Zbulohen SMS-të e biznesmenit Sota me gruan e Tahirit


Gjykata e Krimeve të Rënda ka bllokuar pasaportën e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, në vijim të hetimeve për dosjen “Sota”, duke i ndaluar atij daljen jashtë vendit për një periudhë të pacaktuar.

Gjykata e mori këtë vendim pas kërkesës së Prokurorisë, e cila u dorëzua mëngjesin e kësaj të marte, pasi në telefonin e Orest Sotës u rikuperuan nga aplikacioni WhatsApp disa SMS me bashkëshorten e ish-ministrit për ndërhyrje në tenderët e Ministrisë së Brendshme, raporton Shqiptarja.com.

Sota u arrestua nga policia në Elbasan në 1 nëntor, ndërsa në automjet iu gjetën 863 mijë euro si dhe dy patenta për mjete lundrimi në emër të ish-ministrit Saimir Tahiri.

Në këto mesazhe, Orest Sota bisedon me gruan e Sajmir Tahirit ku të dy flasin për ndërhyrje në tenderat e Ministrisë së Brendshme.

Nisur nga këto kushte, Prokuroria e Krimeve të Rënda dyshon se kemi të bëjmë me afera korruptive të ish-ministrit dhe familjarëve të tij.

Krahas pasaportës, Tahirit i është bllokuar edhe karta e identitetit, duke bërë të pamundur edhe udhëtimin e tij drejt vendeve fqinje si Maqedoni, Mali i Zi apo dhe Kosovë.

Pak ditë më parë, ish-ministri Tahiri udhëtoi në drejtim të Gjermanisë ku tha se vizitoi babain e tij i cili kurohet në një prej klinikave të specializuara atje për një sëmundje të rëndë.

Vizita e Tahirit shkaktoi mjaft polemika.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Gerta Banushi: Butari, shqiptari i Selanikut

  Nga Gerta Banushi, Vizion Plus Nuk është e para herë që Kryetari...
Read More