjo vështirë se mund të ndodhte), edhe në futboll u bëmë “shqiponja”. Por këto shqiponjat e stemës serbe janë të bardha. Tuajat janë të zeza. Pyetja është tashmë rutinë: cila cilës do t’ia ndukë puplat?

Për herë të parë në Kampionatin Botëror të Futbollit, para tetë vitesh, në Afrikën e Jugut, Serbinë, si shtet i pavarur e drejtoi Radomir Antiçi, i cili gjatë karrierës së tij ka udhëhequr Realin madrilen dhe Barcelonën, ndërsa me Atletikon nga Madridi fitoi dy herë kurorën e Spanjës. Gjatë kohës së bombardimeve të NATO-s në vitin 1999, përhapeshin me dëshpërim zëra sipas të cilëve NATO-ja kishte për të qenë “më e butë” me ne, sepse për shkak të votës së Antiçit, pronari i Atletikos, Hesus Hilli (sot i ndjeri) do të ndërhynte te Havier Solana, atëbotë Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Më shkruan i dashur Mustafa se, logjikisht pas Shqipërisë, edhe Qipro e Italia kanë patur përfaqësues shqiptarë në Festivalin Europian të Këngës. Ja pra, në Mondialin e Afrikës së Jugut dy ekipe botërore drejtoheshin nga serbë: Antiçi drejtonte Serbinë, ndërsa Millovan Rajevaci Ganën, por me një shtesë, se Antiçi dhe Rajevaci, janë nga i njëjti qytet, nga Uzhica, në Serbinë Perëndimore – ja ku po më vjen rasti që edhe unë të shes pak mend – që është edhe qyteti im i lindjes. Pikërisht në vitin 1999, në Uzhicë mendonin se Antiçi do të duhet ta frenojë NATO-n në mënyrë që ajo, së paku në këtë anë, të mos bombardonte.

Gana atëbotë ishte hiti afrikan, ndërsa Serbia, megjithëse nuk arriti ta kalojë fazën e grupeve, arriti të bënte një vepër heroike dhe fitoi ndaj Gjermanisë.

Siç mund ta kesh konstatuar tashmë se, për shkak të përqendrimit të futbollistëve me prejardhje shqiptare në ekipin zviceran, takimi në Rusi mes Serbisë dhe Zvicrës përjetohet si “beteja e Koshares” në futboll. Në zonën e piramidës kufitare në Koshare në vitin 1999, ushtria serbe i bëri një rezistencë të fortë UÇK-së dhe ushtrisë shqiptare të mbështetur nga aleanca e NATO-s. Kosharja në Serbi trajtohet si epopè historike. As Presidenti Vuçiç nuk i bëri ballë ngasjes, prandaj në takimin me përfaqësuesen serbe theksoi se “kuptohet se përfaqësuesen e Zvicrës do ta mundim bindshëm”.

Presidenti serb nganjëherë di të hedhë ndonjë fjalë për të kaluarën e tij si tifoz. Për shembull, ai si tifoz i Crvena Zvezdës, ka qenë në tribunën jugore të stadiumit Maksimir në Zagreb, kur në muajin maj të vitit 1990, Zvezda duhej të luante me Dinamon e Zagrebit. Takimi nuk u zhvillua, ndërsa incidentet nacionaliste dhe huliganizmi shpunë deri tek ajo fraza e njohur se “lufta ka filluar në Maksimir”, kur flitet për shpërbërjen e Jugosllavisë.

“Al Xhazira” këto ditë po transmeton një film dokumentar me temën “Lufta filloi në Maksimir”. Me këtë rast po flisja me një bashkëvendësin tim i cili pati qenë atëbotë në stadiumin Maksimir. Kujton se ndërsa “delijtë” (emër zhargon për tifozët e Crvena Zvezdës) e tjerë prisnin që murijet (emër zhargon për policët) t’i shoqëronin deri te stacioni hekurudhor, meqenëse semafori ende punonte dhe diku aty afër i pati rënë në sy reklama e “Cedevitës”, pije freskuese popullore me bazë portokalli, e cila atëherë prodhohej në Kroaci. Edhe sot prodhohet. Dhe atëherë, më tregon ky miku im, ashtu i etur, i shkoi mendja që serbizmin e Zvezdës ta këmbente për një “Cedevita” të ftohtë. Shton se është i vetëdijshëm se mendim më heretik se ky nuk ka patur asnjëherë deri më sot. Edhe sot e kësaj dite mendon për të. A thua, i dashur Mustafa, se gjëra kaq “banale” demistifikojnë më së miri konstruktet nacionaliste?

Nuk më kujtohet që në ndonjë kampionat botëror futbolli, reklamat në Serbi të kenë qenë kaq luftarake. Këtu është popullore birra e quajtur “Llav”. Kështu që në njëfarë më mënyre jemi kamerunasit e Ballkanit. Edhe “shqiponja”, edhe “luanë”. Federata serbe e futbollit paraqiti spotin televiziv motivues. Skenat ngjasin pak me personazhet e filmit “Zotëria i unazave”. Muzikën e ka kompozuar një muzikant nga Sllovenia me emrin artistik Manjifiko. E ka bërë një version të veçantë të himnit alternativ serb “Pukni Zoro” (shpërthe agim). Them himn alternativ, sepse në një mënyrë fare të çuditshme, “Pukni Zoro” na është bërë himni jozyrtar i Republikës Srpska, i cili atje këndohet masivisht edhe nga forcat e sigurisë të rreshtuara në ceremoninë e ditës se entitetit dejtonian të Bosnjë e Hercegovinës, presidenti i të cilit Millorad Dodik ka ambicie që Republikën Srpska ta bashkojë me Serbinë. Për dijeni, muzikën e himnit serb “Bozhje Pravde” (E drejta e Zotit) e ka kompozuar po ashtu një slloven, Davorin Jenko. Është rrënjosur mendimi, sipas të cilit kompozitori i himnit kroat “Lepa nasha domovino” (mëmëdheu ynë i bukur), Josip Runjanin, është serb i krezmuar në Kishën Ortodokse në Vinkovac të Kroacisë. Natyrisht të gjitha këto fakte historike ose zëra të këtij tipi, kush dhe cili ka bërë më shumë, vihen në kuadër nacionalist dhe kallëpëzohen në narrativa të tabuizuara. Është zakon i shpeshtë këndej nga ne, që njerëzve me shikim të gjerë t’u mvishen veshje nacionaliste që nuk u shkojnë, sepse jemi me demek “bashkatdhetarë”. Në këtë proces minimizohet kozmopolitizmi ose piemontizmi rilindas.

Meqë ra fjala për trajnerë futbolli nga Uzhica, më duhet të përmend edhe një tjetër, Millovan Gjoriçin. Si futbollist ai edhe sot e kësaj dite njihet si “mbrojtësi më i mirë serb”, dhe interesantja në këtë rast është se ai, në një moment të karrierës së tij (1986-1987), udhëhoqi ekipin e Prishtinës, atëbotë ekip i fortë në kategorinë e parë. Dhe këtë e pati bërë direkt pasi në stolin e saj të trajnerit kishte qenë ulur Mirosllav Bllazheviçi, i cili në Mondialin e Francës e pati nxjerrë Kroacinë në vendin e tretë.

Në atë Prishtinë mori famë edhe Fadil Vokrri. Ishte i vetmi shqiptar që pati luajtur me përfaqësuesen e Jugosllavisë (RFSJ) në futboll. Për Ditën ndërkombëtare të punës, me një maj 1985, Jugosllavia pati fituar me Luksemburgun 1:0, dhe golin e vetëm e pati bërë Vokrri, atëherë lojtar i KF të Prishtinës (Në Partizanin e Beogradit pati ardhur në vitin 1986). Por kjo nuk pati asnjë efekt: për shkak të një serie ndeshjesh të dobëta me Bullgarinë, Francën dhe Gjermaninë Lindore, Jugosllavia, nën komandën e Millosh Millutinoviçit, nuk u kualifikua në Mondialin e Meksikës në vitin 1986. Partizani e pati përshëndetur me entuziazëm Vokrrin. Vdekja e paradokohshme e këtij futbollisti të madh dhe reaksionet emotive të shumë njerëzve në Serbi na sollën në kujtesë momentet kur kishte normalitet në marrëdhëniet serbo-shqiptare. Gjë që është fantazmagorike në krahasim me korrësit e vrarë serbë dhe kamionët frigoriferë të mbushur me kufoma shqiptarësh dhe të hedhur në lumë.

Natyrisht, në të gjitha informacionet që bënin me dije për këtë vdekje, nënvizohej se Vokrri ishte Kryetari i Federatës së Futbollit të së ashtuquajturës apo të së vetëshpallurës Kosovë. Dhe kjo më shumë si frazë rituale në mënyrë që ajo tjetra të ishte sa më e sinqertë. Në fakt, vdekja e Vokrrit na solli në kujtesë edhe disa gjëra të tjera të asaj ish-Jugosllavisë, nga pozita e narrativave të sotme të përgjakura. Kohën kur shqiptarët thoshin “Trepça punon, Beogradi ndërtohet”, po ashtu edhe serbët e Mitrovicës thoshin: “Trepça punon, Prishtina ndërtohet”. Këtë vit kur mbushet një shekull që nga koha e formimit të Jugosllavisë, mbetet i çuditshëm fakti se në të njëjtin shtet kishte qytete si Rijeka (Kroaci) dhe Kosovska Mitrovica dhe se madje një herë në finalen e kupës së RFSJ-së (Kupa Marshall Tito quhej atëherë) na u ndeshën ekipet e këtyre dy qyteteve. Pati fituar Rijeka. Meqenëse çdo njësi federative duhej patjetër të kishte një qytet që të mbante emrin e Titos, në Krahinën Autonome të Kosovës ky ishte Titova Mitrovica. Edhe Uzhica që përmenda më lart quhej Ttovo Uzhice. Nga ai qytet është edhe ish-kapiteni i Mançester Junajtedit, Nemanja Vidiç.

Para disa ditësh në Beograd mbajti një koncert grupi i famshëm nga Hanoveri Scorpions. Dëgjuam edhe hitin e tyre “Wind of Change” (1990), që i kushtohej Murit të Berlinit. Mund t’i falet Sllobodan Millosheviçit dhe Dobrica Qosiçit, shkrimtarit që formuloi paradigmën nacionaliste dominante serbe me të cilën pritëm shpërbërjen e Jugosllavisë, që nuk i kanë dëgjuar këngët Love at First Sting (1984) dhe këngët e fuqishme të Scorpions-ave nga i njëjti album – Rock You Like A Hurricane dhe Still Loving You, por asnjë komunisti serb apo nacionalisti demokrat nuk mund t’i falet fakti se nuk dëgjuan thirrjet e këngës “Wind of Change”, nuk e kuptuan këtë këngë dhe nuk ua vunë veshin spoteve të MTV-së. Dhe të tillë, Mustafa, kishte shumë. Serbia u vonua në mënyrë fatale në vitin 1990. Dhe këtë vonesë vazhdojmë edhe sot e kësaj dite ta paguajmë mjaft shtrenjtë. Ndoshta “Wind of Change” është kënga e mjellmës e “fundit të historisë”, por gjithsesi kjo nuk e zvogëlon domethënien e saj si dëshmi e diskordancës fatale serbe me realitetin, e cila në mënyrë të poshtër sot emërtohet “aventurë globale”.

Ka diçka ndoshta më pak të poshtër, por gjithsesi dinake: Ata korifenj nacionalistë që e pranojnë se nuk ditëm ta njohim rënien e Murit të Berlinit, tani po na tërheqin vëmendjen me brengosje që të mos flemë në procesin e shkatërrimit të rendit të vjetër dhe formimit të atij të riut.

Sot në Serbi euroskepticizmi e antiperëndimorizmi janë edhe pjesë e frustrimit. Deri diku janë edhe të kuptueshëm. Mendoj se nuk do të kishte qenë kështu në Serbi sikur në pushtet në vitin 1990 të kishim patur dikë që mund të thoshte, siç pati thënë në kohën e tij Leh Valesa për Poloninë, se pozicioni i vendit në Perëndim kuptohet vetvetiu.

Në vend të katarsisit, më duket se rajoni për një kohë të gjatë do të jetë i tejngarkuar me atë që ish-ambasadori britanik në Beograd e pati karakterizuar si “cirk në nivel simbolizmi lokal”. Një profesor i dëgjuar i psikologjisë sociale nga Beogradi më thoshte një ditë se këtu bëhet fjalë për “defekt metafizik”. Do ta pranoja këtë diagnozë të re tërheqëse sikur ajo në vetvete të mos mbartte njëfarë amnistie për elitën politike dhe kulturore, përgjegjësia e së cilës ishte vendimtare.

 

Komunikimi mes mediave

Ky tekst është pjesë e programit të shkëmbimit të artikujve mes gazetave Danas nga Beogradi dhe Mapo nga Tirana, me qëllim përparimin e komunikimit dhe mirëkuptimit më të madh të bashkësive në Shqipëri dhe në Serbi. Projektin e mbështesin Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Serbi dhe Misioni i OSBE-së në Serbi. Qëndrimet, mendimet, konkluzionet, supozimet dhe informacionet e tjera të autorëve (letërkëmbimin e bëjnë Mustafa Nano dhe Zoran Panoviç) të shprehura në këtë artikull, nuk përfaqësojnë detyrimisht edhe mendimin apo qëndrimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë apo OSBE-së.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Samiti i Londrës- Takim grotesk

Nga Adelheid Feilcke I zhvilluar në mes të krizës qeveritare britanike, takimi...
Read More