Xhisiela dhe Babalja, politikanët përfundojnë në prokurori

Merret në pyetje deputeti socialist Taulant Balla në lidhje me çështjen e vajzës së dhunuar Xhisiela Maloku. Pas Xhisielës, shfaqet edhe Babalja, ku deputeti demokrat Ervin Salianji do të dëshmojë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Histerizimi i denoncimeve dhe kundërdenoncimeve të politikanëve tanë, që akuzojnë dhe akuzohen për protagonizëm ditor.

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla përfundon në prokurori për t’u marrë në pyetje në lidhje me hetimet e dosjes “Xhisiela”. Për më shumë se 90 minuta Balla është përballur në institucionin e akuzës, ku sipas tij është thirrur për të paraqitur “prova” ndaj të paditurve prej tij, kryedemokarti Lulzim Basha, nënkomisar Emiljano Nuhu dhe gazetari Basir Çollaku. Këto lëvizje të shpeshta në prokurori të politikanëve majtas e djathtas, erdhën pas denoncimit publik që bëri ish-oficeri i Policisë Gjyqësore, nënkomisar Emiljano Nuhu. Sipas Nuhut, deputetët Taulant Balla, Rrahman Rraja dhe kryebashkiaku i Krujës Artur Bushi, më datë 21 korrik të këtij viti e kanë kërcënuar me jetë në zyrë për të hequr dorë nga hetimi ndaj Rexhep Rrajës, djalit të deputetit socialist. Mbi 24-vjeçarin Rraja rëndon akuza e përndjekjes dhe ushtrimit të dhunës ndaj ish-të dashurës Xhisiela Maloku. Dhuna ndaj 25-vjeçares dhe më pas tentativa për të mbuluar çështjen, pas gjashtë denoncimeve radhazi që kishte kryer Maloku, thelluan më shumë skandalin që kapërceu kufijtë e një “çështjeje penale”, dhe përfshiu edhe politikën. Kreu i grupit parlamentar të PS-së ka paditur për shpifje kryedemokratin Lulzim Basha, gazetarin Basir Çollaku dhe nënkomisarin Emiljano Nuhu. Si asnjëherë tjetër, për shkak të ngjarjeve të rënda dhe më pas akuzave po aq të rënda, politika ka zgjedhur t’i drejtohet prokurorisë. Po në vazhdën e skandaleve të fundit po ridel në skenë çështja e Agron Xhafajt, vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Pak ditë më parë ka mbërritur përgjigjja zyrtare mbi audiopërgjimin ku pretendohej se ishte vëllai i ministrit në një bisedë mbi trafikun e drogës.

Xhisiela, Babalja, politikanët…

Pas dhënies së dëshmisë në prokurori, kreu i grupit socialist Taulant Balla tha se dha sqarime për kallëzimin që ka bërë ndaj kreut të PD Lulzim Basha, oficerit Emiljano Nuhu dhe gazetarit Basir Çollaku, ku i akuzon për ‘shpërdorim detyre’ dhe ‘shpifje’. “Prokuroria ka regjistruar procedim penal ndaj të akuzuarave. U informuan prej meje për kallëzimin penal që kam bërë ndaj tyre. Kam depozituar të gjitha provat që plotësojnë të gjitha kallëzimet. Është një betejë të cilën do ta fitoj për interes të qytetarëve ku del një budalla dhe shpif. Basha të vijë këtu dhe të përballet. Unë mbaj përgjegjësi për kallëzimet që kam bërë”, -tha Balla. Ndërkohë, nga ana tjetër, Prokuroria e Përgjithshme tha zyrtarisht pak ditë më parë se edhe ndaj personave që përmend Nuhu janë hapur hetimet. Ndaj në ditët në vijim në pyetje nga denoncues mund të merret si i denoncuar sërish Taulant Balla dhe më pas Rrahman Rraja dhe Artur Bushi. Mësohet se dhe dje Balla ka pretenduar se më 21 korrik të këtij viti nuk ka qenë në Fushë-Krujë dhe se nuk ka lidhje me kërcënimin ndaj nënkomisar Emiljano Nuhu. Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka marrë protagonizmin publik me dosje denoncimesh në duar. Me letra në duar Balla ka kallëzuar dje në prokurori deputetët e PD-së Edi Paloka dhe Enkelejd Alibeaj. Shkak janë bërë deklaratat e këtyre të fundit sa i takon çështjes se Xhisiela Malokut. “Inflacioni me padi apo show në prokurori nuk e shpëton dot Taulant Ballën nga përgjigjja: pse qeveria e tij nuk shfaq çfarë përmbajnë kamerat e Policisë së Fushë-Krujës. Për sa kohë qeveria mbulon të vërtetën, Taulant Balla nuk ka pse të ndihet i fyer, kur ne i kujtojmë se ai ka marrë pjesë në kërcënimin me pistoletë në kokë të nënkomisar Emiljano Nuhut”-reagoi Alibeaj. Por paditë “histerike” të politikanëve nuk kanë fund, duke akuzuar njëri-tjetrin dhe krijuar një terror akuzash mes tyre. Të premten pritet që të dëshmojë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda deputeti demokrat Ervin Salianji. Ai do të merret në pyetje në lidhje me dosjen hetimore ndaj Albert Veliut, i njohur ndryshe si “Babalja” që katër muaj më parë akuzoi Agron Xhafajn, vëllain e ministrit të Brendshëm si të lidhur me trafikun e drogës. “Të vendosur për të shkëputur lidhjet e qeverisjes me krimin e organizuar, kudo, kurdo, me çdo formë. Nesër, në orën 9.30, do jem në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, me vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund të vërtetës për Familjen Mafioze Xhafaj”, shkruan Salianji në faqen e tij në Facebook. Deputeti demokrat ishte ndër personat e parë që denoncoi këtë skandal.

PD dhe LSI padisin Ramën

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim padisin në prokurori kryeministrin Edi Rama. Kryetarët e grupeve parlamentare Edmond Spaho dhe Petrit Vasili depozituan dje në institucionin e akuzës në kryeqytet denoncimin ndaj kryeministrit Edi Rama për akuzën e kërcënimit dhe shpërdorimit të detyrës. Arsyeja e kësaj padie ndaj kryeministrit janë fjalët e këtij të fundit kundër ish-oficerit Emiljano Nuhu që bëri rrëfimin e tij për rastin “Xhisiela”. “Kryeministri i drejtohet me fjalë kërcënuese nënkomisarit Emiljano Nuhu. Ai ndërhyn në punën e organeve ligjzbatuese duke paracaktuar rezultatin e hetimit penal. Tenton të pengojë zbulimin e të vërtetës”, shkruhet në padi. Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas padisë së PD-së dhe LSI-së ndaj tij për çështjen e denoncimit të oficerit Emiljano Nuhu, ku implikohej në dhunimin e një vajze djali i deputetit socialist. “Dy gjysmagjela të opozitës së shpërndarë më paskan kallëzuar në Prokurori në emër të heroit të filmit Babale 2. I falenderoj dhe plotësisht gati të hetohem, duke pritur me durim që Prokuroria t’i nxjerrë fundin të dy Babaleve, ndërkohë që puna për Paketën Antishpifje vazhdon”, shkruan Rama. Në bazë të procedurave ligjore prokuroria është e detyruar të pranojë çdo denoncim dhe më pas ka të drejtën për të vijuar ose jo hetimet. Janë të shumta rastet kur politikanë të të gjithë krahëve iu janë drejtuar gjykatës ose prokurorisë, por më shumë se “frika nga ndëshkimi” është tentativa për të sfumuar çdo skandal që plas në ambientet politike.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Flamuri i djegur shqiptar- përballë ekstremizmit helen

Nga Pirro Prifti E gjithë Shqipëria ka ndjekur me kujdes ngjarjen në...
Read More